Romakëve 4:1-25
Romakëve 4:1-25 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Ç'të themi, pra, për Abrahamin, stërgjyshin tonë? Çfarë fitoi ai si njeri? Nëse Abrahami do të ishte bërë i drejtë falë veprave, atëherë ai do të kishte pse të mburrej, por jo para Perëndisë. Çfarë thotë Shkrimi? Abrahami i besoi Perëndisë dhe falë besimit Perëndia e bëri të drejtë. Shpërblimi që i jepet punëtorit nuk është dhuratë, por është detyrim. Ndërsa ai që nuk ka vepra, por i beson Perëndisë që bën të drejtë mëkatarin, për shkak të besimit, bëhet i drejtë. Po ashtu edhe Davidi e quan të lum njeriun që Perëndia e bën të drejtë pa vepra: lum ata të cilëve u janë falur paudhësitë e u janë fshirë mëkatet! Lum njeriu, të cilit Zoti nuk do t'ia llogarisë mëkatin! A vlen kjo lumni vetëm për të rrethprerët apo edhe për të parrethprerët? Ne sapo thamë: falë besimit Perëndia e bëri të drejtë Abrahamin. Po kur e bëri të drejtë? Kur ishte i rrethprerë apo kur ishte i parrethprerë? Jo kur ishte i rrethprerë, por kur ishte i parrethprerë. Abrahami e mori shenjën e rrethprerjes si vulë që tregonte se ishte bërë i drejtë përmes besimit kur ishte ende i parrethprerë. Kështu, ai u bë ati i të gjithë atyre që besojnë në Perëndinë pa u rrethprerë, në mënyrë që Perëndia t'i bëjë të drejtë për shkak të besimit. Ai u bë edhe ati i atyre të rrethprerëve që nuk janë vetëm të rrethprerë, por që edhe ecin në gjurmët e besimit që kishte ati ynë, Abrahami, para se të rrethpritej. Perëndia i premtoi Abrahamit dhe pasardhësve të tij se Abrahami do të trashëgonte botën jo përmes bindjes ndaj ligjit, por përmes besimit që e bëri atë të drejtë. Nëse ata që i binden ligjit do të bëheshin trashëgimtarë të premtimit, atëherë besimi do të ishte i kotë dhe premtimi nuk do të kishte më vlerë. Sepse ligji sjell zemërimin e Perëndisë, por ku nuk ka ligj, nuk ka as shkelje të ligjit. Prandaj, premtimi përmbushet prej besimit, që të jetë nga hiri i Perëndisë dhe të jetë i sigurt për të gjithë pasardhësit e Abrahamit, jo vetëm për ata që e zbatojnë ligjin, por edhe për ata që besojnë si Abrahami. Ai është ati i ne të gjithëve, sikurse është shkruar: të kam bërë atë të shumë kombeve. Ai është ati ynë para Perëndisë të cilit i besoi, Perëndisë që u jep jetë të vdekurve dhe që me anë të fjalës së tij krijoi gjithçka që nuk kishte qenë më parë. Kundër çdo shprese, Abrahami besoi me shpresë se do të bëhej atë i shumë kombeve, sipas asaj që ishte thënë: kështu do të jenë pasardhësit e tu. Abrahamit nuk iu dobësua besimi edhe kur ishte rreth njëqind vjeç dhe kuptoi se trupi i tij dhe i Sarës ishin pothuaj të vdekur e nuk mund të lindnin fëmijë. Ai nuk e humbi besimin e nuk dyshoi në premtimin e Perëndisë, por u forcua prej besimit dhe i dha lavdi Perëndisë. Ai ishte plotësisht i bindur se Perëndia ishte në gjendje të bënte gjithçka kishte premtuar. Prandaj, falë besimit, Perëndia e bëri të drejtë. Fjalët «u bë i drejtë» nuk u shkruan vetëm për të, por edhe për ne. Të drejtë do të na bëjë edhe ne që i besojmë atij që e ngjalli Zotin tonë Jezu prej të vdekurve. Ai iu dorëzua vdekjes për shkak të paudhësive tona dhe u ngjall që ne të bëhemi të drejtë.
Romakëve 4:1-25 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Çfarë do të themi, pra, në lidhje me atë që ati ynë Abrahami, ka përfituar sipas mishit? Sepse nëse Abrahami ishte shfajësuar nëpërmjet veprave, ai ka përse të lëvdohet; ndërsa përpara Perëndisë ai nuk ka asgjë për t'u lëvduar. Në fakt, çfarë thotë Shkrimi? ''Por Abrahami i besoi Perëndisë dhe kjo iu numërua për drejtësi''. Edhe atij që vepron, shpërblimi nuk i konsiderohet si hir por si borxh; ndërsa atij që nuk vepron, por beson në atë që shfajëson të paudhin, besimi i tij i numërohet për drejtësi. Sikurse Davidi shpall lumturinë e njeriut të cilit Perëndia numëron drejtësi pa vepra, duke thënë: ''Lum ata të cilëve u janë falur paudhësitë dhe të cilëve mëkatet u janë mbuluar. Lum njeriu të cilit Zoti nuk do t'ia numërojë mëkatin''. Por kjo lumturi a vlen vetëm për të rrethprerët, apo edhe për të parrethprerët? Sepse ne themi se besimi iu numërua Abrahamit si drejtësi. Në ç'mënyrë, pra, iu numërua? Kur ai ishte i rrethprerë apo i parrethprerë? Jo ndërsa ishte i rrethprerë, por kur ishte i parrethprerë. Pastaj mori shenjën e rrethprerjes, si vulë të drejtësisë për besimin që kishte patur kur ishte akoma i parrethprerë, me qëllim që të ishte ati i gjithë atyre që besojnë edhe se janë të parrethprerë, me qëllim që edhe atyre t'u numërohet drejtësia, dhe të ishte atë i të rrethprerëve të vërtetë, pra i atyre që jo vetëm janë të rrethprerë, por që ndjekin edhe gjurmët e besimit të atit tonë Abrahamit, që ai pati ndërsa ishte i parrethprerë. Në fakt premtimi për të qenë trashëgimtar i botës nuk iu bë Abrahamit dhe pasardhësve të tij nëpërmjet ligjit, por nëpërmjet drejtësisë së besimit. Sepse nëse janë trashëgimtarë ata që janë të ligjit, besimi bëhet i kotë dhe premtimi anulohet, sepse ligji prodhon zemërimin; në fakt atje ku nuk ka ligj, nuk ka as shkelje. Prandaj trashëgimia është nëpërmjet besimit; në këtë mënyrë ajo është nëpërmjet hirit, me qëllim që premtimi të jetë i siguruar për të gjithë pasardhësit, jo vetëm për atë që është nga ligji, por edhe për atë që vjen nga besimi i Abrahamit, i cili (siç është shkruar: ''Unë të kam caktuar atin e shumë kombeve''), është ati i të gjithë neve para Perëndisë që ai besoi, i cili i jep jetë të vdekurve dhe thërret gjërat që nuk janë sikur të ishin. Ai, duke shpresuar kundër çdo shprese, besoi për t'u bërë ati i shumë kombeve sipas asaj që i ishte thënë: ''Kështu do të jetë pasardhja jote''. Dhe, duke mos qenë aspak i dobët në besim, nuk i kushtoi kujdes trupit të tij, i bërë tashmë si i vdekur (ishte pothuaj njëqind vjeç) as barkut të vdekur të Sarës. Madje as nuk dyshoi nga mosbesimi në lidhje me premtimin e Perëndisë, por u përforcua në besim duke i dhënë lavdi Perëndisë, plotësisht i bindur se atë që ai kishte premtuar ishte edhe i fuqishëm ta bënte. Prandaj edhe kjo iu numërua atij për drejtësi. E po nuk u shkrua vetëm për të, që kjo i ishte numëruar, por edhe për ne, të cilëve do të na numërohet, neve që besojmë në atë që ka ringjallur prej të vdekurve Jezusin, Zotin tonë, i cili u dha për shkak të fyerjeve tona dhe u ringjall për justifikimin tonë.