Gjoni 1:1-17
Në fillim ishte Fjala. Fjala ishte me Perëndinë. Fjala ishte Perëndi. Fjala ishte që në fillim me Perëndinë. Gjithçka u bë nëpërmjet tij dhe asgjë e krijuar nuk u bë pa të. Në të gjendej jeta dhe jeta ishte drita e njerëzve. Drita ndriçon në errësirë dhe errësira nuk e mundi dot. Perëndia dërgoi një njeri që quhej Gjon. Ai erdhi të jepte dëshmi për dritën, që të gjithë të besojnë nëpërmjet tij. Ai nuk ishte drita, por dëshmitar i dritës. Fjala ishte drita e vërtetë, e cila vjen në botë dhe ndriçon çdo njeri. Ai ishte në botë dhe bota u bë nëpërmjet tij, por bota nuk e njohu. Ai erdhi te të vetët, por të vetët nuk e pranuan. Atyre që e pranuan dhe besuan në emrin e tij, u dha të drejtën të bëhen bij të Perëndisë. Ata nuk lindën prej gjakut, as prej vullnetit njerëzor a prej dëshirës së burrit, por prej Perëndisë. Dhe Fjala u mishërua e banoi mes nesh. Ne e pamë lavdinë e tij, lavdi e Birit të vetëmlindur të Atit, plot hir e të vërtetë. Gjoni dëshmoi për të. Ai tha me zë të lartë: «Ky është ai për të cilin thashë: ai që vjen pas meje është më i madh se unë, sepse ishte para meje». Ne të gjithë morëm hir mbi hir prej plotësisë së tij. Ligji u dha përmes Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën përmes Jezu Krishtit.
Gjoni 1:1-17