YouVersion Logo
Search Icon

1 Samuelit 4

4
Lufta me filistinët
1Fjala e Samuelit i drejtohej gjithë Izraelit. Izraeli u ngrit e shkoi në luftë kundër filistinëve. Ata fushuan në Eben Ezer, ndërsa filistinët në Apek.
2Filistinët u renditën kundër Izraelit dhe, pasi u përhap lufta, Izraeli u mund. Ata vranë në fushëbetejë katër mijë burra. 3Populli u kthye në fushim dhe pleqësia e Izraelit doli e tha: «Përse i la Zoti filistinët të na mundnin? Merreni pra arkën e besëlidhjes së Zotit prej Shilohut e silleni këtu mes nesh, që të na shpëtojë nga dora e armikut». 4Kështu, populli dërgoi disa njerëz në Shiloh dhe ata e sollën arkën e besëlidhjes së Zotit të ushtrive që rri mbi kerubë. Të dy bijtë e Eliut, Hofniu e Finehasi, ishin me arkën e besëlidhjes së Perëndisë.
5Porsa mbërriti arka e besëlidhjes së Zotit në fushim, gjithë Izraeli brohoriti fort saqë ushtoi toka. 6Filistinët e dëgjuan brohoritjen e thanë: «Ç'është ky kushtrim kaq i fortë që vjen nga fushimi i hebrenjve?». Kur e morën vesh që kishte ardhur arka e Zotit, 7u trembën e thanë: «Paska ardhur një perëndi në fushim! Mjerë ne! Kjo s'ka ndodhur ndonjëherë! 8Mjerë ne! Kush do të na shpëtojë nga dora e këtyre perëndive të fuqishëm? Këta perëndi goditën Egjiptin me çdo lloj plage në shkretëtirë. 9Por, merrni zemër e bëhuni burra, o filistinë, përndryshe do t'u shërbeni hebrenjve siç na shërbyen ata neve! Bëhuni burra e luftoni!».
10Atëherë filistinët luftuan dhe Izraeli u mund. Të gjithë ua mbathën nëpër tendat e veta dhe u bë gjakderdhje e madhe. Prej Izraelit u vranë tridhjetë mijë ushtarë. 11U morën edhe arkën e Perëndisë dhe dy bijtë e Eliut, Hofniu e Finehasi, mbetën të vrarë.
Vdekja e Eliut
12Po atë ditë erdhi me vrap në Shiloh një burrë nga beteja. Ai ishte benjaminas dhe i kishte petkat e grisura e kryet me dhe. 13Teksa vinte, Eliu ishte ulur në ndenjëse buzë rrugës e po vështronte i shqetësuar për shkak të arkës së Perëndisë. Burri hyri në qytet, i njoftoi e i gjithë qyteti klithi. 14Kur i dëgjoi britmat, Eliu pyeti: «Ç'janë këto britma?». Burri nxitoi e i tregoi Eliut, 15që tashmë ishte nëntëdhjetë e tetë vjeç dhe nuk shihte, pasi e kishin lënë sytë. 16Burri i tha: «Unë jam ai që mbërriti nga beteja. Sot ia mbatha». Eliu e pyeti: «Po bijtë e mi?». 17Lajmëtari iu përgjigj: «Izraeli ia mbathi para filistinëve. Populli u bë kasaphanë dhe dy bijtë e tu, Hofniu e Finehasi, mbetën të vrarë. U mor edhe arka e Perëndisë». 18Kur dëgjoi të përmendet arka e Perëndisë, Eliu ra me kurriz nga ndenjësja ndanë portës, theu qafën e vdiq, se ishte në moshë e në peshë. Ai kishte qenë gjyqtar në Izrael për dyzet vjet.
19E reja e tij, gruaja e Finehasit, ishte shtatzënë. Kur dëgjoi lajmin për kapjen e arkës së Perëndisë dhe për vdekjen e të vjehrrit e të shoqit, e kapën dhimbjet e lindjes dhe lindi. 20Teksa po jepte shpirt, gratë përreth i thanë: «Mos ki frikë, se linde djalë». Por ajo as u gjegj, as bëzajti. 21Djaloshin e quajti Ikabod, se tha: «I iku lavdia Izraelit», për shkak se arka e Perëndisë u mor dhe se i vdiq i vjehrri dhe i shoqi. 22Ajo tha: «I iku lavdia Izraelit, sepse u mor arka e Perëndisë».

Currently Selected:

1 Samuelit 4: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy