Romakëve 6:19-23
Romakëve 6:19-23 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Po flas me shembuj njerëzorë, për shkak të dobësisë njerëzore që nuk kupton. Sikurse dikur i vinit gjymtyrët tuaja në shërbim të ndyrësisë e të paudhësisë, që të çojnë në paudhësi, kështu tani t'i vini gjymtyrët tuaja në shërbim të drejtësisë së Perëndisë që të çon në një jetë të shenjtë. Kur ishit skllevër të mëkatit, ju ishit të lirë për sa i përket drejtësisë së Perëndisë. Çfarë fituat, pra, nga gjërat që bënit në atë kohë e për të cilat tani keni turp? Fundi i këtyre gjërave është vdekja. Por tani që jeni çliruar nga mëkati e jeni vënë në shërbim të Perëndisë, ju keni fituar udhëtimin drejt një jete të shenjtë, fundi i të cilit është jeta e amshuar. Sepse paga e mëkatit është vdekja, por dhurata e hirit të Perëndisë është jeta e amshuar që kemi me Krishtin Jezu, Zotin tonë.
Romakëve 6:19-23 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Unë po flas njerëzisht për shkak të dobësisë së mishit tuaj. Sepse ashtu si një kohë i kishit përkushtuar gjymtyrët tuaja për të qenë shërbëtorë të papastërtisë dhe të paudhësisë për të bërë paudhësinë, kështu tani përkushtoni gjymtyrët tuaj për të qenë shërbëtorë të drejtësisë për shenjtërim. Sepse, kur ishit shërbëtorë të mëkatit, ishit të lirë në lidhje me drejtësinë. Dhe çfarë fryt kishit, pra, atëherë, nga ato gjëra, për të cilat tani keni turp? Sepse fundi i tyre është vdekja. Por tani, pasi u liruat nga mëkati dhe u bëtë shërbëtorë të Perëndisë keni për frytin tuaj shenjtërimin dhe për fund jeta e përjetshme. Sepse paga e mëkatit është vdekja, por dhuntia e Perëndisë është jeta e përjetshme në Jezu Krishtin, Zotin tonë.