Ruthi 4:1-22
Ruthi 4:1-22 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Boazi shkoi te porta e qytetit dhe u ul. Në atë kohë po kalonte i afërmi tjetër për të cilin kishte folur. Boazi i tha: «O mik, eja e ulu këtu». Ai u kthye dhe u ul. Mori edhe dhjetë nga pleqtë e qytetit e u tha: «Uluni këtu!». Ata u ulën. Pastaj i tha të afërmit tjetër: «Naomi, që u kthye nga krahina e Moabit, ka nxjerrë në shitje pjesën e arës që i takon vëllait tonë Elimelekut. Mendova të të vë në dijeni që ta blesh në prani të këtyre që janë ulur këtu e të pleqve të popullit tim. Nëse do ta blesh, blije; nëse nuk do, më thuaj, që ta di. Të drejtën për ta trashëguar e ke ti, por pas teje e kam unë». Ai i tha Boazit: «Do ta blej». Atëherë Boazi i tha: «Ditën që do të marrësh arën nga dora e Naomit, do të marrësh edhe Rutën, moabite, gruan e të ndjerit, e do të mbash gjallë emrin e të ndjerit mbi trashëgiminë e tij». Ai iu përgjigj: «Atëherë, nuk e blej dot, sepse nuk dua të shkatërroj trashëgiminë time. Merre ti të drejtën time, sepse unë nuk mund ta blej». Asokohe, në Izrael, për blerjen e të drejtës së trashëgimisë dhe për ndryshimin e titullit të pronësisë, zakoni e donte të hiqej sandalja dhe t'i jepej tjetrit në shenjë miratimi për çdo marrëveshje. Në Izrael, kjo shërbente si provë. Kështu, i afërmi që kishte të drejtën e trashëgimisë i tha Boazit: «Blije ti» dhe hoqi sandalen. Boazi u tha pleqve dhe të gjithë popullit që ishte aty: «Sot jeni dëshmitarë se unë po blej nga dora e Naomit gjithçka që i përkiste Elimelekut dhe gjithçka që i përkiste Kilionit e Mahlonit. Po ashtu sot jeni dëshmitarë se po marr për grua Rutën nga Moabi, të venë e Mahlonit, për të mbajtur gjallë emrin e të ndjerit mbi trashëgiminë e tij, që emri i të ndjerit të mos shuhet mes emrave të të vëllezërve dhe mes banorëve të qytetit». Pleqtë dhe të gjithë ata që ishin te portat e qytetit thanë: «Jemi dëshmitarë. Gruan që do të hyjë në shtëpinë tënde ZOTI e bëftë si Rakelën dhe si Lean, që e mbushën me pasardhës shtëpinë e Izraelit. U pasurofsh në Efratë dhe emri yt qoftë i njohur në Betlehem! Nga pasardhësi që do të të japë ZOTI prej kësaj gruaje, u bëftë shtëpia jote si shtëpia e Perecit që i lindi Judës nga Tamara!». Atëherë Boazi e mori Rutën për grua dhe fjeti me të. ZOTI e bekoi Rutën. Ajo mbeti shtatzënë dhe lindi djalë. Gratë e qytetit i thanë Naomit: «I bekuar qoftë ZOTI, se nuk të la sot pa trashëgimtar që t'i kujtohet emri në Izrael. Ai do të ta gjallërojë shpirtin dhe do të të mbajë në pleqëri, sepse ta lindi e reja që të do aq shumë dhe që është më e mirë për ty se shtatë djem». Naomi e mori djalin, e vuri në prehër dhe u kujdes për ta rritur. Fqinjat e Naomit thanë: «Naomi u bë me djalë». Prandaj dhe i vunë emrin Obed. Ai është i ati i Jeseut, që është i ati i Davidit. Këta janë pasardhësit e Perecit: Perecit i lindi Hecroni, Hecronit i lindi Rami, Ramit i lindi Aminadabi, Aminadabit i lindi Nahshoni, Nahshonit i lindi Salmoni, Salmonit i lindi Boazi, Boazit i lindi Obedi, Obedit i lindi Jeseu dhe Jeseut i lindi Davidi.
Ruthi 4:1-22 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Boazi shkoi te porta e qytetit dhe u ul aty. Dhe ja, po kalonte ai që kishte të drejtën e shpengimit dhe për të cilin Boazi kishte folur. Boazi i tha: "O ti biri i filanit, afrohu dhe ulu këtu". Ai u afrua dhe u ul. Boazi mori atëherë dhjetë burra nga pleqtë e qytetit dhe u tha atyre: "Uluni këtu". Ata u ulën. Pastaj Boazi i tha atij që kishte të drejtën e shpengimit: "Naomi, që u kthye nga vendi i Moabit, ka shitur pjesën e tokës që i përkiste vëllait tonë Elimelek. Mendova të të informoj dhe të të them: "Blije në prani të banorëve të vendit dhe të pleqve të popullit tim. Në rast se do ta shpengosh, shpengoje; por në rast se nuk ke ndër mend ta shpengosh, ma thuaj që ta di edhe unë; sepse asnjeri veç teje nuk gëzon të drejtën e shpengimit, dhe pas teje vij unë"". Ai u përgjigj: "Do të kërkoj të drejtën time". Atëherë Boazi tha: "Ditën që do ta blesh arën nga dora e Naomit, ti do ta blesh edhe nga Ruthi, moabitja, bashkëshortja e të ndjerit, për ta ringjallur emrin e të ndjerit në trashëgiminë e tij". Ai që gëzonte të drejtën e shpengimit u përgjigj: "Unë nuk mund ta shpengoj për vete, sepse do të shkatërroj trashëgiminë time; shpengo ti atë që duhet të shpengoja unë, sepse unë nuk mund ta shpengoj". Ky ishte zakoni në kohërat e kaluara në Izrael lidhur me të drejtën e shpengimit dhe të ndryshimit të pronësisë: personi hiqte sandalen dhe ja jepte tjetrit; kjo ishte mënyra e dëshmisë në Izrael. Kështu ai që gëzonte të drejtën e shpengimit i tha Boazit: "Blije ti vetë", dhe hoqi sandalen. Atëherë Boazi u tha pleqve dhe tërë popullit: "Ju sot jeni dëshmitarë që unë bleva sot në duart e Naomit të gjitha ato që ishin pronë e Elimelekut, të Kilionit dhe të Mahlonit. Gjithashtu bleva për grua Ruthin, moabiten, bashkëshorten e Mahlonit, për ta ringjallur emrin e të ndjerit në trashëgiminë e tij, me qëllim që emri i të ndjerit të mos shuhet midis vëllezërve të tij dhe në portën e qytetit të tij. Ju sot jeni dëshmitarë të këtij fakti. Atëherë tërë populli që ndodhej te porta dhe pleqtë u përgjigjën: "Ne jemi dëshmitarë të kësaj ngjarjeje. Zoti e bëftë gruan që hyn në shtëpinë tënde si Rakelën dhe si Lean, dy gratë që ngritën shtëpinë e Izraelit. Paç pushtet në Efrathah dhe u bëfsh i famshëm në Betlem. Shtëpia jote u bëftë si shtëpia e Peretsit, që Tamara i lindi Judës, për shkak të pasardhësve që Zoti do të të japë nga kjo e re". Kështu Boazi e mori Ruthin, që u bë bashkëshortja e tij. Ai hyri tek ajo dhe Zoti i dha mundësinë të lindë, dhe ajo lindi një djalë. Atëherë gratë i thanë Naomit: "Bekuar qoftë Zoti, që sot nuk të la pa një shpengues. Emri i tij u bëftë i famshëm në Izrael! Pastë mundësi ai të rimëkëmbë jetën tënde dhe u bëftë mbështetja e pleqërisë sate, sepse e ka lindur nusja jote që të do dhe që vlen për ty më tepër se shtatë bij". Pastaj Naomi e mori fëmijën, e vuri në gjirin e saj dhe u bë taja e saj. Fqinjët i vunë një emër dhe thoshin: "I lindi një djalë Naomit!". E quajtën Obed. Ai qe ati i Isait, ati i Davidit. Ja pasardhësit e Peretsit: Peretsit i lindi Hetsroni; Hetsronit i lindi Rami; Ramit i lindi Aminadabi; Aminadabit i lindi Nahshoni; Nahshonit i lindi Salmoni; Salmonit i lindi Boazi; Boazit i lindi Obedi; Obedit i lindi Isai dhe Isait i lindi Davidi.