YouVersion Logo
Search Icon

1 Mbretërve 18

18
Elia takon Abdinë
1Pas shumë kohe, në vitin e tretë të thatësirës, fjala e Zotit iu drejtua sërish Elisë e i tha: «Shko e paraqitu tek Ahabi, se dua të dërgoj shi mbi faqen e tokës». 2Elia shkoi e u paraqit tek Ahabi. Zia e bukës ishte shumë e rëndë në Samari. 3Ahabi kishte thirrur Abdinë, mbikëqyrësin e pallatit mbretëror. Abdia e druante shumë Zotin. 4Kur Izebela shfaroste profetët e Zotit, Abdia kishte marrë njëqind profetë, i kishte fshehur nëpër shpella, të ndarë në grupe nga pesëdhjetë, dhe i kishte mbajtur me bukë e me ujë. 5Ahabi i kishte thënë Abdisë: «Dil nëpër burimet e ujërave dhe nëpër luginat e vendit, se mos ndoshta gjejmë bar për të mbajtur gjallë kuajt dhe mushkat, që të mos i therim bagëtitë». 6Ata e kishin ndarë mes tyre pjesën e vendit që do të përshkonin.
7Rrugës Abdia u ndesh me Elinë. Abdia e njohu, prandaj u përkul deri në tokë e i tha: «A je ti imzot Elia?». 8Elia iu përgjigj: «Unë jam. Shko e thuaji zotërisë tënd se Elia është këtu». 9Abdia i tha: «Ç'mëkat kam bërë, që po e dorëzon shërbëtorin tënd në duart e Ahabit, për të më vrarë? 10Pasha Zotin, Perëndinë tënd, në ka popull apo mbretëri, ku zotëria im nuk ka dërguar njerëz për të të kërkuar. Kur i thoshin se nuk ishe atje, i vinte të betoheshin se nuk të kishin gjetur. 11E tani, ti më thua të shkoj e t'i them timzoti se Elia është këtu? 12Sapo të largohem prej teje, Shpirti i Zotit do të të çojë në një vend që unë s'e di. Unë do të shkoj të lajmëroj Ahabin dhe kur ai mos të të gjejë, ka për të më vrarë. Shërbëtori yt e druan Zotin që prej fëmijërisë. 13A nuk të kanë thënë, imzot, sesi veprova unë, kur Izebela vriste profetët e Zotit? Fsheha njëqind profetë të Zotit nëpër shpella, të ndarë në grupe nga pesëdhjetë, dhe i mbajta me bukë e me ujë. 14E tani, ti më thua të shkoj e t'i them timzoti se Elia është këtu? Ai do të më vrasë?». 15Elia i tha: «Pasha Zotin e ushtrive, të cilit i shërbej, unë sot do të paraqitem tek Ahabi». 16Abdia shkoi për të takuar Ahabin dhe i tregoi për Elinë. Atëherë Ahabi shkoi të takonte Elinë.
17Sapo e pa, Ahabi i tha Elisë: «Ti qenke, o ngatërrestar i Izraelit?». 18Elia i tha: «Nuk jam unë ngatërrestari i Izraelit, por ti dhe shtëpia jote, sepse ti i ke braktisur urdhërimet e Zotit dhe ke shkuar pas idhujve të Baalit. 19E tani, dërgo të thërrasin mbarë Izraelin që të mblidhen tek unë në malin Karmel, bashkë me katërqind e pesëdhjetë profetët e Baalit dhe katërqind profetët e Asherasë që ushqehen në tryezën e Izebelës».
Elia dhe profetët e Baalit
20Ahabi u dërgoi fjalë të gjithë izraelitëve dhe i mblodhi të gjithë profetët në malin Karmel. 21Atëherë Elia iu afrua mbarë popullit e tha: «Deri kur do të jeni të lëkundur sa andej-këtej? Nëse Zoti është Perëndia, atëherë shkoni pas tij. Nëse është Baali, ndiqni atë». Por populli nuk tha asnjë fjalë. 22Elia i tha popullit: «Nga profetët e Zotit kam mbetur vetëm unë, ndërsa profetët e Baalit janë katërqind e pesëdhjetë vetë. 23Na sillni dy mëzetër dhe profetët e Baalit të zgjedhin cilin të duan. Ta ndajnë mëzatin në copa dhe ta vënë mbi drurë, por pa i ndezur drutë. Unë do të përgatis mëzatin tjetër, do ta vë mbi drurë, pa i ndezur as unë. 24Ju do të thërrisni emrin e perëndisë suaj dhe unë do t'i thërras emrit të Zotit. Perëndia që do të përgjigjet me zjarr, ai do të jetë Perëndia i vërtetë». I gjithë populli u përgjigj: «Mirë ke thënë». 25Pastaj Elia u tha profetëve të Baalit: «Zgjidheni ju të parët mëzatin për ta bërë gati, sepse jeni më shumë. Më pas thirrni emrin e perëndisë suaj, pa i ndezur drutë». 26Kështu, ata morën mëzatin që u takoi dhe e bënë gati. Pastaj thirrën emrin e Baalit nga mëngjesi deri në mesditë e thoshin: «O Baal, dëgjona!». Por nuk u dëgjua asnjë zë dhe askush nuk u përgjigj. Por ata ende kërcenin rrotull altarit që kishin ndërtuar. 27Në mesditë Elia filloi të tallet me profetët e Baalit e t'u thoshte: «Thirrni më fort, se ai është perëndi e ka shumë mendime në kokë. Mund të ketë shkuar gjëkundi ose ndoshta e ka zënë gjumi, prandaj zgjojeni». 28Ata thirrën edhe më fort dhe, sipas zakonit që kishin, filluan të priteshin me shpata e me shigjeta, aq sa kulluan gjak. 29Pasi kaloi mesdita, ata filluan të profetizonin, derisa erdhi koha e kushtimit të flisë, por nuk u dëgjua asnjë zë, nuk u përgjigj askush e askush nuk u vuri vesh.
30Atëherë Elia i tha mbarë popullit: «Afrohuni tek unë». I gjithë populli u afrua dhe Elia filloi të ndreqte altarin e Zotit që ishte rrënuar. 31Ai mori dymbëdhjetë gurë, sipas numrit të fiseve të bijve të Jakobit, të cilit Zoti i kishte thënë: «Ti do të quhesh Izrael». 32Me gurët ndërtoi altarin për nder të emrit të Zotit dhe përreth altarit hapi një vijë kulluese të gjerë sa për të mbajtur rreth tridhjetë litra. 33Pastaj rregulloi drutë, preu mëzatin në copa, i vendosi copat mbi drurë 34e tha: «Mbushni katër shtamba me ujë e derdhini mbi flinë e shkrumbimit dhe mbi drutë». Më pas tha: «Bëjeni edhe një herë». Ata bënë siç u tha. E u tha përsëri: «Bëjeni për të tretën herë». Ata derdhën ujë për të tretën herë. 35Uji rrodhi rreth e rrotull altarit dhe vija e kullimit u mbush plot.
36Kur erdhi koha e kushtimit të flisë, profeti Eli iu afrua altarit e tha: «O Zot, Perëndi i Abrahamit, Isakut e Izraelit, le ta marrin vesh të gjithë sot se ti je Perëndia në Izrael, se unë jam shërbëtori yt dhe se të gjitha këto gjëra i kam bërë me urdhrin tënd. 37Përgjigjmu, o Zot, përgjigjmu, që ky popull ta kuptojë se ti, o Zot, je Perëndia dhe se ti do t'ua kthesh sërish zemrën drejt teje». 38Atëherë ra zjarri i Zotit dhe përpiu flinë e shkrumbimit me gjithë drutë, gurët e dheun. Madje, përlau edhe ujin në vijën e kullimit. 39Kur e pa këtë, mbarë populli ra përmbys me fytyrë përtokë e tha: «Zoti është Perëndia! Zoti është Perëndia!». 40Atëherë Elia u tha: «Kapini profetët e Baalit dhe të mos ju shpëtojë asnjëri». Ata i kapën dhe Elia i çoi në përroin e Kishonit, ku i vrau të gjithë.
Fundi i thatësirës
41Pastaj Elia i tha Ahabit: «Shko të hash e të pish, sepse po dëgjohet ushtima e një shiu të madh». 42Ahabi shkoi për të ngrënë e për të pirë, ndërsa Elia u ngjit në majë të malit Karmel, u ul përtokë me fytyrën mes gjunjëve 43e i tha shërbëtorit të tij: «Ngjitu lart e shiko nga ana e detit». Ai u ngjit, pa e i tha: «Nuk shoh gjë». Atëherë Elia i tha: «Kthehu shtatë herë». 44Herën e shtatë ai i tha: «Shoh një re të vogël sa pëllëmba e njeriut që po vjen nga deti». Atëherë Elia i tha: «Shko e thuaji Ahabit: “Shaloji kuajt e zbrit nga mali, që mos të të zërë shiu”». 45Pas pak qielli u nxi nga retë e nga era dhe filloi të binte shi me rrëmbim. Ahabi hipi në karrocë dhe u nis për në Izrel. 46Dora e Zotit ishte me Elinë. Elia ngjeshi brezin, vrapoi para karrocës së Ahabit e mbërriti në Izrel.

Currently Selected:

1 Mbretërve 18: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in