YouVersion Logo
Search Icon

1 Mbretërve 10

10
Mbretëresha e Shebës
1Mbretëresha e Shebës kishte dëgjuar për emrin që kishte fituar Solomoni në saje të emrit të Zotit dhe erdhi për ta vënë në provë me pyetje të vështira. 2Ajo mbërriti në Jerusalem me një shpurë të madhe, me deve të ngarkuara me erëra të mira, me shumë ar e me gurë të çmuar dhe shkoi te Solomoni e bisedoi me të për gjithçka që kishte në zemër. 3Solomoni iu përgjigj të gjitha pyetjeve dhe asnjë nga pyetjet nuk ishte e panjohur për mbretin, që të mos i jepte përgjigje. 4Kur mbretëresha e Shebës pa gjithë urtinë e Solomonit, pallatin mbretëror, që ai kishte ndërtuar, 5gjellët që shtroheshin në tryezën e tij, banesat e zyrtarëve të tij, fisnikërinë e shërbëtorëve të tij, veshjet e kupëmbajtësve të tij dhe flitë e shkrumbimit, që ai kushtonte në tempullin e Zotit, mbeti pa fjalë.
6Atëherë ajo i tha mbretit: «Paskan qenë të vërteta fjalët që kisha dëgjuar në vendin tim për ty, për veprat e tua dhe për urtinë tënde. 7Nuk u besoja fjalëve derisa erdha dhe e pashë me sytë e mi. Po shoh se nuk më paskan thënë as gjysmën. Urtia dhe pasuria jote është më e madhe nga ç'kisha dëgjuar unë. 8Lum njerëzit e tu e lum shërbëtorët e tu që gjenden përherë pranë teje e që dëgjojnë urtinë tënde. 9Bekuar qoftë Zoti, Perëndia yt, që të ka për zemër e të ka vënë në fronin e Izraelit. Zoti e do Izraelin në amshim, prandaj të caktoi mbret, që të gjykosh drejt e të bësh drejtësi». 10Ajo i dhuroi mbretit tre tonë e gjysmë ar, erëra të mira me shumicë dhe gurë të çmuar. Në Izrael nuk solli më njeri kurrë aq shumë erëra të mira sa i dha mbretëresha e Shebës mbretit Solomon.
11Anijet e Hiramit, që kishin sjellë ar nga Ofiri, sollën prej andej edhe dru rrëshinorë me shumicë dhe gurë të çmuar. 12Me drurët rrëshinorë mbreti bëri trarë mbështetës për tempullin e Zotit dhe për pallatin mbretëror, qeste dhe harpa për këngëtarët. Drurë të tillë rrëshinorë nuk janë sjellë e nuk janë parë më në Izrael deri sot e kësaj dite.
13Mbreti Solomon, përveç dhuratave mbretërore, i dha mbretëreshës së Shebës gjithçka që ajo kishte dëshiruar e kërkuar. Pastaj ajo bashkë me shërbëtorët u nis për t'u kthyer në vendin e saj.
Pasuria e Solomonit
14Pesha e arit, që i vinte çdo vit Solomonit, ishte njëzet tonë, 15përveç arit që mblidhej nga tagrat për hyrjen e mallrave në vend, nga tregtia, nga të gjithë mbretërit e Arabisë dhe nga qeveritarët e vendit. 16Mbreti Solomon farkëtoi dyqind shqyte prej ari me nga gjashtë kilogramë ar secila 17dhe treqind shqyte të tjera, po prej ari të rrahur, me nga një kilogram e gjysmë ar secila. Mbreti i vuri shqytet në pallatin e quajtur «Pylli i Libanit». 18Mbreti Solomon bëri edhe një fron të madh fildishi dhe e veshi me ar të pastër. 19Froni kishte gjashtë shkallë dhe shpinëzën e kishte me majë të rrumbullakët. Në të dyja anët e fronit kishte mbështetëse për krahët dhe në anë të mbështetëseve gjendej nga një luan i gdhendur. 20Në gjashtë shkallët e fronit kishte dymbëdhjetë luanë të gdhendur. Një fron i tillë nuk ishte ndërtuar në asnjë mbretëri. 21Të gjitha kupat, me të cilat pinte mbreti Solomon, ishin prej ari. Edhe enët e pallatit «Pylli i Libanit» ishin prej ari të pastër. Asgjë nuk ishte prej argjendi. Në ditët e mbretit Solomon argjendi nuk kishte asnjë vlerë. 22Mbreti Solomon kishte në det anijet e Tarshishit bashkë me flotën e Hiramit dhe një herë në tre vjet ato ktheheshin e sillnin ar, argjend, fildish, majmunë dhe pallonj.
23Kështu, mbreti Solomon u bë mbreti më i pasur e më i urtë ndër gjithë mbretërit e tokës. 24Mbarë bota dëshironte ta shihte Solomonin, për të dëgjuar urtinë që i kishte vënë në zemër Perëndia. 25Të gjithë i sillnin dhurata, sende argjendi e ari, veshje, armë, erëra të mira, kuaj e mushka dhe kjo ndodhte çdo vit.
26Solomoni mblodhi edhe karroca e kalorës. Ai kishte një mijë e katërqind karroca lufte dhe dymbëdhjetë mijë kalorës. Disa kalorës i mbajti pranë vetes në Jerusalem, ndërsa të tjerët i shpërndau nëpër qytetet ku rrinin karrocat. 27Mbreti ia kishte dalë ta bënte në Jerusalem argjendin të begatë sa gurin. Druri i cedrit, po ashtu, gjendej me shumicë sa fiku që rritej në Shefelah. 28Solomonit ia sillnin kuajt nga Egjipti dhe Keveja. Vetë tregtarët e mbretit i blinin kuajt në Keve. 29Karrocat e luftës që vinin nga Egjipti kushtonin gjashtëqind sikla argjendi secila, ndërsa një kalë njëqind e pesëdhjetë. Ata u shisnin karroca e kuaj edhe të gjithë mbretërve të hititëve e mbretërve të Aramit.

Currently Selected:

1 Mbretërve 10: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy