1 Pjetrit 2
2
Guri i gjallë
1Hidhni tej çdo lloj ligësie e çdo lloj mashtrimi, hipokrizie, smire apo përgojimi! 2Dëshironi qumështin e pastër shpirtëror si foshnja të sapolindura, që të rriteni drejt shpëtimit. 3Ju e keni shijuar se Zoti është i mirë.
4Afrohuni tek ai që është guri i gjallë, i cili u hodh poshtë nga njerëzit, por u zgjodh dhe u çmua nga Perëndia. 5Edhe ju si gurë të gjallë ndërtoni shtëpinë shpirtërore, ku do të shërbeni si priftëri e shenjtë duke kushtuar flijime shpirtërore që i pëlqejnë Perëndisë nëpërmjet Jezu Krishtit. 6Sepse Shkrimi thotë:
unë zgjodha një gur të çmuar
dhe e vura në Sion
si gurin e qoshes.
Kush beson në të
nuk do të turpërohet.
7Për ju që besoni, ky gur është i çmueshëm, ndërsa për ata që nuk besojnë,
guri që ndërtuesit e hodhën tej
u bë guri i qoshes,
8 guri që i rrëzon
e shkëmbi që i pengon.
Ata që rrëzohen nuk i binden fjalës dhe për këtë janë caktuar.
9Ndërsa ju jeni fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, komb i shenjtë, popull që Perëndia zgjodhi për të shpallur veprat e tij madhështore. Ai ju thirri nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme.
10Ju që dikur nuk ishit popull,
tani jeni populli i Perëndisë.
Ju që ishit të përjashtuar nga mëshira,
tani u mëshiruat.
Shërbëtorë të Perëndisë
11Fort të dashur, meqenëse jeni shtegtarë dhe të përkohshëm, ju lutem të hiqni dorë nga kënaqësitë trupore që luftojnë kundër shpirtit. 12Sjellja juaj ndër kombet të jetë e mirë. Kështu, edhe nëse ata ju përflasin si keqbërës, kur të shohin veprat tuaja të mira do të përlëvdojnë Perëndinë në ditën e ardhjes së tij.
13Nënshtrojuni çdo pushteti njerëzor për hir të Zotit, qoftë mbretit, si sundimtarit më të lartë, 14qoftë qeveritarëve, si të dërguar nga Perëndia për të ndëshkuar keqbërësit dhe për të lavdëruar ata që bëjnë të mirën. 15Vullneti i Perëndisë është që duke bërë të mirën, t'ia mbyllni gojën paditurisë së njerëzve të pamend. 16Silluni si njerëz të lirë e mos e përdorni lirinë si mbulesë për ligësinë, por jetoni si shërbëtorë të Perëndisë. 17Nderojini të gjithë, duajini vëllezërit në besim, druani Perëndinë, nderoni mbretin.
Shembulli i vuajtjes së Krishtit
18Ju, shërbëtorë, nënshtrojuni plot druajtje zotërinjve tuaj, jo vetëm atyre që janë të mirë e zemërbutë, por edhe të mbrapshtëve. 19Se është hir për njeriun që duron mundimet kur vuan padrejtësisht, për shkak se e ka ndërgjegjen sipas Perëndisë. 20Çfarë vlere ka nëse duroni mundimet kur keni bërë faj? Por nëse duroni vuajtjet kur keni bërë të mirën, kjo është hir para Perëndisë. 21Për këtë jeni thirrur, sepse edhe Krishti vuajti për ju#2.21 dorëshk. të tjera: ne. Ai ju la shembullin, që të ndiqni edhe ju gjurmët e tij.
22Ai nuk bëri asnjë mëkat,
në gojën e tij nuk u gjet asnjë mashtrim.
23Kur poshtërohej,
ai nuk poshtëronte,
kur vuante,
nuk kërcënonte,
por ia la veten në dorë Perëndisë
që gjykon me drejtësi.
24Ai i mori mëkatet tona
në trupin e vet mbi dru,
që ne të vdesim ndaj mëkatit
e të jetojmë me drejtësi.
Ju u shëruat nga plagët e tij.
25Ju ishit si dele të humbura,
por tani u kthyet te bariu
e mbikëqyrësi i shpirtrave tuaj.
Currently Selected:
1 Pjetrit 2: AL1
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020