Romakëve 5:5-11
Romakëve 5:5-11 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Shpresa nuk na turpëron, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona përmes Shpirtit të shenjtë që na u dha. Kur ishim ende të dobët, Krishti vdiq në kohën e caktuar për ata që jetonin pa besim në Perëndinë. Në të vërtetë, vështirë se dikush do të jepte jetën për një njeri të drejtë. Ndoshta për një njeri të mirë dikush edhe do të guxonte të vdiste. Kur ishim ende mëkatarë, Krishti vdiq për ne. Me këtë Perëndia e tregoi dashurinë e tij për ne. Për më tepër, ne që tashmë jemi bërë të drejtë prej gjakut të Krishtit, do të shpëtojmë përmes tij edhe nga zemërimi i Perëndisë. Nëse u pajtuam me Perëndinë përmes vdekjes së Birit të tij kur ende ishim armiq me të, aq më tepër do të shpëtohemi prej jetës së Birit të tij tani që jemi pajtuar me të. Jo vetëm kaq, por ne edhe krenohemi me Perëndinë përmes Zotit tonë Jezu Krisht, nëpërmjet të cilit tashmë jemi pajtuar me të.
Romakëve 5:5-11 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Por shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë. Sepse, ndërsa ishin akoma pa forcë, Krishti vdiq në kohën e tij për të paudhët. Vështirë në fakt se vdes dikush për një të drejtë; mbase ndonjë do të guxonte të vdiste për një njeri të mirë. Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne. Shumë më tepër, pra, duke qenë tani të shfajësuar në gjakun e tij, do të shpëtojmë nga zemërimi me anë të tij. Në fakt, ndërsa ishim armiq, u pajtuam me Perëndinë nëpërmjet vdekjes së Birit të tij, akoma më shumë tani, që jemi pajtuar, do të shpëtohemi nëpërmjet jetës së tij. E jo vetëm kaq, por edhe mburremi në Perëndinë, nëpërmjet Zotit tonë Jezu Krisht, me anë të të cilit tani kemi marrë pajtimin.