Ruthi 2:1-23
Ruthi 2:1-23 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Naomi kishte një të afërm të burrit, një njeri të pasur dhe me rëndësi, që vinte nga familja e Elimelekut. Ai quhej Boaz. Ruta, moabitja, i tha Naomit: «Më lër të shkoj në arë që të mbledh kallinj gruri pas atij që do të tregohet i mirë me mua». Naomi i tha: «Shko, bija ime!». Ruta shkoi në arë dhe mblodhi kallinj pas korrësve. Rastisi që të ndodhej në pjesën e arës së Boazit, të afërmit të Elimelekut. Atëherë Boazi erdhi prej Betlehemit e u tha korrësve: «ZOTI qoftë me ju!». Ata iu përgjigjën: «ZOTI të bekoftë!». Pastaj Boazi pyeti shërbëtorin që mbikëqyrte korrësit: «E kujt është kjo vajzë?». Ai iu përgjigj: «Është ajo vajza moabite që u kthye me Naomin nga krahina e Moabit. M'u lut ta lija të mblidhte kallinj pas korrësve. Ka ardhur që në mëngjes dhe ka qëndruar deri tani pa shkuar fare në shtëpi». Atëherë Boazi i tha Rutës: «Dëgjo, bija ime! Mos shko në tjetër arë për të mbledhur kallinj, por qëndro në këtë arë me shërbëtoret e mia. Mbaji sytë tek ara ku korrin dhe shko pas tyre. U kam dhënë urdhër shërbëtorëve që mos të të prekin. Po të kesh etje, shko të pish te shtambat që mbushin ata». Atëherë ajo u përkul me nderim përdhe e i tha: «Si kam gjetur hir para teje që po kujdesesh për mua, një të huaj?». Boazi iu përgjigj: «Më treguan gjithçka bëre për vjehrrën tënde pasi të vdiq burri, si le atin, nënën dhe tokën e të parëve të tu dhe erdhe te një popull që nuk e njihje më parë. ZOTI të shpërbleftë për çfarë ke bërë dhe marrsh shpërblim të plotë nga ZOTI, Perëndia i Izraelit, nën krahët e të cilit ke ardhur për të gjetur strehë!». Ruta i tha: «Gjetsha hir para teje, imzot, sepse më ke ngushëlluar dhe i ke folur zemrës së shërbëtores tënde, megjithëse unë nuk jam një nga shërbëtoret e tua». Kur erdhi koha për të ngrënë, Boazi i tha: «Eja këtu e ha pak bukë dhe ngjyeje kafshatën në uthull». Ajo u ul pranë korrësve dhe Boazi i dha kaçamak. Ruta hëngri, u ngop e i teproi. Kur Ruta u ngrit për të mbledhur kallinj, Boazi i urdhëroi shërbëtorët e tij: «Lëreni të mbledhë kallinj edhe mes duajve e mos i thoni gjë. Këpusni edhe disa kallinj për të dhe lërini që t'i mbledhë, por mos i thoni gjë». Ruta mblodhi kallinj në fushë deri në darkë. Pastaj i shiu kallinjtë që kishte mbledhur dhe u bënë rreth tridhjetë kilogramë elb. E ngarkoi, shkoi në qytet dhe i tregoi vjehrrës ç'kishte mbledhur. Pastaj nxori çfarë i kishte tepruar nga dreka e ia dha. E vjehrra i tha: «Ku mblodhe kallinj sot? Ku punove? Bekuar qoftë ai që u kujdes për ty!». Atëherë Ruta i tregoi së vjehrrës se te kush kishte punuar e i tha: «Sot punova te një njeri që quhej Boaz». Dhe Naomi i tha të resë: «Atë e bekoftë ZOTI që nuk ka hequr dorë nga mirësia për të gjallët e për të vdekurit!». Pastaj i tha: «Është i afërmi ynë, një nga ata që kanë të drejtën të kujdesen për ne». Ruta, moabitja, i tha: «Ai më tha edhe të qëndroj me shërbëtorët e tij derisa të përfundojë korrja e arave të tij». Atëherë Naomi i tha Rutës, të resë: «Është mirë që do të dalësh me shërbëtoret e tij, bija ime, që mos të të bëj keq njeri në ndonjë arë tjetër». Kështu, Ruta qëndroi me shërbëtoret e Boazit për të mbledhur kallinj derisa përfundoi korrja e elbit dhe e grurit. Ajo banonte me vjehrrën e saj.
Ruthi 2:1-23 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Naomi kishte një fis të burrit të saj, një njeri të fuqishëm dhe të pasur, nga familja e Elimelekut, që quhej Boaz. Ruthi, moabitja, i tha Naomit: "Lërmë të shkoj nëpër ara e të mbledh kallinj prapa atij në sytë e të cilit do të gjej hir". Ajo iu përgjigj: "Shko, bija ime". Kështu Ruthi shkoi dhe nisi të mbledhë kallinjtë prapa korrësve; dhe i rastisi të ndodhej në pjesën e arës që ishte pronë e Boazit, i cili i përkiste familjes së Elimelekut. Por ja, që Boazi erdhi në Betlehem dhe u tha korrësve: "Zoti qoftë me ju!". Ata iu përgjigjën: "Zoti të bekoftë!". Pastaj Boazi i tha shërbëtorit të tij të caktuar të mbikëqyrë korrësit: "E kujt është kjo vajzë?". Shërbëtori i caktuar të mbikëqyrë korrësit u përgjigj: "Është një vajzë moabite, që është kthyer me Naomin nga vendi i Moabit. Ajo na tha: "Ju lutem, më lini të mbledh kallinjtë midis demeteve prapa korrësve". Kështu ajo erdhi dhe qëndroi nga mëngjesi deri tani; pushoi vetëm një çast në shtëpi". Atëherë Boazi i tha Ruthit: "Dëgjo, bija ime, mos shko në ndonjë arë tjetër për të mbledhur kallinjtë që kanë mbetur, mos u largo që këtej, por rri me shërbëtoret e mia. Mbaj sytë në arën që po korrin dhe shko prapa korrësve. A nuk i kam urdhëruar shërbyesit e mi të mos të të bezdisin? Kur ke etje, shko atje ku janë shtambat, për të pirë ujin që kanë nxjerrë shërbëtorët". Atëherë Ruthi u shtri përdhe, duke rënë përmbys me fytyrën për tokë dhe i tha: "Për çfarë arsye kam gjetur kaq hir në sytë e tu, sa ti të kujdesesh për mua që jam një e huaj?". Boazi iu përgjigj duke thënë: "Më kanë treguar të gjitha ato që ti ke bërë për vjehrrën tënde mbas vdekjes së burrit tënd, dhe si ke lënë atin tënd, nënën tënde dhe vendlindjen tënde, për të jetuar me një popull që nuk e njihje më parë. Zoti të shpërbleftë për ato që ke bërë dhe shpërblimi yt të jetë i plotë nga ana e Zotit, Perëndisë së Izraelit, nën krahët e të cilit erdhe të strehohesh!". Ajo i tha: "Le të arrij të më shikosh me sy të mirë, o imzot, sepse ti më ke ngushëlluar dhe i ke folur zemrës së shërbëtores sate, megjithëse unë nuk jam as sa një nga shërbëtoret e tua". Në kohën e drekës Boazi i tha: "Eja këtu, ha bukë dhe ngjyeje kafshatën tënde në uthull". Kështu ajo u ul midis korrësve. Boazi i ofroi grurë të pjekur, dhe ajo hëngri sa u ngop dhe vuri mënjanë tepricat. Pastaj u ngrit për të vazhduar mbledhjen e kallinjve që kishin mbetur, dhe Boazi u dha këtë urdhër shërbëtorëve të tij duke thënë: "Lëreni të vazhdojë të mbledhë kallinjtë edhe midis duajve dhe mos e qortoni; përveç kësaj lini që të bien për të kallinj nga dorëza dhe mos i merrni, me qëllim që t'i mbledhë ajo, dhe mos i bërtisni". Pastaj ajo vazhdoi të mbledhë kallinj në arë deri në mbrëmje, pastaj shiu atë që kishte mbledhur dhe siguroi pothuaj një efë elbi. E ngarkoi në kurriz, hyri në qytet dhe e vjehrra pa atë që kishte mbledhur. Pastaj Ruthi nxori atë që kishte tepruar nga ushqimi pasi ajo ishte ngopur dhe ia dha. E vjehrra e pyeti: "Ku i ke mbledhur kallinjtë sot? Ku ke punuar? Bekuar qoftë ai që tregoi kujdes për ty!". Kështu Ruthi i tregoi së vjehrrës pranë kujt kishte punuar dhe shtoi: "Njeriu pranë të cilit punova sot quhet Boaz". Naomi i tha nuses: "Qoftë i bekuar nga Zoti ai që nuk e ka hequr mirësinë e tij nga të gjallët dhe të vdekurit". Dhe shtoi: "Ky njeri është një i afërti ynë i ngushtë, një njeri që ka të drejtë të na shpengojë". Atëherë Ruthi, moabitja, tha: "Më tha edhe: "Rri me shërbëtorët e mi, derisa të kenë mbaruar korrjen time"". Naomi i tha Ruthit, nuses së saj: "E mira është që ti të shkosh, bija ime, me shërbëtoret e tij dhe mos të të gjejnë në një arë tjetër". Kështu ajo mbeti duke mbledhur kallinj me shërbëtoret e Boazit deri në fund të korrjes së elbit dhe të grurit. Dhe banonte bashkë me të vjehrrën.