Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Romakëve 6:1-14

Romakëve 6:1-14 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Çfarë të themi, pra? A do të vazhdojmë të jetojmë në mëkat, që Perëndia të na japë më shumë hir? Larg qoftë! Ne kemi vdekur për sa i përket mëkatit. E si mund të jetojmë ende në të? Apo nuk e dini se të gjithë ne që u pagëzuam në Krishtin Jezu, u pagëzuam në vdekjen e tij? Prandaj ne jemi varrosur me të përmes pagëzimit për t'u bashkuar me të në vdekjen e tij, në mënyrë që sikurse Krishti u ngjall prej të vdekurve përmes lavdisë së Atit, ashtu edhe ne të mund të jetojmë një jetë të re. Pra, nëse jemi bashkuar me të në vdekjen e tij, do të bashkohemi me të edhe në ngjalljen e tij. Ne e dimë se njeriu i vjetër që ishte në ne u kryqëzua me Krishtin, që të shkatërrohet natyra jonë mëkatare e të mos jemi më skllevër të mëkatit. Kush ka vdekur, është çliruar nga mëkati. Nëse kemi vdekur me Krishtin, besojmë se do të jetojmë bashkë me të. Ne e dimë se Krishti u ngjall prej të vdekurve dhe nuk mund të vdesë më, sepse vdekja nuk ka më pushtet mbi të. Kur vdiq, Krishti vdiq një herë e përgjithmonë për sa i përket mëkatit, por tani që jeton, jeton për Perëndinë. Kështu edhe ju duhet ta quani veten të vdekur për sa i përket mëkatit, por të gjallë për Perëndinë, me Krishtin Jezu. Prandaj mos lejoni të mbretërojë mëkati në trupin tuaj të vdekshëm, që t'ju bëjë t'u bindeni dëshirave të tij. Mos i vini gjymtyrët tuaja në shërbim të mëkatit si mjete padrejtësie, por kushtojani veten Perëndisë, si njerëz që kanë kaluar nga vdekja në jetë. Përkundrazi, gjymtyrët tuaja i vini në shërbim të Perëndisë, si mjete drejtësie. Sepse mëkati nuk do të ketë më pushtet mbi ju, përderisa ju nuk jeni nën ligjin, por nën hirin e Perëndisë.

Romakëve 6:1-14 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Çfarë të themi, pra? A të mbetemi në mëkat, që të teprojë hiri? Aspak! Ne që jemi të vdekur për mëkatin, si do të jetojmë akoma në të? Po a nuk e dini se ne të gjithë që u pagëzuam në Jezu Krishtin, u pagëzuam në vdekjen e tij? Ne, pra, u varrosëm me të me anë të pagëzimit në vdekje, që, ashtu si Krishti u ringjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne gjithashtu të ecim në risinë e jetës. Sepse, nëse u bashkuam me Krishtin në një vdekje të ngjashme me të tijën, do të jemi edhe e ringjalljes së tij, duke ditur këtë: se njeriu ynë i vjetër u kryqëzua me të, që trupi i mëkatit mund të jetë anuluar dhe që ne të mos i shërbejmë më mëkatit. Në fakt, ai që ka vdekur është shfajësuar nga mëkati. Tani nëse vdiqëm me Krishtin, ne besojmë gjithashtu që do të jetojmë me të, duke ditur se Krishti, që u ringjall prej së vdekurish, nuk vdes më; vdekja s'ka më pushtet mbi të. Sepse në atë që vdiq, vdiq për mëkatin një herë e për gjithmonë; por në atë që rron, rron për Perëndinë. Kështu edhe ju, konsideroheni veten të vdekur për mëkatin, por të gjallë për Perëndinë, në Jezu Krishtin, Zotin tonë. Le të mos mbretërojë, pra, mëkati në trupin tuaj të vdekshëm, që t'i bindeni atij në epshet e veta. As mos i jepni gjymtyrët tuaja në shërbim të mëkatit si mjete paudhësie, por tregoni veten tuaj te Perëndia, si të gjallë prej së vdekurish, dhe gjymtyrët tuaja si mjete drejtësie për Perëndinë. Në fakt mëkati nuk do të ketë më pushtet mbi ju, sepse nuk jeni nën ligj, por nën hir.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë