Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ruthi 3:1-18

Ruthi 3:1-18 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Naomi, e vjehrra, i tha Rutës: «Bija ime, do të kërkoj për ty një shtëpi të qetë ku të jesh e lumtur. Boazi, me shërbëtoret e të cilit mblodhe kallinj, është i afërmi ynë. Ja, sonte ai do të shijë elbin në lëmë. Lahu, lyhu me erë të mirë, hidh mbulojën dhe shko te lëmi, por mos e lër të të shohë derisa të ketë mbaruar së ngrëni e së piri. Kur të shtrihet, shiko vendin ku fle dhe pastaj shko, zbulo këmbët e tij dhe shtrihu aty. Do të të thotë ai se çfarë duhet të bësh». Ruta iu përgjigj: «Do të bëj gjithçka që më the». Pastaj shkoi në lëmë dhe bëri siç e kishte porositur e vjehrra. Boazi hëngri e piu sa iu kënaq zemra dhe shkoi të shtrihet pranë pirgut të elbit. Fshehurazi shkoi edhe Ruta, ia zbuloi këmbët dhe u shtri. Aty nga mesi i natës, Boazi u drodh në gjumë dhe, kur u kthye në krahun tjetër, pa një grua të shtrirë te këmbët e tij. Ai e pyeti: «Kush je ti?». Ajo iu përgjigj: «Jam unë, Ruta, shërbëtorja jote. Shtrije mbulesën mbi shërbëtoren tënde, sepse ti ke të drejtën të kujdesesh për mua». Atëherë Boazi i tha: «Të bekoftë ZOTI, bija ime, sepse tani ke treguar mirësi edhe më të madhe se më parë, duke mos shkuar pas djemve të rinj, të varfër a të pasur. Prandaj, mos ki frikë, bija ime. Do t'i bëj të gjitha ato që thua, sepse të gjithë njerëzit e qytetit tim e dinë se ti je një grua e virtytshme. Është e vërtetë që unë jam një nga të afërmit që ka të drejtën të kujdeset për ty, por është edhe një tjetër, më i afërt se unë. Sonte rri këtu. Nëse në mëngjes ai merr përsipër të kujdeset për ty, mirë; le të kujdeset ai për ty. Nëse ai nuk do të dojë të kujdeset për ty, atëherë pasha ZOTIN do të kujdesem unë. Shtrihu e fli deri në mëngjes». Ruta u shtri për të fjetur te këmbët e Boazit deri në mëngjes dhe u ngrit para se ta dallonte njeri, sepse Boazi i kishte thënë që të mos e merrte vesh njeri se Ruta kishte shkuar në lëmë. Boazi i tha: «Hiqe shallin që ke veshur dhe mbaje!». Ruta e mbajti dhe Boazi i hodhi gjashtë masa elbi. Pastaj ia hodhi mbi supe dhe u kthye në qytet. Kur Ruta u kthye tek e vjehrra, ajo i tha: «Si shkoi, bija ime?». Atëherë Ruta i tregoi gjithçka që kishte bërë Boazi për të dhe shtoi: «Më dha edhe këto gjashtë masa elbi e më tha: “Mos u kthe duarzbrazur te vjehrra jote”». Naomi i tha: «Qëndro këtu, bija ime, derisa të marrësh vesh sesi do të shkojë kjo punë. Boazi nuk do të rrijë pa e mbaruar sot këtë gjë».

Ruthi 3:1-18 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pastaj Naomi, e vjehrra, i tha: "Bija ime, a nuk do të kërkoj unë një vend paqeje për ty, që ti të jesh e lumtur? Boazi, me shërbëtoret e të cilit ti ke qenë, a nuk është vallë fisi ynë? Ja, sonte ai duhet të shohë elbin në lëmë. Prandaj lahu, lyeju me vaj, vish rrobat më të mira që ke dhe zbrit në lëmë; por bëj që ai të mos të njohë derisa të ketë mbaruar së ngrëni e së piri. Kur të shkojë të shtrihet, këqyr vendin ku shtrihet; pastaj shko aty, zbulo këmbët e tij dhe shtrihu edhe ti. Dhe ai do të thotë atë që duhet të bësh". Ruthi iu përgjigj: "Do të bëj të gjitha ato që më the". Kështu zbriti në lëmë dhe bëri të gjitha ato që i kishte porositur e vjehrra. Boazi hëngri e piu dhe me zemër të gëzuar shkoi të shtrihet pranë grumbullit të grurit. Atëherë ajo erdhi ngadalë, i zbuloi këmbët dhe u shtri. Aty nga mesnata ai u zgjua përnjëherësh dhe u kthye; ja, një grua ishte shtrirë te këmbët e tij. "Kush je ti?", i tha. Ajo u përgjigj: "Jam Ruthi, shërbëtorja jote; shtrije skajin e mantelit tënd mbi shërbëtoren tënd, sepse ti gëzon të drejtën e shpengimit". Ai tha: "Qofsh e bekuar nga Zoti bija ime! Mirësia që tregove këtë herë të fundit ia kalon së parës, sepse nuk ke rendur pas të rinjve, të varfër a të pasur. Prandaj tani mos ki frikë, bija ime; unë do të bëj për ty gjithçka që më kërkon, sepse të gjithë njerëzit e qytetit tim e dinë që ti je një grua e virtytshme. Është e vërtetë që unë gëzoj të drejtën e shpengimit; por është një që është fis më i afërt se unë. Kaloje këtu natën; dhe nesër në mëngjes, në rast se ai do të kërkojë të drejtën e tij ndaj teje, mirë, pra le ta bëjë; por në rast se nuk e kërkon të drejtën e tij mbi ty, unë do të kërkoj që të vlejë e drejta ime dhe do të të shpengoj ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron! Rri shtrirë deri në mëngjes". Kështu ajo qëndroi shtrirë në këmbët e tij deri në mëngjes; por u ngrit përpara se një njeri të njohë tjetrin, sepse ai i kishte thënë: "Asnjeri nuk duhet ta dijë që kjo grua erdhi në lëmë!". Pastaj shtoi: "Sill mantelin që ke veshur dhe mbaje". Ajo e mbajti dhe ai derdhi mbi të gjashtë masa elbi, pastaj ia vuri mbi kurriz; pas kësaj ajo u kthye në qytet. Kështu u kthye tek e vjehrra, që i tha: "Ti je bija e ime?". Atëherë ajo i tregoi të gjitha ato që ai burrë kishte bërë për të, dhe shtoi: "Më dha edhe këto gjashtë masa elbi, sepse më tha: "Nuk duhet të kthehesh te vjehrra jote duar bosh"". Naomi i tha: "Qëndro këtu, o bija ime, derisa të mësosh si ka për të mbaruar kjo çështje, sepse ai burrë nuk do të rrijë derisa ta ketë sistemuar sot çështjen".