Ruthi 2:5-12
Ruthi 2:5-12 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pastaj Boazi pyeti shërbëtorin që mbikëqyrte korrësit: «E kujt është kjo vajzë?». Ai iu përgjigj: «Është ajo vajza moabite që u kthye me Naomin nga krahina e Moabit. M'u lut ta lija të mblidhte kallinj pas korrësve. Ka ardhur që në mëngjes dhe ka qëndruar deri tani pa shkuar fare në shtëpi». Atëherë Boazi i tha Rutës: «Dëgjo, bija ime! Mos shko në tjetër arë për të mbledhur kallinj, por qëndro në këtë arë me shërbëtoret e mia. Mbaji sytë tek ara ku korrin dhe shko pas tyre. U kam dhënë urdhër shërbëtorëve që mos të të prekin. Po të kesh etje, shko të pish te shtambat që mbushin ata». Atëherë ajo u përkul me nderim përdhe e i tha: «Si kam gjetur hir para teje që po kujdesesh për mua, një të huaj?». Boazi iu përgjigj: «Më treguan gjithçka bëre për vjehrrën tënde pasi të vdiq burri, si le atin, nënën dhe tokën e të parëve të tu dhe erdhe te një popull që nuk e njihje më parë. ZOTI të shpërbleftë për çfarë ke bërë dhe marrsh shpërblim të plotë nga ZOTI, Perëndia i Izraelit, nën krahët e të cilit ke ardhur për të gjetur strehë!».
Ruthi 2:5-12 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pastaj Boazi i tha shërbëtorit të tij të caktuar të mbikëqyrë korrësit: "E kujt është kjo vajzë?". Shërbëtori i caktuar të mbikëqyrë korrësit u përgjigj: "Është një vajzë moabite, që është kthyer me Naomin nga vendi i Moabit. Ajo na tha: "Ju lutem, më lini të mbledh kallinjtë midis demeteve prapa korrësve". Kështu ajo erdhi dhe qëndroi nga mëngjesi deri tani; pushoi vetëm një çast në shtëpi". Atëherë Boazi i tha Ruthit: "Dëgjo, bija ime, mos shko në ndonjë arë tjetër për të mbledhur kallinjtë që kanë mbetur, mos u largo që këtej, por rri me shërbëtoret e mia. Mbaj sytë në arën që po korrin dhe shko prapa korrësve. A nuk i kam urdhëruar shërbyesit e mi të mos të të bezdisin? Kur ke etje, shko atje ku janë shtambat, për të pirë ujin që kanë nxjerrë shërbëtorët". Atëherë Ruthi u shtri përdhe, duke rënë përmbys me fytyrën për tokë dhe i tha: "Për çfarë arsye kam gjetur kaq hir në sytë e tu, sa ti të kujdesesh për mua që jam një e huaj?". Boazi iu përgjigj duke thënë: "Më kanë treguar të gjitha ato që ti ke bërë për vjehrrën tënde mbas vdekjes së burrit tënd, dhe si ke lënë atin tënd, nënën tënde dhe vendlindjen tënde, për të jetuar me një popull që nuk e njihje më parë. Zoti të shpërbleftë për ato që ke bërë dhe shpërblimi yt të jetë i plotë nga ana e Zotit, Perëndisë së Izraelit, nën krahët e të cilit erdhe të strehohesh!".