YouVersion Logo
Search Icon

2 Kronikave 10

10
Kuvendi i Shekemit
1Rehoboami shkoi në Shekem, ku kishte ardhur mbarë Izraeli për ta bërë mbret. 2Jeroboami, biri i Nebatit, ishte ende në Egjipt, ku kishte marrë arratinë për shkak të mbretit Solomon. Kur Jeroboami e mori vesh këtë, vendosi të kthehej nga Egjipti. 3Jeroboamit i çuan fjalë dhe e thirrën për t'u kthyer. Atëherë e gjithë bashkësia e Izraelit foli me Rehoboamin e i thanë: 4«Yt atë na ka vënë zgjedhë të rëndë. Nëse ti na e lehtëson disi zgjedhën e punës së rëndë, që na ngarkoi yt atë, ne do të të shërbejmë». 5Rehoboami u tha: «Shkoni e kthehuni tek unë pas tri ditësh». Dhe populli u largua.
6Atëherë mbreti Rehoboam u këshillua me pleqtë që kishin qenë në shërbim të atit të tij, Solomonit, kur ishte gjallë, e i pyeti: «Ç'këshillë më jepni, që t'i kthej përgjigje këtij populli?». 7Ata i thanë: «Nëse ti sot sillesh me dashamirësi ndaj këtij populli dhe e kënaq me fjalët e mira që do t'u thuash, ata do të jenë gjithmonë shërbëtorët e tu». 8Rehoboami nuk e pranoi këshillën e pleqve dhe u këshillua me të rinjtë që ishin rritur me të e që i rrinin pranë. 9Ai i pyeti: «Ç'këshillë më jepni, që t'i përgjigjem popullit? Ata më kanë kërkuar t'u lehtësoj zgjedhën që u ka vënë ati im». 10Të rinjtë, që ishin rritur me të, iu përgjigjën: «Popullit, që foli me ty e që të kërkoi t'ua lehtësosh zgjedhën, që u vuri yt atë, thuaji kështu: “Gishti im i vogël është më i trashë se ijët e atit tim. 11Im atë ju vuri një zgjedhë të rëndë, ndërsa unë do t'ju vë një zgjedhë edhe më të rëndë. Im atë ju rrahu me fshikuj, por unë do t'ju rrah me frushkuj me gjemba hekuri”».
12Pas tri ditësh, Jeroboami e mbarë bashkësia e Izraelit shkuan te Rehoboami, ashtu siç u kishte thënë mbreti, që të ktheheshin tek ai pas tri ditësh. 13Mbreti Rehoboam iu përgjigj ashpër popullit dhe e përbuzi këshillën që i kishin dhënë pleqtë. 14Ai u foli sipas këshillës që i kishin dhënë të rinjtë e u tha: «Unë do t'ju vë një zgjedhë më të rëndë. Im atë ju rrahu me fshikuj, por unë do t'ju rrah me frushkuj me gjemba hekuri». 15Mbreti nuk e dëgjoi popullin, sepse kështu kishte dashur Perëndia, që të shkonte në vend fjala, që i tha Jeroboamit, birit të Nebatit, përmes Ahijahut, shilonitit.
16Kur mbarë Izraeli pa se mbreti nuk i kishte dëgjuar, i dërguan fjalë e i thanë: «Ç'lidhje kemi ne me Davidin e ç'pjesë kemi me të birin e Jeseut? Nëpër tendat tuaja, o izraelitë! Ndërsa ti kujdesu për shtëpinë tënde tani, o David!». Kështu, izraelitët shkuan nëpër shtëpitë e tyre. 17Rehoboami mbretëroi mbi izraelitët që jetonin në qytetet e Judës. 18Mbreti Rehoboam dërgoi tek izraelitët e tjerë Hadoramin që ishte mbikëqyrësi i punës së detyruar, por ata e vranë me gurë e ai vdiq. Mbreti Rehoboam hipi me ngut në një karrocë dhe ia mbathi për në Jerusalem. 19Izraeli ngriti krye kundër shtëpisë së Davidit, siç është edhe sot.

Currently Selected:

2 Kronikave 10: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in