1 Pjetrit 1:3-12
1 Pjetrit 1:3-12 AL1
Bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, që na rilindi nga mëshira e tij e madhe, nëpërmjet ngjalljes së Jezu Krishtit prej të vdekurve, që të kemi shpresën e gjallë dhe trashëgimin e paprishshëm, të panjollë e të pavyshkur, që është ruajtur në qiej për ju. Ju jeni ruajtur nga fuqia e Perëndisë, nëpërmjet besimit, për shpëtimin që është gati të zbulohet në kohët e fundit. Gëzohuni për këtë, edhe nëse do të duhet të hidhëroheni për pak kohë nga tundime të ndryshme. Kështu sprova e besimit tuaj, që është më i çmueshëm se ari që prishet, ndonëse provohet me zjarr, të jetë për lëvdimin, lavdinë dhe nderin tuaj kur të shfaqet Jezu Krishti. Ju e doni atë, megjithëse nuk e keni parë; dhe besoni në të, megjithëse tani nuk e shihni. Prandaj ju gëzoni me një hare të papërmbajtshme, që nuk mund të shprehet me fjalë, sepse po fitoni qëllimin e besimit, shpëtimin e shpirtrave. Këtë shpëtim kërkuan profetët e për të patën hulumtuar. Ata profetizuan për hirin që ju është dhënë juve e u përpoqën të gjenin kohën dhe rrethanat që Shpirti i Krishtit brenda tyre u paralajmëronte për vuajtjet e Krishtit e për lavdinë që do të vinte më pas. Profetëve iu zbulua se ato që thoshin nuk ishin për ata vetë, por për ju. Pikërisht këto gjëra ju i keni dëgjuar tashmë nëpërmjet atyre që ju shpallën ungjillin në Shpirtin e shenjtë të dërguar prej qiellit. Këto do të donin t'i shihnin edhe engjëjt.