Ruthi 1:1-17
Ruthi 1:1-17 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Në kohën kur qeverisnin gjyqtarët, në vend ra zia e bukës. Atëherë një njeri nga Betlehemi i Judës shkoi për të jetuar bashkë me gruan dhe me dy djemtë në krahinën e Moabit. Ai quhej Elimelek, gruaja e tij Naomi, ndërsa dy djemtë e tij Mahlon e Kilion. Ata ishin efratitë nga Betlehemi i Judës. Kur mbërritën në krahinën e Moabit dhe u vendosën atje, burri i Naomit, Elimeleku, vdiq dhe e la Naomin vetëm me dy djemtë. Dy djemtë u martuan me moabite. Njëra nga gratë quhej Orpa, ndërsa tjetra Ruta. Pas dhjetë vjetësh në atë vend, Mahloni e Kilioni vdiqën që të dy. Kështu, Naomi mbeti pa dy djemtë e pa burrin. Atëherë Naomi u ngrit dhe u largua bashkë me dy të rejat nga krahina e Moabit për t'u kthyer në Judë, sepse kishte dëgjuar në Moab se ZOTI ishte kujtuar për popullin e vet dhe i kishte dhënë bukë. Kështu, u largua bashkë me të rejat nga vendi ku kishte jetuar. Rrugës për t'u kthyer në tokën e Judës, Naomi u tha: «Kthehuni në shtëpitë e nënave tuaja dhe ZOTI qoftë i mirë me ju, siç ishit edhe ju me mua dhe me të vdekurit e mi. ZOTI ju dhëntë qetësi në shtëpitë e burrave tuaj». Dhe pastaj i puthi. Ato qanë me të madhe e i thanë: «Do të kthehemi me ty te populli yt». Por Naomi u tha: «Kthehuni bijat e mia! Përse doni të vini me mua? A mund të lind unë më djem, që të martohen me ju? Kthehuni bijat e mia! Shkoni, sepse jam shumë plakë për t'u martuar. Edhe sikur të thosha se kam ende shpresë për t'u martuar sonte dhe për të lindur bij, a do të pritnit derisa të rriteshin e nuk do të martoheshit? Jo, bijat e mia! Hidhërimi im është tepër i madh për ju, sepse dora e ZOTIT është ngritur kundër meje». Atëherë ato qanë përsëri me të madhe. Pastaj Orpa e puthi të vjehrrën dhe u largua, ndërsa Ruta nuk u nda prej saj. Naomi i tha: «Kunata jote u kthye te populli dhe te perënditë e saj. Shko edhe ti pas saj!». Ruta i tha: «Mos këmbëngul që të të lë vetëm e të kthehem pas. Ku të shkosh ti do të shkoj edhe unë. Ku të rrish ti do të rri edhe unë. Populli yt do të jetë populli im dhe Perëndia yt do të jetë Perëndia im. Ku do të vdesësh ti do të vdes edhe unë dhe po atje do të varrosem. Keq e më keq ma bëftë ZOTI nëse na ndan gjë përveç vdekjes!».
Ruthi 1:1-17 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Në kohën kur qeverisnin gjyqtarët, vendin e pllakosi zia, dhe një njeri nga Betlemi i Judës shkoi të banojë në vendin e Moabit me gjithë gruan dhe dy bijtë e tij. Emri i burrit ishte Elimelek, emri i gruas së tij Naomi dhe emri i dy bijve të tij Mahlon dhe Kilion, Efratej nga Betlemi i Judës. Ata shkuan në vendin e Moabit dhe u vendosën aty. Pastaj Elimeku, burri i Naomit, vdiq dhe ajo mbeti me dy bijtë e saj. Këta u martuan me gra moabite, nga të cilat njëra quhej Orpah dhe tjetra Ruth; dhe banuan aty rreth dhjetë vjet. Pastaj edhe Mahloni dhe Kilioni vdiqën që të dy, dhe kështu ajo grua mbeti pa dy djemtë e saj dhe pa burrin. Atëherë u ngrit me gjithë nuset e saj për t'u kthyer nga vendi Moabit, sepse kishte dëgjuar të thuhej që Zoti e kishte vizituar popullin e vet dhe i kishte dhënë bukë. Ajo u nis, pra, me të dy nuset e saj nga vendi në të cilin rrinte, dhe filloi të ecë për t'u kthyer në vendin e Judës. Por Naomi u tha dy nuseve të saj: "Shkoni, kthehuni çdo njëra në shtëpinë e nënës së saj; Zoti qoftë i mirë me ju, ashtu si ju keni qenë të mira me ata që kanë vdekur dhe me mua! Zoti ju bëftë të gjeni qetësi çdo njëra në shtëpinë e burrit të sajë!". Pastaj ajo i puthi dhe ato filluan të qajnë me zë të lartë, dhe i thanë: "Jo, ne do të kthehemi me ty pranë popullit tënd". Por Naomi u përgjigj: "Kthehuni bijat e mija! Pse të vini me mua? Mos kam në barkun tim fëmijë që mund të bëhen bashkëshortët tuaj? Kthehuni mbrapa, bijat e mija, shkoni, sepse unë jam shumë e vjetër për t'u martuar prapë; edhe sikur të thosha: "Kam akoma shpresë"; edhe sikur të martohesha sonte dhe të lindja djem, a do të prisnit ju sa të rriteshin? A do të hiqnit dorë nga martesa për këtë shkak? Jo, bijat e mija, sepse kushtet në të cilat ndodhem janë më të hidhura nga tuajat, sepse dora e Zotit është shtrirë kundër meje". Atëherë ato e ngritën zërin dhe qanë përsëri; pastaj Orpahu puthi vjehrrën, por Ruthi nuk i ndahej asaj. Atëherë Naomi i tha Ruthit: "Ja, kunata jote u kthye te populli i vet dhe te perënditë e saj; ktheu mbrapa edhe ti, ashtu si kunata jote!". Por Ruthi u përgjigj: "Mos ngul këmbë me mua që unë të të braktis dhe të mos të të ndjek më, sepse kudo që të shkosh ti do të shkoj edhe unë, dhe kudo që të rrish ti do të rri edhe unë; populli yt do të jetë populli im, Perëndia yt do të jetë edhe Perëndia im; aty ku të vdesësh ti do të vdes edhe unë, dhe atje do të më varrosin. Kështu të veprojë me mua Zoti, bile edhe më keq, në rast se veç vdekjes ndonjë gjë tjetër do të më ndajë prej teje!".