YouVersion Logo
Search Icon

1 Samuelit 25

25
Vdekja e Samuelit
1Samueli vdiq. Mbarë Izraeli u mblodh dhe e vajtoi. E varrosën në vendlindjen e tij, në Ramah. Atëherë Davidi u ngrit e shkoi në shkretëtirën e Paranit#25.1 të tjerë: Maonit.
2Në Maon jetonte një burrë shumë i pasur që punonte në Karmel. Ai kishte tre mijë dhen dhe një mijë dhi. Në atë kohë gjendej në Karmel për qethjen e dhenve. 3Ai quhej Nabal dhe e shoqja quhej Abigajlë. Ajo ishte e mençur dhe e bukur, ndërsa i shoqi i vrazhdë e i lig. Ai ishte prej familjes së Kalebit. 4Kur Davidi dëgjoi në shkretëtirë se Nabali po qethte dhentë, 5dërgoi dhjetë djelmosha e u tha: «Shkoni te Nabali në Karmel, përshëndeteni në emrin tim 6e thuajini: “Të paça me jetë#25.6 të tjerë: Kështu i thoni vëllait tim! Paqja qoftë me ty, me shtëpinë tënde e me gjithçka që të përket. 7Dëgjova se po qeth dhentë. Ti e di se ne nuk i ngacmuam barinjtë e tu kur ishin me ne. Nuk u humbi as një qengj gjatë gjithë kohës që ishin në Karmel. 8Pyeti djelmoshat e ata do të të tregojnë. Prandaj, priti mirë djelmoshat e mi. Të kemi ardhur në ditë të mirë. Jepu shërbëtorëve të tu dhe birit tënd, Davidit, ç'të të gjendet”».
9Djelmoshat e Davidit shkuan te Nabali, ia thanë të gjitha këto fjalë në emër të Davidit dhe pritën. 10Atëherë Nabali iu përgjigj shërbëtorëve të Davidit e u tha: «Kush është Davidi? E kush është biri i Jeseut? Sot ka shumë shërbëtorë që u ikin zotërinjve të tyre! 11Pse, u dashka ta marr bukën time, ujin tim e flinë time, që kushtova për qethtarët e mi, e t'ua jap disa njerëzve që nuk e di as nga vijnë?». 12Djelmoshat e Davidit u kthyen e i treguan Davidit gjithçka. 13Atëherë Davidi u tha njerëzve të tij: «Ngjishni shpatat!». Të gjithë bashkë me Davidin ngjeshën shpatat dhe katërqind burra shkuan pas tij. Dyqind të tjerë ndenjën me pajisjet.
14Njëri nga djelmoshat foli me Abigajlën, të shoqen e Nabalit, e i tha: «Davidi i dërgoi zotërisë sonë lajmëtarë nga shkretëtira për ta uruar, por ai iu hakërrye. 15Këta njerëz janë treguar të mirë me ne, nuk na kanë ngacmuar e nuk na ka humbur asgjë kur endeshim me ta nëpër ara. 16Na u bënë mur mbrojtës natë e ditë gjatë gjithë kohës që kullotnim tufat me ta. 17Tani, mendohu mirë se çfarë do të bësh, se ka për ta zënë e keqja zotërinë tonë e shtëpinë e tij. Ai është i poshtër e askush nuk i flet dot».
18Atëherë Abigajla mori me nxitim dyqind bukë, dy kacekë verë, pesë dele të gatuara, pesë masa drithi të pjekur, njëqind vile rrush të thatë e dyqind bukëfiqe e i ngarkoi mbi gomarë. 19Pastaj u tha shërbëtorëve të vet: «Shkoni para, se unë do të vij pas jush», pa i treguar asgjë Nabalit, të shoqit. 20Kur ajo po zbriste, hipur mbi gomar, nën hijen e malit, i dolën para Davidi e njerëzit e tij dhe ajo i takoi.
21Ndërkohë Davidi po thoshte me vete: «Kot ia ruajta gjënë këtij në shkretëtirë pa i humbur asgjë. Ai po ma kthen të mirën me të keqe. 22Më zi ma bëftë Perëndia nëse deri nesër në të gdhirë i lë gjallë ndonjë mashkull».
23Kur e pa Davidin, Abigajla zbriti me të shpejtë prej gomarit e ra përdhe para tij me nderim. 24Ra te këmbët e tij e i tha: «Faji është i imi, imzot, vetëm i imi. Të lutem lëre shërbëtoren tënde të flasë! Dëgjoje fjalën e shërbëtores sate! 25Të mos shqetësohet imzot për Nabalin, për këtë njeri të poshtër, sepse siç ka emrin, ashtu është, Nabal quhet e i marrë është. Por unë, shërbëtorja jote, nuk i pashë djelmoshat që kishte dërguar imzot.
26E tani, imzot, pasha Zotin e pasha jetën tënde, Zoti nuk të la të derdhje gjak e të merrje hak me dorën tënde. U bëfshin si Nabali të gjithë armiqtë e tu e të gjithë ata që i duan të keqen timzoti. 27Prandaj, pranoje këtë dhuratë që shërbëtorja jote i solli timzoti e jepua djelmoshave që ndjekin timzot. 28Falja shkeljen shërbëtores sate, se Zoti me të vërtetë do t'i japë timzoti një mbretëri të përhershme. Imzot po lufton betejat e Zotit dhe asnjë mbrapshti nuk do të gjendet në ty gjatë gjithë jetës tënde. 29Edhe nëse ngrihet dikush të të përndjekë e të të marrë jetën, jeta e timzoti do të jetë në shtjellën e të gjallëve pranë Zotit, Perëndisë tënd, ndërsa shpirti i armiqve do të vërtitet si guri me hobe. 30E kur Zoti t'i përmbushë të gjitha mirësitë që i premtoi timzoti e të të caktojë prijës mbi Izraelin, 31timzot nuk do ta brejë ndërgjegjja për gjakun që do të derdhte kot apo se do të merrte vetë hak. E kur Zoti t'i sjellë mirësi timzoti, kujtohu për shërbëtoren tënde».
32Atëherë Davidi i tha Abigajlës: «Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, që të dërgoi sot për të më takuar. 33Bekuar qofsh për urtinë që tregove, se sot nuk më le të derdhja gjak e të merrja vetë hak. 34Pasha Perëndinë e Izraelit, që nuk më la të të bëja keq, po të mos kishe nxituar për të më takuar, Nabalit nuk do t'i kishte mbetur në mëngjes asnjë mashkull». 35Atëherë Davidi mori prej saj çfarë i kishte sjellë e i tha: «Kthehu e qetë në shtëpi. Ta dëgjova fjalën e po ta plotësoj kërkesën».
36Abigajla u kthye te Nabali. Ai po festonte në shtëpi si në një gosti mbreti. Ishte i gëzuar e shumë i dehur. Abigajla nuk i tregoi asgjë deri në të gdhirë. 37Të nesërmen në mëngjes, pasi i doli pija, Abigajla, e shoqja, i tregoi gjithçka. Nabalit i ngriu zemra në kraharor e shtangu si gur. 38Pas dhjetë ditëve, Zoti e goditi Nabalin e ai vdiq.
39Kur mori vesh se Nabali kishte vdekur, Davidi tha: «Bekuar qoftë Zoti që e shpagoi fyerjen që më bëri Nabali, ai nuk e la shërbëtorin e tij të bënte keq e Nabalit i ra mbi kokë e keqja e vet». Atëherë Davidi dërgoi disa njerëz të flisnin me Abigajlën që ta merrte për grua. 40Shërbëtorët e Davidit shkuan në Karmel te Abigajla e i thanë: «Davidi na ka dërguar te ti që të të marrim nuse». 41Ajo u ngrit, u përkul përdhe e u tha: «Ja, shërbëtorja jote është gati t'ua lajë këmbët shërbëtorëve të imzoti». 42Abigajla u ngrit me nxitim e i hipi gomarit. Bashkë me pesë shërbëtoret e saj ndoqi lajmëtarët e Davidit. Ajo u bë gruaja e tij.
43Davidi kishte marrë për grua edhe Ahinoamën prej Izrelit. Të dyja u bënë gratë e tij. 44Mikalën, bijën e vet, gruan e Davidit, Sauli ia kishte dhënë Paltiut, birit të Laishit prej Galimit.

Currently Selected:

1 Samuelit 25: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in