Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ruthi 4:9-17

Ruthi 4:9-17 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Boazi u tha pleqve dhe të gjithë popullit që ishte aty: «Sot jeni dëshmitarë se unë po blej nga dora e Naomit gjithçka që i përkiste Elimelekut dhe gjithçka që i përkiste Kilionit e Mahlonit. Po ashtu sot jeni dëshmitarë se po marr për grua Rutën nga Moabi, të venë e Mahlonit, për të mbajtur gjallë emrin e të ndjerit mbi trashëgiminë e tij, që emri i të ndjerit të mos shuhet mes emrave të të vëllezërve dhe mes banorëve të qytetit». Pleqtë dhe të gjithë ata që ishin te portat e qytetit thanë: «Jemi dëshmitarë. Gruan që do të hyjë në shtëpinë tënde ZOTI e bëftë si Rakelën dhe si Lean, që e mbushën me pasardhës shtëpinë e Izraelit. U pasurofsh në Efratë dhe emri yt qoftë i njohur në Betlehem! Nga pasardhësi që do të të japë ZOTI prej kësaj gruaje, u bëftë shtëpia jote si shtëpia e Perecit që i lindi Judës nga Tamara!». Atëherë Boazi e mori Rutën për grua dhe fjeti me të. ZOTI e bekoi Rutën. Ajo mbeti shtatzënë dhe lindi djalë. Gratë e qytetit i thanë Naomit: «I bekuar qoftë ZOTI, se nuk të la sot pa trashëgimtar që t'i kujtohet emri në Izrael. Ai do të ta gjallërojë shpirtin dhe do të të mbajë në pleqëri, sepse ta lindi e reja që të do aq shumë dhe që është më e mirë për ty se shtatë djem». Naomi e mori djalin, e vuri në prehër dhe u kujdes për ta rritur. Fqinjat e Naomit thanë: «Naomi u bë me djalë». Prandaj dhe i vunë emrin Obed. Ai është i ati i Jeseut, që është i ati i Davidit.

Ruthi 4:9-17 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Atëherë Boazi u tha pleqve dhe tërë popullit: "Ju sot jeni dëshmitarë që unë bleva sot në duart e Naomit të gjitha ato që ishin pronë e Elimelekut, të Kilionit dhe të Mahlonit. Gjithashtu bleva për grua Ruthin, moabiten, bashkëshorten e Mahlonit, për ta ringjallur emrin e të ndjerit në trashëgiminë e tij, me qëllim që emri i të ndjerit të mos shuhet midis vëllezërve të tij dhe në portën e qytetit të tij. Ju sot jeni dëshmitarë të këtij fakti. Atëherë tërë populli që ndodhej te porta dhe pleqtë u përgjigjën: "Ne jemi dëshmitarë të kësaj ngjarjeje. Zoti e bëftë gruan që hyn në shtëpinë tënde si Rakelën dhe si Lean, dy gratë që ngritën shtëpinë e Izraelit. Paç pushtet në Efrathah dhe u bëfsh i famshëm në Betlem. Shtëpia jote u bëftë si shtëpia e Peretsit, që Tamara i lindi Judës, për shkak të pasardhësve që Zoti do të të japë nga kjo e re". Kështu Boazi e mori Ruthin, që u bë bashkëshortja e tij. Ai hyri tek ajo dhe Zoti i dha mundësinë të lindë, dhe ajo lindi një djalë. Atëherë gratë i thanë Naomit: "Bekuar qoftë Zoti, që sot nuk të la pa një shpengues. Emri i tij u bëftë i famshëm në Izrael! Pastë mundësi ai të rimëkëmbë jetën tënde dhe u bëftë mbështetja e pleqërisë sate, sepse e ka lindur nusja jote që të do dhe që vlen për ty më tepër se shtatë bij". Pastaj Naomi e mori fëmijën, e vuri në gjirin e saj dhe u bë taja e saj. Fqinjët i vunë një emër dhe thoshin: "I lindi një djalë Naomit!". E quajtën Obed. Ai qe ati i Isait, ati i Davidit.