Romakëve 7:1-6
Romakëve 7:1-6 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
O vëllezër, si njerëz që e njihni mirë ligjin, a nuk e dini se ligji sundon mbi njeriun për sa kohë ai është gjallë? Kështu, sipas ligjit gruaja e martuar është e lidhur me burrin për sa kohë ai është gjallë, por nëse burri vdes, ligji i jep asaj lirinë nga burri. Por, nëse ajo bëhet gruaja e një burri tjetër kur e ka burrin ende gjallë, ajo do të quhet grua që ka bërë tradhti bashkëshortore. Nëse burri i saj vdes, ajo është e lirë nga ligji dhe po të martohet me një burrë tjetër, ajo nuk bën tradhti bashkëshortore. Në të njëjtën mënyrë, o vëllezërit e mi, edhe ju keni vdekur për sa i përket ligjit, meqenëse jeni bashkuar me trupin e Krishtit. Kështu, ju i përkisni një tjetri, atij që është ngjallur prej të vdekurve, me qëllim që të japim fryte për Perëndinë. Kur ne jetonim sipas dobësisë njerëzore, dëshirat mëkatare, të nxitura përmes ligjit, vepronin në gjymtyrët tona dhe ne jepnim fryte që të çojnë në vdekje. Por tani jemi të lirë për sa i përket ligjit, sepse kemi vdekur ndaj atij që na mbante lidhur. Kështu, i shërbejmë Perëndisë në risinë e Shpirtit dhe jo sipas mënyrës së vjetër të shkronjës.
Romakëve 7:1-6 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Apo nuk e dini o vëllezër, (sepse unë po u flas njerëzve që e njohin ligjin), se ligji ka pushtet mbi njeriun për sa kohë ai rron? Sepse gruaja e martuar është e lidhur nga ligji me burrin derisa ai rron, por, po i vdiq burri, lirohet nga ligji i burrit. Prandaj, nëse, kur i rron burri, ajo bashkohet me një burrë tjetër, do të quhet shkelëse e kurorës; por kur i vdes burri ajo është e liruar nga ligji, që të mos jetë shkelëse e kurorës, po u bë gruaja e një burrë tjetër. Kështu, pra, vëllezër të mi, edhe ju jeni të vdekur për ligjin me anë të trupit të Jezu Krishtit që të bashkoheni me një tjetër, që u ringjall prej të vdekurit, që t'i japim fryte Perëndisë. Sepse, kur ishim në mish, pasionet mëkatare që ishin me anë të ligjit, vepronin në gjymtyrët tona, duke sjellë fryte vdekjeje, por tani jemi zgjidhur nga ligji duke qenë të vdekur nga ç'ka na mbante të lidhur, prandaj shërbejmë në risinë e frymës dhe jo në vjetërsinë e shkronjës.