Stinët e zemrësShembull

Duke u gëzuar me shenjtorët në gëzimet e tyre
Gëzohuni me ata që gëzohen. - Romakëve 12:15
Le të gëzohemi me shenjtorët në gjithë gëzimin e tyre, sepse ky është një kanal në të cilin duhet të rrjedhë dashuria jonë ndaj tyre. Ashtu siç duhet të qajmë me ata që qajnë, po kështu, duhet edhe të gëzohemi me ata që gëzohen. Nëse një anëtar është i gëzuar, pjesa tjetër duhet të gëzohet me të (Rom. 12:15; 1 Kor. 12:26). Nëse vëllezërit tanë rriten në hir, dhunti, nder dhe dobi, ne nuk i duam ata nëse nuk gëzohemi me ta. Dhe në këtë detyrë dashurie, të gëzohemi me ta, ashtu siç është e ndaluar çdo zili dhe fjalë e keqe kundër tyre, kështu edhe është urdhëruar çdo gëzim në dashurinë e brendshme dhe shprehjet e jashtme.
Ne nuk duhet në asnjë mënyrë të zemërohemi dhe t’i kemi zili vëllezërit tanë kur ata ngrihen në hir, dhunti dhe dobishmëri, në gëzim dhe nderim. Aspak, edhe pse ata janë pranë nesh dhe ne mund të mendojmë se dhuntitë tonat janë eklipsuar disi në këtë mënyrë. Oh, sa egoistë të pafytyrë jemi kur kemi frikë se vëllezërit tanë do të shkëlqejnë më shumë se ne. Dhe për këtë arsye ne i injorojmë ata në zemrat tona. U flasim në mënyrë shpërfillëse ose ndoshta me qortim, dhe u nxjerrim në pah gabimet për të mbuluar kështu virtytet e tyre, që të mund të ngrihemi nga rrënimi i tyre! Kush jemi ne që vëllezërit tanë nuk duhet të jenë asgjë në mënyrë që ne të dukemi - të jemi dikushi! A nuk është kjo vrasje e shkallës më të lartë? A nuk është si mëkati i djajve? A nuk është duke thënë në zemrat tona: "Unë do të ngjitem në qiell, do të ngre fronin tim përmbi yjet e Perëndisë; do të jem i ngjashëm me Shumë të Lartin”? Po, a nuk po thotë "Unë jam Zoti dhe nuk ka asnjë tjetër"? Dhe ah, çfarë ferri meriton ky mëkat! Dhe çfarë vdekjeje i kushtoi Zotit tonë të dashur për të na shpëtuar prej tij! Që të mos jetojë dhe të mbretërojë në trupat tanë të vdekshëm, që të mos i bindemi në epshet e tij! Që askush të mos ketë arsye të thotë se ne nuk flasim mirë për askënd, përveç vetes! Prandaj, nëse e duam Perëndinë dhe lavdinë e Tij, vëllezërit tanë dhe lumturinë e tyre—po, veten dhe lumturinë tonë - le të gëzohemi me shenjtorët në gjithë gëzimin e tyre.
Anne Dutton
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

Një vit devocionesh nga një brez grash në tjetrin
More
Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://www.ngaburimiijetes.al