Hebrenjve 11:1-40
Besimi është siguria për gjërat që shpresohen dhe njohja e gjërave që nuk shihen. Nëpërmjet tij të parët tanë morën dëshminë e mirë. Me anë të besimit, kuptojmë se gjithësia u krijua me fjalën e Perëndisë, në mënyrë të tillë që gjërat që shohim u bënë nga ato që nuk i shohim. Me anë të besimit, Abeli i kushtoi Perëndisë flijim më të mirë se Kaini. Falë besimit, ai mori dëshminë se ishte i drejtë kur Perëndia pranoi dhuratat dhe ndonëse ka vdekur, ai vazhdon të na flasë. Me anë të besimit, Enoku u mor lart nga Perëndia pa parë vdekje me sy dhe nuk u gjet më mbi tokë, sepse e kishte marrë lart Perëndia. Dëshmohet se, para se të merrej lart, ai i kishte pëlqyer Perëndisë. Pa besim është e pamundur t'i pëlqejë njeri Perëndisë, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se ka Perëndi dhe se Perëndia i shpërblen ata që e kërkojnë. Me anë të besimit, Noeu, kur u njoftua nga Perëndia për ato gjëra që nuk shiheshin ende, u bind dhe ndërtoi arkën për të shpëtuar ata të shtëpisë së tij. Nëpërmjet besimit, Noeu gjykoi botën dhe për shkak të besimit Perëndia e bëri trashëgimtar të drejtësisë. Me anë të besimit, Abrahami, kur e thirri Perëndia, u bind për të shkuar në vendin që do të merrte si trashëgim dhe u nis pa ditur ku po shkonte. Me anë të besimit, ai banoi në tokën e premtuar si në dhe të huaj, duke jetuar në tenda bashkë me Isakun dhe Jakobin, bashkëtrashëgimtarë të të njëjtit premtim. Sepse ai priste qytetin me themele të forta, arkitekt dhe ndërtues i të cilit do të ishte Perëndia. Me anë të besimit të Abrahamit, edhe Sara shterpë arriti të mbesë shtatzënë, ndonëse i kishte kaluar mosha, sepse Abrahami e dinte se ai që i kishte premtuar ishte besnik. Kështu, prej një njeriu të vetëm, edhe ky gati në të vdekur, lindën pasardhës të shumtë sa yjet e qiellit dhe sa rëra e panumërueshme e bregut të detit. Këta të gjithë vdiqën me besim, por pa i marrë premtimet e bëra. Ata vetëm i panë nga larg dhe i përshëndetën, duke pranuar se janë të huaj dhe kalimtarë mbi tokë. Ata që i thonë këto gjëra, tregojnë se kërkojnë atdhe. Po ta kishin mendjen tek atdheu që kishin lënë do të kishin gjetur kohë për t'u kthyer përsëri atje. Por tani ata dëshirojnë një atdhe më të mirë, domethënë një atdhe qiellor. Prandaj Perëndisë nuk i vjen turp të quhet Perëndia i tyre, sepse u kishte bërë gati një qytet. Me anë të besimit, Abrahami, kur u vu në provë, kushtoi si flijim Isakun. Ai që kishte marrë premtimet, kushtoi birin e tij të vetëm, ndonëse Perëndia i kishte thënë: nga Isaku do të rrjedhin pasardhësit e tu. Abrahami mendonte se Perëndia mund ta ngjallte prej të vdekurve dhe e mori, në njëfarë mënyre, Isakun prej të vdekurve. Me anë të besimit, Isaku bekoi Jakobin dhe Esaun për gjërat e ardhshme. Me anë të besimit, Jakobi, kur po vdiste, bekoi secilin nga bijtë e Jozefit dhe adhuroi Perëndinë, duke u mbështetur te shkopi i tij. Me anë të besimit, Jozefi, duke vdekur, përmendi daljen e bijve të Izraelit nga Egjipti dhe i porositi për eshtrat e tij. Me anë të besimit, prindërit e Moisiut e fshehën atë për tre muaj pas lindjes, sepse e panë se fëmija ishte i bukur dhe nuk u frikësuan nga urdhri i mbretit. Me anë të besimit, Moisiu, kur u rrit, nuk pranoi të quhej bir i bijës së faraonit. Ai zgjodhi që më mirë të vuante me popullin e Perëndisë, sesa të shijonte përkohësisht dëfrimet e mëkatit. Ai e çmoi përçmimin e ngjashëm me përçmimin që do të pësonte Krishti, si pasuri më të madhe se thesaret e Egjiptit, sepse i kishte drejtuar sytë nga shpërblimi. Me anë të besimit, Moisiu e la Egjiptin pa pasur frikë nga zemërimi i mbretit, sepse qëndroi i palëkundur duke parë të padukshmin. Me anë të besimit, ai kremtoi Pashkën dhe bëri spërkatjen me gjak, me qëllim që engjëlli shfarosës të mos i vriste fëmijët e parëlindur të Izraelit. Me anë të besimit, izraelitët kaluan detin e Kuq si të ecnin në tokë të thatë, ndërsa kur e provuan egjiptianët, u mbytën. Me anë të besimit, muret e Jerikosë ranë, pasi izraelitët u sollën rrotull tyre për shtatë ditë. Me anë të besimit, lavirja Rahabë nuk vdiq bashkë me të pabindurit, pasi ajo i kishte pritur zbuluesit paqësisht. Ç'të them më? Nuk do të më mjaftonte koha t'ju tregoja për Gideonin, Barakun, Samsonin, Jeftahun, Davidin, Samuelin dhe profetët, të cilët me anë të besimit mposhtën mbretër, vunë drejtësinë, fituan premtimet, ua zunë grykën luanëve, shuan fuqinë e zjarrit, shpëtuan nga tehu i shpatës, nga të dobët u bënë të fortë, u bënë të fuqishëm në luftë, thyen ushtritë e huaja. Me anë të besimit disa gra morën përsëri të vdekurit e tyre përmes ngjalljes, ndërsa të tjerë nuk e pranuan lirimin, por vuajtën tortura, që të fitonin një ngjallje më të mirë. Të tjerë hoqën poshtërime e fshikullima, madje edhe pranga e burgime. U vranë me gurë, u sharruan më dysh, u therën me tehun e shpatës dhe u endën veshur me lëkura delesh, me lëkura dhish, në skamje, në hidhërime e në keqtrajtime. Bota nuk ishte e denjë për ta, prandaj ata endeshin nëpër shkretëtira, nëpër male, nëpër shpella e nëpër vrimat e dheut. Të gjithë këta, megjithëse e morën dëshminë e mirë me anë të besimit, nuk e fituan premtimin e Perëndisë. Sepse Perëndia kishte parashikuar diçka më të mirë për ne, që ata të mos arrinin në përsosje pa ne.
Hebrenjve 11:1-40