YouVersion Logo
Search Icon

1 Kronikave 18

18
Davidi fiton mbi armiqtë
1Pas kësaj Davidi i mundi filistinët, i nënshtroi dhe mori Gatin me fshatra. 2Pastaj mundi Moabin dhe moabitët u bënë skllevër të Davidit, të cilit i jepnin tagrin. 3Davidi mundi edhe Hadadezerin, mbretin e Cobah Hamatit, kur ai po shkonte për të ngritur një përmendore për vete pranë lumit Eufrat 4dhe i mori një mijë karroca, shtatë mijë kalorës dhe njëzet mijë këmbësorë. Davidi u theu kërcinjtë të gjithë kuajve, përveç atyre që iu deshën për njëqind karroca. 5Arameasit e Damaskut i erdhën në ndihmë Hadadezerit, mbretit të Cobahut, por Davidi vrau njëzet e dy mijë arameas. 6Pastaj Davidi vendosi një njësi në Aram të Damaskut. Arameasit iu nënshtruan Davidit dhe i jepnin tagrin. Zoti e shpëtonte Davidin ngado që shkonte. 7Davidi mori parzmoret e arta të shërbëtorëve të Hadadezerit dhe i çoi në Jerusalem. 8Edhe nga Tibhati e nga Kuni, qytete të Hadadezerit, mori një sasi të madhe bronzi, me të cilin Solomoni bëri detin prej bronzi, shtyllat dhe enët e bronzta.
9Kur Toiu, mbreti i Hamatit, dëgjoi se Davidi e kishte mundur tërë ushtrinë e Hadadezerit, mbretit të Cobahut, 10dërgoi te Davidi birin e tij, Hadoramin, për ta përshëndetur e për ta bekuar, sepse i kishte shpallur luftë Hadadezerit dhe e kishte mundur. Hadadezeri ishte në luftë me Toiun. Ai i dërgoi edhe enë ari, argjendi e bronzi. 11Mbreti David ia kushtoi Zotit edhe ato, bashkë me argjendin e arin që kishte marrë prej të gjitha kombeve, prej edomitëve, moabitëve, amonitëve, filistinëve e amalekitëve.
12Abishai, biri i Cerujahut, shpartalloi tetëmbëdhjetë mijë edomitë në luginën e Kripës. 13Ai vendosi njësi në Edom dhe të gjithë edomitët iu nënshtruan Davidit. Zoti e shpëtonte Davidin ngado që shkonte.
Zyrtarët e Davidit
14Davidi mbretëroi mbi mbarë Izraelin dhe veproi drejt e me drejtësi me mbarë popullin e vet. 15Joabi, biri i Cerujahut, ishte në krye të ushtrisë. Joshafati, biri i Ahiludit, ishte shkresari. 16Cadoku, biri i Ahitubit, e Abimeleku, biri i Abiatarit, ishin priftërinj, ndërsa Shavshai ishte shkruesi. 17Benajahu, biri i Jehojadait, ishte kreu i keretitëve e peletitëve, ndërsa bijtë e Davidit ishin të parët përkrah mbretit.

Currently Selected:

1 Kronikave 18: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in