Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Romakëve 9:9-21

Romakëve 9:9-21 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Sepse kjo është fjala e premtimit: në kohën e duhur do të vij te ti dhe Sara do të bëhet me djalë. Jo vetëm kaq, por edhe Rebeka mbeti shtatzënë nga po ky burrë, nga Isaku, ati ynë. Binjakët nuk kishin lindur ende dhe nuk kishin bërë ndonjë të mirë a të keqe kur Perëndia, për të treguar se qëllimi i tij mbështetet vetëm në zgjedhjen e tij, jo te veprat e njeriut, por tek ai që e thërret, i tha Rebekës: më i madhi do t'i shërbejë më të voglit. Sikurse është shkruar: Jakobin e desha, por Esaun e urreva. Ç'të themi pra? A është Perëndia i padrejtë? Larg qoftë! Sepse ai i thotë Moisiut: do të kem mëshirë për atë që dua të mëshiroj e do të kem dhembshuri për atë që dua të kem dhembshuri. Pra, nuk varet as nga vullneti e as nga përpjekjet e njeriut, por nga Perëndia që ka mëshirë. Sepse Shkrimi i thotë faraonit: pikërisht për këtë gjë të kam lartësuar, që të shfaq fuqinë time në ty e që të shpallet emri im në të gjithë tokën. Kështu pra, Perëndia ka mëshirë për atë që do dhe bën kokëfortë atë që do. Por ti do të më thuash: «Pse atëherë Perëndia ende na fajëson? Kush mund t'i bëjë ballë vullnetit të tij?». Po kush je ti, o njeri, që t'i kundërpërgjigjesh Perëndisë? A mund t'i thotë krijesa krijuesit: «Përse më ke bërë kështu?». A nuk ka të drejtë poçari të bëjë nga e njëjta masë argjile një enë të kushtueshme dhe një tjetër të zakonshme?

Romakëve 9:9-21 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Sepse kjo është fjala e premtimit: ''Në këtë kohë do të vij dhe Sara do të ketë një bir''. Dhe jo vetëm kaq, por edhe Rebeka mbeti shtatzënë nga një njeri i vetëm, Isakun, atin tonë, (sepse para se t'i lindnin fëmijët dhe para se të bënin ndonjë të mirë a të keqe, që të mbetej i patundur propozimi i Perëndisë për të zgjedhur jo sipas veprave, po prej atij që thërret), iu tha asaj: ''Më i madhi do t'i shërbejë më të voglit'', siç është shkruar: ''E desha Jakobin dhe e urreva Esaun''. Çfarë të themi, pra? Mos ka padrejtësi te Perëndia? Aspak! Ai i thotë në fakt Moisiut: ''Do të kem mëshirë për atë që të kem mëshirë, dhe do të kem dhembshuri për atë që do të kem dhembshuri''. Kështu, pra, kjo nuk varet as prej atij që do, as prej atij që vrapon, por nga Perëndia që shfaq mëshirë. Sepse Shkrimi i thotë Faraonit: ''Pikërisht për këtë gjë të ngrita, që të tregoj te ti fuqinë time dhe që të shpallet emri im mbi mbarë dheun''. Kështu ai ka mëshirë për atë që do dhe e ngurtëson atë që do. Ti do të më thuash, pra: ''Pse vazhdon të ankohet? Kush mund, në fakt, t'i rezistojë vullnetit të tij?''. Po kush je ti, o njeri, që i kundërpërgjigjesh Perëndisë? A mund t'i thotë ena mjeshtrit: ''Përse më bërë kështu?''. A nuk ka vallë fuqi poçari mbi argjilën për të bërë nga po ai brumë një enë për nderim, edhe një tjetër për çnderim?