1 Kronikave 23
23
Detyrat e levitëve
1Davidi, i plakur e i nginjur me ditë, e vuri Solomonin, birin e tij, mbret mbi Izraelin. 2Ai mblodhi të gjithë prijësit e Izraelit, priftërinjtë e levitët. 3Levitët mbi tridhjetë vjeç u numëruan një për një dhe numri i tyre ishte tridhjetë e tetë mijë. 4Njëzet e katër mijë prej tyre drejtonin punimet në tempullin e Zotit, gjashtë mijë ishin kryepunëtorë e gjykatës, 5katër mijë derëtarë dhe katër mijë këngëtarë lavdesh për Zotin, me të gjitha veglat që i kishte bërë Davidi për përlëvdim. 6Davidi i ndau bijtë e Levit në këto rende: Gershonin, Kohatin e Merarin.
7Bijtë e Gershonit ishin Ladani e Shimei. 8Bijtë e Ladanit, Jehieli, i pari, Zetami e Joeli. Gjithsej tre. 9Bijtë e Shimeit, Shelomoti, Hazieli e Harani. Gjithsej tre. Këta qenë krerët e fiseve të Ladanit. 10Bijtë e Shimeit ishin Jahati, Zinai, Jeushi e Berjahu. Këta të katërt qenë bijtë e Shimeit. 11Jahati ishte i pari, ndërsa Zizai i dyti. Jeushi e Berjahu nuk patën shumë fëmijë, prandaj mbetën një shtëpi e një rend.
12Bijtë e Kohatit ishin Amrami, Ichari, Hebroni e Uzieli. Gjithsej katër. 13Bijtë e Amramit, Aroni e Moisiu. Aroni u veçua për të kushtuar më të shenjtat, ai e bijtë e tij përgjithmonë, për të kushtuar temjan para Zotit, për t'i shërbyer atij e për të dhënë bekime në emrin e tij përgjithmonë. 14Bijtë e Moisiut, njeriut të Perëndisë, u numëruan me fisin e Levit. 15Bijtë e Moisiut ishin Gershomi dhe Eliezeri. 16Bijtë e Gershomit, Shebueli, i pari. 17Bijtë e Eliezerit, Rehabiahu, i pari. Eliezeri nuk pati bij të tjerë, por Rehabiahu pati shumë bij. 18Bijtë e Icharit, Shelomoti, i pari. 19Bijtë e Hebronit, Jeriahu, i pari, Amarjahu, i dyti, Jahazieli, i treti e Jekameami, i katërti. 20Bijtë e Uzielit, Mikahu, i pari, e Ishjahu, i dyti.
21Bijtë e Merarit ishin Mahliu dhe Mushiu. Bijtë e Mahliut, Eleazari e Kishi. 22Eleazari vdiq pa lënë bij, por vetëm bija. Kushërinjtë e tyre, bijtë i Kishit, u martuan me to. 23Bijtë e Mushiut ishin Mahliu, Ederi e Jeremoti. Gjithsej tre.
24Këta qenë bijtë e Levit sipas fiseve të tyre, krerët e fiseve sipas numërimit me emër, një për një, mbi njëzet vjeç, të caktuar për të shërbyer në tempullin e Zotit. 25Davidi kishte thënë: «Zoti, Perëndia i Izraelit, i dha prehje popullit të vet dhe ai banon përgjithmonë në Jerusalem. 26As levitët nuk duhet ta bartin më tendën dhe të gjitha pajisjet për shërbesën në të». 27Sipas fjalëve të fundit të Davidit, numërimi i bijve të Levit u bë nga njëzet vjeç e sipër. 28Ata kishin për detyrë të ndihmonin bijtë e Aronit në shërbesën e tempullit të Zotit, nëpër treme, nëpër qilarë, për pastrimin e të gjitha sendeve të shenjta dhe për çfarëdo pune në tempullin e Perëndisë, 29për bukën e kushtimit, për miellin e flisë së drithit, për pitet, për të ndormet, për të pjekurat, për të përzierat dhe për të gjitha peshat e masat. 30Duhej të paraqiteshin çdo mëngjes e çdo mbrëmje për të falënderuar e lavdëruar Zotin, 31si edhe për të gjitha flitë e shkrumbimit që i kushtoheshin Zotit të shtunave, për hënat e reja dhe për të kremtet, sipas numrit që u ishte caktuar për të qëndruar gjithmonë para Zotit. 32Duhej të kryenin edhe detyrat e tendës së takimit e të shenjtërores, si edhe detyrat kundrejt bijve të Aronit, vëllezërve të tyre, për shërbesën e tempullit të Zotit.
Currently Selected:
1 Kronikave 23: AL1
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020