YouVersion Logo
Search Icon

1 Ezra 6

6
Rifillimi i punimeve
1Në vitin e dytë të mbretërimit të Darit, Hagai dhe Zakaria, biri i Idoit, u profetizuan judenjve, që banonin në Jude dhe në Jerusalem, në emër të Zotit, Perëndisë së Izraelit, që ishte me ta. 2Atëherë u ngritën Zorobabeli, biri i Salatielit, dhe Jozuehu, biri i Jocadakut, dhe filluan të ndërtojnë tempullin e Zotit në Jerusalem, me mbështetjen e profetëve të Zotit, që i ndihmonin. 3Por, në atë kohë erdhën tek ata Sisini, qeveritari i Sirisë dhe Fenikës, Shetarboznai dhe bashkëpunëtorët e tyre e u thanë: 4«Kush ju dha urdhër ta ndërtoni këtë tempull dhe të bëni meremetimet e kësaj çatije dhe të gjithçkaje tjetër? Kush janë ata që po i kryejnë këto punime?». 5Por mbi pleqësinë e Judës ishin sytë e Zotit, i cili kujdesej për të kthyerit nga robëria. 6Punimet nuk u ndalën, derisa lajmi për ta të shkonte tek Dari e të vinte përgjigjja.
7Ja letra që i shkruan e i dërguan Darit Sisini, qeveritari i Sirisë dhe Fenikës, Shetarboznai dhe bashkëpunëtorët e tyre, zyrtarë në Siri dhe në Fenikë: 8«Mbretit Dar, paqe! Le t'i bëhet me dije zotërisë, mbretit, se kemi shkuar në krahinën e Judesë dhe, kur mbërritëm në qytetin e Jerusalemit, i gjetëm të kthyerit nga robëria, pleqtë e Judës në qytetin e Jerusalemit, duke ndërtuar një tempull të ri për Zotin e madh me gurë të gdhendur dhe me dru të shtrenjtë nëpër mure. 9Këto punime po bëhen me shpejtësi, po ecin mirë prej mjeshtërisë së tyre dhe po kryhen bukur e me kujdes. 10Ne e pyetëm pleqësinë e tyre e u thamë: “Kush ju dha urdhër ta ndërtoni këtë tempull e të bëni këto meremetime?”. 11U kërkuam edhe emrat për të t'i njoftuar me shkrim drejtuesit e tyre dhe u kërkuam listën e emrave të prijësve të tyre. 12Ata na u përgjigjën: “Ne jemi shërbëtorë të Zotit, që krijoi qiellin dhe tokën. 13Ky tempull është ndërtuar dhe është përfunduar para shumë kohësh prej një mbreti të madh e të fuqishëm të Izraelit. 14Por, ngaqë etërit tanë mëkatuan dhe hidhëruan Zotin e Izraelit, qiellorin, ai i dorëzoi te Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, mbreti i kaldenjve. 15Ata i vunë flakën dhe e shkatërruan këtë tempull, ndërsa popullin e degdisën në Babiloni. 16Megjithatë, në vitin e parë të mbretërimit të Kirit të Babilonisë, vetë mbreti Kir shkroi një vendim për ta ndërtuar këtë tempull. 17Për më tepër, enët e shenjta prej ari e prej argjendi, që mbreti Nabukodonosor i kishte marrë prej tempullit të Jerusalemit e i kishte vënë në tempullin e vet, mbreti Kir i mori prej tempullit të Babilonisë dhe ia dha Zorobabelit dhe Sheshbacarit, qeveritarit. 18Atij i dha urdhër t'i merrte ato enë e t'i vendoste në tempullin e Jerusalemit dhe që ky tempull i Zotit të ndërtohej në të njëjtin vend. 19Atëherë Sheshbacari erdhi e hodhi themelet i tempullit të Zotit në Jerusalem. Që prej asaj kohe e deri tani po ndërtohet, por nuk ka përfunduar ende”.
20Tani, nëse mbreti e gjykon të drejtë, le të bëhen kërkime në shkresat mbretërore të zotërisë, mbretit të Babilonisë, 21dhe nëse shihet se ndërtimi i tempullit të Zotit në Jerusalem bëhet me vendim të mbretit Kir, të na bëhet i ditur vendimi i mbretit për këto çështje».
22Atëherë mbreti Dar nxori një urdhëresë, që të bënin kërkime në shkresat mbretërore, që ndodheshin në Babiloni. Në fortesën e Ekbatanës, në krahinën e Medës, u gjet një libër, në të cilin ishte shkruar ky shënim: 23«Në vitin e parë të mbretërimit të Kirit, mbreti Kir nxori këtë vendim për ndërtimin e tempullit të Zotit në Jerusalem në vendin ku kushtohet flija me zjarr të përhershëm. 24Lartësia e tempullit të jetë tridhjetë metra dhe gjerësia tridhjetë metra. Për çdo tri radhë gurësh të gdhendur, të ketë një radhë me dru të ri. Shpenzimet të paguhen nga pallati mbretëror i mbretit Kir. 25Për më tepër, enët e shenjta të tempullit të Zotit, ato prej ari dhe argjendi, që mori Nabukodonosori në Babiloni prej tempullit të Jerusalemit, të kthehen sërish në vendin e tyre në tempullin e Jerusalemit dhe të vendosen atje».
26Mandej urdhëroi Sisinin, qeveritarin e Sirisë dhe Fenikës, Shetarboznain, bashkëpunëtorët e tyre dhe zyrtarët e Sirisë dhe Fenikës të rrijnë larg atij vendi dhe ta lejojnë Zorobabelin, shërbëtorin e Zotit, qeveritarin e Judesë, dhe pleqësinë e judenjve të ndërtonin tempullin e Zotit në vendin e vet: 27«Kam dhënë urdhër të përfundojë ndërtimi dhe, derisa të mbarojë ndërtimi i tempullit të Zotit, të përpiqeni edhe ju t'i ndihmoni judenjtë e kthyer nga robëria. 28Nga tagrat e Sirisë së Madhe dhe të Fenikës t'i jepet rregullisht një sasi të ardhurash qeveritarit Zorobabel për dema, desh e qengja, që këta njerëz t'i kushtojnë fli Zotit. 29Po ashtu, t'i jepet çdo vit në mënyrë të vazhdueshme dhe pa ngurrim grurë, kripë, verë e vaj, sipas kërkesave të përditshme të priftërinjve të Jerusalemit, 30që t'i kushtohen fli të këndshme Perëndisë së tejlartë për mbretin e për fëmijët e tij dhe që të luten për jetën e tyre». 31Mbreti Dar dha urdhër që, nëse dikush e shkel apo e shfuqizon këtë urdhëresë të shkruar, të hiqet një tra nga shtëpia e tij, ai të varet në të dhe pasuritë e tij t'i kalojnë mbretërisë. 32«Prandaj, Zoti, që e ka caktuar atë vend për t'u thirrur emri i tij, shkatërroftë çdo mbret e komb, që do ta shtrijë dorën për të dhunuar apo shkatërruar këtë tempull të Zotit në Jerusalem. 33Këtë urdhëresë e lëshova unë, mbreti Dar. Le të zbatohet me përpikëri».

Currently Selected:

1 Ezra 6: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in