Romakëve 6:15-23
Romakëve 6:15-23 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Çfarë, pra? A të mëkatojmë meqë nuk jemi nën ligj, por nën hir? Larg qoftë! A nuk e dini se, duke u bërë skllevër të dikujt dhe duke iu bindur atij, ju bëheni skllevër të atij që i bindeni, qoftë të mëkatit që të çon në vdekje, qoftë të bindjes ndaj Perëndisë që të çon në një jetë të drejtë? Por i qofshim falë Perëndisë, sepse ju dikur ishit skllevër të mëkatit, ndërsa tani i jeni bindur me gjithë zemër gjedhes së mësimit që keni marrë. Ju u çliruat nga mëkati dhe u bëtë shërbëtorë të drejtësisë së Perëndisë. Po flas me shembuj njerëzorë, për shkak të dobësisë njerëzore që nuk kupton. Sikurse dikur i vinit gjymtyrët tuaja në shërbim të ndyrësisë e të paudhësisë, që të çojnë në paudhësi, kështu tani t'i vini gjymtyrët tuaja në shërbim të drejtësisë së Perëndisë që të çon në një jetë të shenjtë. Kur ishit skllevër të mëkatit, ju ishit të lirë për sa i përket drejtësisë së Perëndisë. Çfarë fituat, pra, nga gjërat që bënit në atë kohë e për të cilat tani keni turp? Fundi i këtyre gjërave është vdekja. Por tani që jeni çliruar nga mëkati e jeni vënë në shërbim të Perëndisë, ju keni fituar udhëtimin drejt një jete të shenjtë, fundi i të cilit është jeta e amshuar. Sepse paga e mëkatit është vdekja, por dhurata e hirit të Perëndisë është jeta e amshuar që kemi me Krishtin Jezu, Zotin tonë.
Romakëve 6:15-23 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Atëherë, çfarë? Të mëkatojmë sepse nuk jemi nën ligj, por nën hir? Kështu mos qoftë! A nuk e dini ju se nëse e tregoni veten shërbëtorë të atij që i bindeni, jeni shërbëtorë të atij që i bindeni, qoftë mëkatit për vdekje, qoftë dëgjesës për drejtësi? Por qoftë falënderuar Perëndia, sepse ishit shërbëtorë të mëkatit, por iu bindët me zemër atij mësimi që iu është transmetuar. Dhe, mbasi u liruat nga mëkati, u bëtë shërbëtorë të drejtësisë. Unë po flas njerëzisht për shkak të dobësisë së mishit tuaj. Sepse ashtu si një kohë i kishit përkushtuar gjymtyrët tuaja për të qenë shërbëtorë të papastërtisë dhe të paudhësisë për të bërë paudhësinë, kështu tani përkushtoni gjymtyrët tuaj për të qenë shërbëtorë të drejtësisë për shenjtërim. Sepse, kur ishit shërbëtorë të mëkatit, ishit të lirë në lidhje me drejtësinë. Dhe çfarë fryt kishit, pra, atëherë, nga ato gjëra, për të cilat tani keni turp? Sepse fundi i tyre është vdekja. Por tani, pasi u liruat nga mëkati dhe u bëtë shërbëtorë të Perëndisë keni për frytin tuaj shenjtërimin dhe për fund jeta e përjetshme. Sepse paga e mëkatit është vdekja, por dhuntia e Perëndisë është jeta e përjetshme në Jezu Krishtin, Zotin tonë.