Zanafilla 16
16
Hagara dhe Ishmaeli
1Saraja, gruaja e Abramit, nuk i kishte dhënë fëmijë. Ajo kishte një skllave egjiptiane që quhej Hagarë. 2Atëherë Saraja i tha Abramit: «Ja, Zoti më ka bërë beronjë. Fli me skllaven time e ndoshta prej saj do të kem fëmijë#16.2 he. do të ndërtohem». Abrami ia dëgjoi fjalën Sarajës. 3Dhjetë vjet pasi Abrami banoi në tokën e Kanaanit, Saraja, gruaja e Abramit, mori Hagarën, skllaven e saj egjiptiane e ia dha për grua Abramit, burrit të saj. 4Ai fjeti me Hagarën e ajo mbeti shtatzënë. Kur pa se kishte mbetur shtatzënë, ajo filloi ta shpërfillte zonjën e saj. 5Atëherë Saraja i tha Abramit: «Ti je përgjegjës për këtë fyerje. Isha unë ajo që ta lëshova në krahët e tu skllaven time e kur ajo pa që mbeti shtatzënë filloi të më shpërfillë. Zoti gjykoftë mes meje e teje!». 6Por Abrami i tha Sarajës: «Ja ku e ke skllaven tënde. Bëj me të si të duash». Atëherë Saraja u soll ashpër me Hagarën e ajo iku prej saj.
7Engjëlli i Zotit e gjeti Hagarën pranë një burimi në shkretëtirë, te burimi udhës për në Shur. 8Ai i tha: «Hagarë, skllavja e Sarajës, nga po vjen e ku po shkon?». Ajo u përgjigj: «Po largohem nga zonja ime, Saraja». 9Engjëlli i Zotit i tha: «Kthehu te zonja jote e nënshtroju asaj». 10E i tha: «Do t'i shumoj pasardhësit e tu aq shumë saqë nuk do të mund të numërohen». 11Engjëlli i Zotit i tha:
«Ja, ti je shtatzënë, do të lindësh djalë
e do ta quash Ishmael,
se Zoti e dëgjoi vuajtjen tënde.
12Ai do te jetë si gomar i egër mes njerëzve.
Dora e tij do të jetë kundër të gjithëve
e dora e të gjithëve kundër tij.
E do të jetojë në kundërshti#16.12 ose: kundruall me vëllezërit e tij».
13Atëherë ajo thirri emrin e Zotit, që i foli, e tha: «Ti je Perëndia që këqyr, se këtu pashë me të vërtetë atë që këqyr». 14Prandaj edhe burimi quhet Ber Lahaj Roi e ndodhet mes Kadeshit e Beredit.
15Hagara i lindi Abramit një djalë dhe Abrami e quajti, djalin e lindur nga Hagara, Ishmael. 16Abrami ishte tetëdhjetë e gjashtë vjeç kur Hagara i lindi Ishmaelin.
Nu markerat:
Zanafilla 16: AL1
Märk
Dela
Kopiera
Vill du ha dina höjdpunkter sparade på alla dina enheter? Registrera dig eller logga in
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020