Filipianëve 2:12-30
Prandaj, fort të dashur, ashtu siç jeni bindur gjithmonë, jo vetëm kur isha mes jush, por shumë më tepër tani që jam larg, punoni për shpëtimin tuaj me frikë e me dridhje, se është vetë Perëndia ai që ju jep vullnetin e forcën për të vepruar, ashtu siç i pëlqen atij. Bëni gjithçka pa murmuritur e pa u ankuar, që të jeni të paqortueshëm e të panjollë, bij të Perëndisë, të patëmetë në mes të një breznie të shthurur e të çoroditur. Mes kësaj breznie ju ndriçoni si yjet në qiell, duke e mbajtur lart fjalën e jetës, që unë të kem me se të krenohem ditën e ardhjes së Krishtit, se nuk vrapova e as nuk u mundova më kot. Edhe nëse gjaku im do të derdhej si flijim mbi flinë kushtuese të besimit tuaj ndaj Perëndisë, do të gëzohem e do të ngazëllej bashkë me të gjithë ju. Po ashtu edhe ju gëzohuni e ngazëllohuni bashkë me mua. Shpresoj se me ndihmën e Zotit Jezu do t'ju dërgoj së shpejti Timoteun, që të marr edhe unë zemër kur të kem lajme prej jush. Përveç tij, nuk kam asnjë tjetër që të jetë në një mendje me mua e që të kujdeset sinqerisht për mirëqenien tuaj. Sepse të gjithë shohin interesin e vet dhe jo atë të Jezu Krishtit. Ju e dini sesa i sprovuar është treguar Timoteu. Ai ka shërbyer bashkë me mua për përhapjen e ungjillit dhe më ka ndihmuar si biri ndihmon të atin. Kështu, shpresoj t'jua dërgoj sapo të shoh si do të shkojnë punët me mua. Por jam i bindur se Zoti do të më ndihmojë, që edhe unë vetë të vij së shpejti. M'u duk e nevojshme t'ju dërgoj Epafroditin, vëllanë, bashkëpunëtorin e bashkëluftëtarin tim, që e kishit dërguar për të më shërbyer mua. Ai kishte shumë mall për ju të gjithë dhe u shqetësua kur mori vesh se ju kishit dëgjuar për sëmundjen e tij. Është e vërtetë që ai u sëmur për vdekje, por Perëndia pati mëshirë për të dhe jo vetëm për të, por edhe për mua, që të mos hidhërohesha edhe më shumë. Prandaj e dërgova me ngut që ju të gëzoheni kur ta shihni përsëri dhe unë të jem më pak i brengosur. Priteni, pra, me plot gëzim në Zotin dhe nderojini njerëz të tillë si ai, sepse për veprën e Krishtit ai për pak sa s'vdiq dhe vuri në rrezik jetën e vet për të plotësuar ndihmën që ju nuk mund të ma jepnit.
Filipianëve 2:12-30