Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Romakëve 5:1-21

Romakëve 5:1-21 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Përderisa jemi bërë të drejtë prej besimit, kemi paqe me Perëndinë përmes Zotit tonë Jezu Krisht. Përmes tij kemi hyrë me besim në hirin e Perëndisë, hir në të cilin qëndrojmë e krenohemi me shpresën se do të marrim pjesë në lavdinë e Perëndisë. Jo vetëm kaq, por ne krenohemi edhe kur kalojmë vuajtje, sepse e dimë se vuajtja sjell durimin, durimi sjell qëndresën në sprova dhe sprovat sjellin shpresën. Shpresa nuk na turpëron, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona përmes Shpirtit të shenjtë që na u dha. Kur ishim ende të dobët, Krishti vdiq në kohën e caktuar për ata që jetonin pa besim në Perëndinë. Në të vërtetë, vështirë se dikush do të jepte jetën për një njeri të drejtë. Ndoshta për një njeri të mirë dikush edhe do të guxonte të vdiste. Kur ishim ende mëkatarë, Krishti vdiq për ne. Me këtë Perëndia e tregoi dashurinë e tij për ne. Për më tepër, ne që tashmë jemi bërë të drejtë prej gjakut të Krishtit, do të shpëtojmë përmes tij edhe nga zemërimi i Perëndisë. Nëse u pajtuam me Perëndinë përmes vdekjes së Birit të tij kur ende ishim armiq me të, aq më tepër do të shpëtohemi prej jetës së Birit të tij tani që jemi pajtuar me të. Jo vetëm kaq, por ne edhe krenohemi me Perëndinë përmes Zotit tonë Jezu Krisht, nëpërmjet të cilit tashmë jemi pajtuar me të. Mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu e nëpërmjet mëkatit hyri vdekja. Kështu vdekja depërtoi te të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan. Në të vërtetë, mëkati ishte në botë edhe përpara se të jepej ligji, mirëpo mëkati nuk njihej si i tillë përderisa nuk kishte ligj. Megjithatë, që nga Adami deri te Moisiu, vdekja mbretëroi edhe mbi ata që nuk bënë të njëjtin mëkat si të Adamit, i cili shkeli urdhërimin e Perëndisë. Adami është gjedha e atij që do të vinte. Por dhurata e hirit të Perëndisë nuk mund të krahasohet me shkeljen e Adamit. Nëse prej shkeljes së një njeriu të vetëm vdiqën të gjithë, aq më shumë do të teprojnë për të gjithë hiri i Perëndisë dhe dhurata me anë të hirit e bërë nga një njeri i vetëm, Jezu Krishti. Dhurata e Perëndisë nuk është si e keqja që solli mëkati i një njeriu; sepse gjykimi që erdhi nga mëkati i një njeriu solli ndëshkim; ndërsa dhurata e hirit që na u dha pas shumë shkeljesh, na bëri të drejtë. Nëse vdekja mbretëroi përmes një njeriu të vetëm për shkak të shkeljes së tij, aq më tepër do të mbretërojnë në jetë ata që përmes një njeriu, Jezu Krishtit, marrin hirin e begatë dhe dhuratën e Perëndisë, që na bën të drejtë. Prandaj, sikurse përmes shkeljes së një njeriu të vetëm erdhi ndëshkimi për të gjithë njerëzit, ashtu edhe përmes veprës së drejtë të një njeriu Perëndia i bën të drejtë e u jep jetë të gjithë njerëzve. Sikurse përmes mosbindjes së një njeriu të vetëm të gjithë u bënë mëkatarë, ashtu edhe përmes bindjes së një njeriu të vetëm të gjithë do të bëhen të drejtë. Por kur erdhi ligji, u pa sesa të shumta ishin shkeljet. Mirëpo, aty ku mëkati ishte i shumtë, edhe më i shumtë ishte hiri i Perëndisë. Kështu, sikurse mëkati mbretëroi me anë të vdekjes, ashtu do të mbretërojë edhe hiri, duke na bërë të drejtë për të na çuar në jetën e amshuar përmes Jezu Krishtit, Zotit tonë.

Romakëve 5:1-21 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë, me anë të të cilit edhe patëm, nëpërmjet besimit, hyrjen në këtë hir në të cilin qëndrojmë të patundur dhe mburremi në shpresën e lavdisë së Perëndisë. Dhe jo vetëm kaq, por mburremi edhe në shtrëngimet, duke ditur që shtrëngimi prodhon këmbënguljen, këmbëngulja përvojën dhe përvoja shpresën. Por shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë. Sepse, ndërsa ishin akoma pa forcë, Krishti vdiq në kohën e tij për të paudhët. Vështirë në fakt se vdes dikush për një të drejtë; mbase ndonjë do të guxonte të vdiste për një njeri të mirë. Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne. Shumë më tepër, pra, duke qenë tani të shfajësuar në gjakun e tij, do të shpëtojmë nga zemërimi me anë të tij. Në fakt, ndërsa ishim armiq, u pajtuam me Perëndinë nëpërmjet vdekjes së Birit të tij, akoma më shumë tani, që jemi pajtuar, do të shpëtohemi nëpërmjet jetës së tij. E jo vetëm kaq, por edhe mburremi në Perëndinë, nëpërmjet Zotit tonë Jezu Krisht, me anë të të cilit tani kemi marrë pajtimin. Prandaj, ashtu si me anë të një njeriu të vetëm mëkati hyri në botë dhe me anë të mëkatit vdekja, po ashtu vdekja u shtri tek të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan; sepse, derisa u shpall ligji, mëkati ekzistonte në botë; por mëkati nuk numërohet nëse nuk ka ligj; por vdekja mbretëroi nga Adami deri te Moisiu edhe mbi ata që nuk kishin mëkatuar me një shkelje të ngjashme nga ajo e Adamit, që është figura e atij që duhej të vinte. Mirëpo hiri nuk është si shkelja; nëse në fakt për shkak të shkeljes së një njeriu të vetëm vdiqën shumë, shumë më tepër hiri i Perëndisë dhe dhurata me anë të hirit e një njeriu, Jezu Krishtit, i teproi për shumë të tjerë. Sa për dhuntinë, nuk ndodhi si për atë një që mëkatoi, sepse gjykimi prodhoi dënimin nga një shkelje e vetme, por hiri prodhoi shfajësimin nga shumë shkelje. Në fakt, në qoftë se prej shkeljes së këtij njërit vetëm vdekja mbretëroi për shkak të atij njërit, akoma më shumë ata që marrin bollëkun e hirit dhe të dhuratës se drejtësisë do të mbretërojnë në jetë me anë të atij njërit, që është Jezu Krishtit. Prandaj, ashtu si për një shkelje të vetme dënimi u shtri mbi të gjithë njerëzit, ashtu edhe me një akt të vetëm drejtësie, hiri u shtri mbi gjithë njerëzit për shfajësimin e jetës. Në fakt, ashtu si nga mosbindja e një njeriu të vetëm të shumtët u bënë mëkatarë, ashtu edhe nga bindja e një të vetmi të shumtët do të bëhen të drejtë. Por ligj i ndërhyri me qëllim që shkelja të teprohej; por aty ku mëkati është i tepruar, hiri është akoma më i tepërt, me qëllim që ashtu si mëkati ka mbretëruar te vdekja, ashtu edhe hiri të mbretërojë me anë të drejtësisë në jetën e përjetshme nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë