YouVersion Logo
Search Icon

1 Samuelit 7

7
1Disa njerëz nga Kirjat Jearimi erdhën dhe e morën arkën e Zotit. E sollën te shtëpia e Abinadabit, në një kodër, dhe shuguruan birin e tij, Eleazarin, që të përkujdesej për arkën e Zotit. 2Gjatë gjithë kohës që arka qëndroi në Kirjat Jearim, dhe ajo qëndroi aty për një kohë të gjatë, njëzet vjet, tërë shtëpia e Izraelit i përgjërohej Zotit.
Samueli, gjyqtar i Izraelit
3Atëherë Samueli i tha tërë shtëpisë së Izraelit: «Nëse doni të ktheheni me gjithë zemër drejt Zotit, hiqini prej mesit tuaj perënditë e huaja dhe Ashtarotën. Përkushtojuni me zemër Zotit, shërbejini vetëm atij e ai do t'ju shpëtojë prej dorës së filistinëve». 4Izraelitët i hoqën Baalët e Ashtarotën dhe i shërbyen vetëm Zotit.
5Samueli u tha: «Mblidhni gjithë Izraelin në Micpah, që t'i lutem Zotit për ju». 6Si u mblodhën në Micpah, nxorën ujë, e derdhën para Zotit dhe atë ditë agjëruan aty duke thënë: «Kemi mëkatuar para Zotit». Samueli ishte gjyqtar i Izraelit në Micpah.
7Filistinët dëgjuan se izraelitët ishin mbledhur në Micpah dhe dërguan princat kundër tyre. Kur e morën vesh këtë, izraelitët patën frikë prej filistinëve, 8prandaj i thanë Samuelit: «Lutu për ne pa pushim që, Zoti, Perëndia ynë, të na shpëtojë nga dora e filistinëve». 9Atëherë Samueli mori një qengj qumështor e ia kushtoi Zotit si fli shkrumbimi. Pastaj i thirri Zotit për hir të Izraelit e Zoti iu përgjigj. 10Teksa Samueli po kushtonte flinë e shkrumbimit, filistinët u afruan të sulmonin Izraelin. Por Zoti i hutoi duke gjëmuar fort kundër filistinëve atë ditë, prandaj ata ia mbathën para Izraelit. 11Izraelitët i ndoqën prej Micpahut e u ranë deri në Bet Har.
12Atëherë Samueli mori një gur, e vendosi mes Micpahut e Shenit dhe e quajti Eben Ezer, sepse tha: «Deri këtu#7.12 ose: tani na ndihmoi Zoti». 13Kështu, filistinët u mposhtën e nuk i shkelën më tokat e Izraelit. Dora e Zotit i shtypi filistinët gjatë gjithë jetës së Samuelit. 14Izraelit iu rikthyen qytetet që filistinët kishin kapur më parë, nga Ekroni deri në Gat. Izraeli i çliroi tokat e veta prej duarve të filistinëve dhe bëri paqe edhe me amoritët.
15Samueli qe gjyqtar i Izraelit gjatë gjithë jetës së vet. 16Ai kthehej çdo vit në Betel, në Gilgal, në Micpah dhe shërbente si gjykatës i Izraelit në gjithë këto vende. 17Pastaj kthehej në shtëpinë e vet, në Ramah. Atje shërbente si gjyqtar i Izraelit. Atje ndërtoi edhe një altar për Zotin.

Currently Selected:

1 Samuelit 7: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in