Veprat 2:38-47
Pjetri u tha: «Pendohuni e pagëzohuni secili në emrin e Jezu Krishtit, që t'ju falen mëkatet. Kështu do të merrni dhuratën e Shpirtit të shenjtë. Se premtimi është për ju, për bijtë tuaj e për të gjithë ata që janë larg, për këdo që Zoti, Perëndia ynë, e thërret te vetja». Pjetri dëshmoi edhe me shumë fjalë të tjera dhe i porositi: «Shpëtoni veten nga kjo brezni e mbrapshtë». Ata që e pranuan fjalën e tij, u pagëzuan dhe atë ditë u shtuan rreth tre mijë veta. Ata i ishin përkushtuar mësimit të apostujve, bashkësisë me njëri-tjetrin, thyerjes së bukës e lutjeve. Të gjithë i zuri frika, sepse apostujt bënin shumë mrekulli e shenja. Të gjithë besimtarët ishin të bashkuar dhe kishin gjithçka të përbashkët. Ata shisnin pasuritë dhe pronat e ua ndanin të gjithëve, sipas nevojës që kishte secili. Çdo ditë, pasi rrinin bashkë në tempull, thyenin bukën në shtëpi dhe hanin ushqim me zemër të gëzuar e të çiltër. Ata lavdëronin Perëndinë dhe populli i kishte për zemër. Zoti u shtonte atyre çdo ditë ata që shpëtoheshin.
Veprat 2:38-47