YouVersion Logo
Search Icon

1 Mbretërve 7

7
Ndërtimi i pallatit mbretëror
1Solomoni ndërtoi edhe pallatin e tij mbretëror. Të gjitha ndërtesat e pallatit përfunduan pas trembëdhjetë vjetësh.
2Ai ndërtoi shtëpinë «Pylli i Libanit» që ishte pesëdhjetë metra e gjatë, njëzet e pesë metra e gjerë dhe pesëmbëdhjetë metra e lartë. Ndërtesa ishte mbi katër rreshta shtyllash cedri e mbi shtylla kishte trarë cedri. 3Edhe çatia ishte punuar me dru cedri. Ajo mbështetej mbi dyzet e pesë trarë të ndarë në tri rreshta me nga pesëmbëdhjetë trarë. 4Ndërtesa kishte tri radhë dritaresh me nga tri dritare që përkonin me njëra-tjetrën. 5Të gjitha dyert dhe shtalkat ishin katërkëndëshe, siç ishin edhe dritaret, që përkonin me njëra-tjetrën në tri radhë.
6Solomoni ndërtoi edhe Portikun e Shtyllave që ishte njëzet e pesë metra i gjatë dhe pesëmbëdhjetë metra i gjerë. Përpara portikut ndërtoi një treme me shtylla dhe me çati të dalë.
7Ndërtoi edhe Portikun e Fronit, ku Solomoni mbante gjyqet, prandaj quhej edhe Portiku i Gjyqit. Portiku ishte i veshur me dru cedri nga cepi në cep.
8Ndërtesa, ku banonte vetë mbreti, kishte një treme tjetër të brendshme, pas portikut, dhe ishte e ndërtuar në të njëjtën mënyrë. Solomoni ndërtoi një shtëpi më vete për bijën e faraonit që kishte marrë për grua. Kjo u ndërtua njësoj si portiku.
9Të gjitha këto ndërtesa ishin me gurë të zgjedhur, nga themelet në çati, deri në tremen e madhe. Gurët ishin të prerë sipas masës që duhej dhe të latuar brenda e jashtë. 10Themelet ishin ndërtuar me gurë të zgjedhur e të mëdhenj, katër ose pesë metra të gjatë. 11Mbi ta ishin vendosur gurë të zgjedhur e të latuar sipas masës dhe drurë cedri. 12Tremja e madhe kishte rreth e rrotull tri radhë gurësh të zgjedhur dhe një radhë trarësh cedri. Tremja i ngjante pjesës së brendshme të tremes së tempullit të Zotit dhe portikut të pallatit mbretëror.
Pajisjet e tempullit
13Solomoni dërgoi disa njerëz që të sillnin Hiramin nga Tiri, 14birin e një vejushe nga fisi i Neftaliut dhe të një tirasi. Hirami ishte mjeshtër bronzi dhe kishte aftësinë, zotësinë dhe mjeshtërinë për të bërë çdo lloj pune në bronz. Ai erdhi te mbreti Solomon dhe bëri të gjitha punët që i kërkoi mbreti.
15Hirami derdhi dy shtylla bronzi nga nëntë metra të larta dhe me perimetër gjashtë metra të gjera. 16Bëri edhe dy krytha me bronz të derdhur për t'i vënë mbi majat e shtyllave. Të dyja krythat ishin nga dy metra e gjysmë. 17Pastaj bëri për krythat, që ndodheshin në majë të shtyllave, nga shtatë rrjeta thurur me thekë të gërshetuar. 18Bëri edhe zbukurime me vargje shegësh, të cilat i vuri mbi rrjetat e thurura, për të mbuluar secilin nga dy krythat, që ndodheshin në majë të shtyllave. 19Krythat që ishin në majë të shtyllave të portikut kishin trajtën e zambakut dhe ishin nga dy metra të larta. 20Te krythat, që ndodheshin në majë të dy shtyllave, në pjesën e mysët afër rrjetave të thurura, ishin varur dyqind shegë në vargje, që rrethonin të dyja krythat. 21Hirami i vendosi shtyllat në portikun e tempullit. Njërën shtyllë e vuri djathtas dhe e quajti Jakin, ndërsa shtyllën tjetër e vuri majtas dhe e quajti Boaz. 22Në majë të shtyllave kishte punime zambaku. Kështu përfundoi ndërtimi i shtyllave.
23Hirami punoi edhe një det prej metali të shkrirë që kishte trajtë rrethore me gjerësi pesë metra nga buza në buzë. Thellësia e detit prej metali ishte dy metra e gjysmë, ndërsa perimetri i tij ishte pesëmbëdhjetë metra i gjatë. 24Nën buzët e detit të metaltë, përgjatë perimetrit, vareshin dy vargje kungujsh të derdhura njësh me detin, me nga njëzet kunguj për metër. 25Deti mbështetej mbi dymbëdhjetë dema, prej të cilëve tre shikonin nga veriu, tre nga perëndimi, tre nga jugu dhe tre nga lindja. Deti mbështetej mbi kurrizin e demave që i kishin të pasmet të kthyera për nga brenda. 26Trashësia e detit ishte një pëllëmbë, ndërsa buzët e tij ishin si buzë kupe, në trajtë zambaku. Ai nxinte rreth tetëdhjetë mijë litra.
27Hirami punoi edhe dhjetë baza bronzi nga dy metra të gjata, nga dy metra të gjera dhe nga një metër e gjysmë të larta. 28Bazat ishin të ndërtuara me fletë bronzi që mbërtheheshin nëpër korniza. 29Mbi fletët e bronzit, që ishin të mbërthyera nëpër korniza, kishte zbukurime luanësh, qesh dhe kerubësh. Mbi korniza kishte një piedestal, ndërsa sipër dhe poshtë luanëve e qeve kishte zbukurime kurorash të varura. 30Çdo bazë kishte nga katër rrota bronzi, me boshte po prej bronzi, dhe katër këmbëza mbështetëse në të katër qoshet e poshtme të legenit që mbështetej mbi bazën. Këmbëzat ishin të derdhura e të zbukuruara me kurora. 31Në pjesën e sipërme të bazës kishte një grykë të rrumbullakët, të gjerë sa tri të katërtat e metrit e gjysmë metri të dalë. Gryka ishte zbukuruar me gdhendje, por fletët e saj anësore ishin katrore e jo të rrumbullakëta. 32Poshtë fletëve të bazës ishin katër rrotat dhe boshtet e tyre ishin mbërthyer te baza. Lartësia e çdo rrote ishte sa tri të katërtat e metrit. 33Këto ishin punuar si rrota qerresh dhe boshtet, rrathët, rrezet dhe bucelat i kishin të gjitha prej bronzi të derdhur. 34Katër mbështetëset, në katër qoshet e çdo baze në trajtë qerreje, ishin të shkrira njësh me bazën. 35Në pjesën e sipërme të çdo baze kishte një mbështetëse të rrumbullakët, të dalë sa një e katërta e metrit, mbajtëset dhe faqet e së cilës ishin një trup me bazën. 36Mbi faqet, kornizat dhe mbajtëset e saj ishin gdhendur kerubë, luanë e palma sipas hapësirave përkatëse, rreth e qark me vargje kurorash. 37Kështu i punoi Hirami të dhjeta bazat. Ato kishin të njëjtën derdhje, të njëjtat përmasa dhe të njëjtën trajtë.
38Hirami bëri edhe dhjetë legenë bronzi. Çdo legen nxinte rreth një mijë e gjashtëqind litra dhe ishte dy metra i lartë. Dhjetë legenët i vuri mbi dhjetë bazat në trajtë qerreje. 39Pesë baza i vendosi në anën e djathtë të tempullit e pesë në anën e majtë. Detin e vendosi në anën e djathtë të tempullit, në juglindje.
40Hirami punoi legenët, lopatëzat e kupat dhe kështu i mbaroi të gjitha punët që i kishte kërkuar mbreti Solomon për tempullin e Zotit. 41Ai bëri dy shtyllat me dalje të rrumbullakëta në majë, mbi të cilat u vendosën krythat, dhe dy rrjeta të thurura, për të mbuluar majën e shtyllave. 42Bëri edhe katërqind shegë për të dyja rrjetat e thurura. Secila rrjetë kishte nga dy rreshta shegësh, për të mbuluar daljet e rrumbullakëta për krythat, që ndodheshin mbi shtyllat. 43Punoi edhe dhjetë bazat për dhjetë legenët, që u vendosën mbi secilën bazë, 44detin me dymbëdhjetë qetë, që e mbartnin, 45rrethjet, lopatëzat dhe kupat.
Të gjitha këto pajisje, që mbreti Solomon i kërkoi Hiramit për tempullin e Zotit, u punuan me bronz të pastër. 46Mbreti kishte urdhëruar që të gjitha pajisjet të derdheshin në tokën argjilore të luginës së Jordanit, midis Sukotit dhe Cartanit. 47Solomoni nuk i peshoi këto pajisje, sepse ishin aq shumë, sa nuk u llogaritej pesha.
48Solomoni bëri edhe të gjitha pajisjet e tjera për tempullin e Zotit: altarin prej ari, tryezën prej ari të paraqitjes së bukës, 49pesë shandanë prej ari të pastër në anën e djathtë dhe pesë shandanë prej ari të pastër në anën e majtë të hyrjes për në shenjtërore, gonxhet, llambat dhe mashat prej ari, 50legenët, thikat, kupat, rrethjet, mangallët prej ari të pastër, si edhe menteshat për dyert e shenjtërores së shenjtëroreve dhe për dyert e anijatës, po prej ari.
51Kështu, përfundoi e tërë puna e mbretit Solomon për ndërtimin e tempullit të Zotit. Solomoni i solli të gjitha sendet që kishte shenjtëruar për Zotin ati i tij, Davidi, argjendin dhe arin, e i vuri në thesarin e tempullit të Zotit.

Currently Selected:

1 Mbretërve 7: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in