Ruthi 3:12-18
Ruthi 3:12-18 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Është e vërtetë që unë jam një nga të afërmit që ka të drejtën të kujdeset për ty, por është edhe një tjetër, më i afërt se unë. Sonte rri këtu. Nëse në mëngjes ai merr përsipër të kujdeset për ty, mirë; le të kujdeset ai për ty. Nëse ai nuk do të dojë të kujdeset për ty, atëherë pasha ZOTIN do të kujdesem unë. Shtrihu e fli deri në mëngjes». Ruta u shtri për të fjetur te këmbët e Boazit deri në mëngjes dhe u ngrit para se ta dallonte njeri, sepse Boazi i kishte thënë që të mos e merrte vesh njeri se Ruta kishte shkuar në lëmë. Boazi i tha: «Hiqe shallin që ke veshur dhe mbaje!». Ruta e mbajti dhe Boazi i hodhi gjashtë masa elbi. Pastaj ia hodhi mbi supe dhe u kthye në qytet. Kur Ruta u kthye tek e vjehrra, ajo i tha: «Si shkoi, bija ime?». Atëherë Ruta i tregoi gjithçka që kishte bërë Boazi për të dhe shtoi: «Më dha edhe këto gjashtë masa elbi e më tha: “Mos u kthe duarzbrazur te vjehrra jote”». Naomi i tha: «Qëndro këtu, bija ime, derisa të marrësh vesh sesi do të shkojë kjo punë. Boazi nuk do të rrijë pa e mbaruar sot këtë gjë».
Ruthi 3:12-18 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Është e vërtetë që unë gëzoj të drejtën e shpengimit; por është një që është fis më i afërt se unë. Kaloje këtu natën; dhe nesër në mëngjes, në rast se ai do të kërkojë të drejtën e tij ndaj teje, mirë, pra le ta bëjë; por në rast se nuk e kërkon të drejtën e tij mbi ty, unë do të kërkoj që të vlejë e drejta ime dhe do të të shpengoj ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron! Rri shtrirë deri në mëngjes". Kështu ajo qëndroi shtrirë në këmbët e tij deri në mëngjes; por u ngrit përpara se një njeri të njohë tjetrin, sepse ai i kishte thënë: "Asnjeri nuk duhet ta dijë që kjo grua erdhi në lëmë!". Pastaj shtoi: "Sill mantelin që ke veshur dhe mbaje". Ajo e mbajti dhe ai derdhi mbi të gjashtë masa elbi, pastaj ia vuri mbi kurriz; pas kësaj ajo u kthye në qytet. Kështu u kthye tek e vjehrra, që i tha: "Ti je bija e ime?". Atëherë ajo i tregoi të gjitha ato që ai burrë kishte bërë për të, dhe shtoi: "Më dha edhe këto gjashtë masa elbi, sepse më tha: "Nuk duhet të kthehesh te vjehrra jote duar bosh"". Naomi i tha: "Qëndro këtu, o bija ime, derisa të mësosh si ka për të mbaruar kjo çështje, sepse ai burrë nuk do të rrijë derisa ta ketë sistemuar sot çështjen".