Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Romakëve 2:6-29

Romakëve 2:6-29 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Perëndia do ta shpërblejë çdonjërin sipas veprave të veta. Atyre që me durim kërkojnë lavdi, nder e pavdekësi në vepra të mira, do t'u japë jetën e amshuar, ndërsa ata që janë kryeneçë e nuk i binden së vërtetës, por i binden padrejtësisë, i pret zemërimi e tërbimi i Perëndisë. Për çdo qenie njerëzore që bën ligësi do të ketë mundim e ankth, së pari për judeun, por edhe për helenin. Por për këdo që bën të mirën, do të ketë lavdi, nder e paqe, së pari për judeun, por edhe për helenin. Sepse Perëndia nuk është i njëanshëm. Të gjithë ata që kanë mëkatuar pa e njohur ligjin, nuk do të ndëshkohen sipas këtij ligji, ndërsa të gjithë ata që kanë mëkatuar duke e njohur ligjin, do të gjykohen sipas tij. Të drejtë para Perëndisë nuk janë ata që e dëgjojnë ligjin, por ata që e zbatojnë atë. Kur kombet që nuk e kanë ligjin, zbatojnë vetvetiu çfarë thotë ligji, megjithëse nuk e kanë ligjin, ato veprojnë si ta kishin atë brenda vetes së tyre. Me këtë ata tregojnë se urdhërimet e ligjit janë të shkruara në zemrat e tyre, gjë për të cilën dëshmon edhe ndërgjegjja e tyre, edhe mendimet e tyre të brendshme, që herë i akuzojnë për faj e herë i shfajësojnë. Kjo do të dalë në dritë ditën kur Perëndia do të gjykojë të fshehtat e njerëzve përmes Krishtit Jezu, siç e pohon ungjilli që predikoj unë. Çfarë të themi për ty që e quan veten jude? Ti mbështetesh te ligji e mburresh me Perëndinë, e njeh vullnetin e tij dhe ligji të ka mësuar të dallosh të mirën. Ti je i bindur se je udhëheqës i të verbërve e dritë për ata që janë në errësirë, edukator i të panxënëve e mësues i të miturve në besim, sepse në ligj ke dijen e plotë dhe gjithë të vërtetën. Ti, pra, që mëson të tjerët, nuk mëson dot veten? Ti që predikon se nuk duhet vjedhur, vjedh? Ti që thua se nuk duhet bërë tradhti bashkëshortore, bën tradhti bashkëshortore? Ti që ke neveri idhujt, plaçkit tempuj? Ti që mburresh me ligjin, çnderon Perëndinë duke e shkelur këtë ligj? Sepse, siç është shkruar: për shkakun tuaj emri i Perëndisë shahet ndër kombe. Rrethprerja është e dobishme nëse ti zbaton ligjin, por nëse je shkelës i tij, rrethprerja jote nuk vlen. Prandaj, nëse i parrethpreri respekton urdhërimet e ligjit, a nuk do t'ia njohë atij Perëndia parrethprerjen si rrethprerje? Ai që është i parrethprerë, por e zbaton ligjin, do të të gjykojë ty, që, megjithëse je i rrethprerë dhe e ke të shkruar ligjin, je shkelës i këtij ligji. Sepse jude i vërtetë nuk është ai që duket i tillë së jashtmi dhe rrethprerja nuk është diçka e jashtme apo trupore, por jude i vërtetë është ai që është i tillë së brendshmi. Rrethprerja e vërtetë është ajo e zemrës, që bëhet në Shpirt e jo në shkronjë. Lavdia e judeut të vërtetë nuk vjen nga njerëzit, por nga Perëndia.

Romakëve 2:6-29 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

që do ta shpaguajë secilin sipas veprave të tij: jetë të përjetshme atyre që kërkojnë lavdi, nder e pavdekësi, duke ngulmuar në veprat e mira; ndërsa atyre që kundërshtojnë e nuk i binden së vërtetës, por i binden padrejtësisë, indinjatë dhe zemërim. Mundim dhe ankth mbi çdo shpirt njeriu që bën të ligën, judeut më parë e pastaj grekut; por lavdi, nder e paqe cilitdo që bën të mirën, judeut më parë e pastaj grekut. Sepse te Perëndia nuk ka anësi. Në fakt të gjithë ata që kanë mëkatuar pa ligjin, do të humbasin gjithashtu pa ligj; dhe të gjithë ata që kanë mëkatuar nën ligjin do të gjykohen sipas ligjit, sepse jo ata që dëgjojnë ligjin janë të drejtë para Perëndisë, por ata që e zbatojnë ligjin do të shfajësohen. Në fakt kur johebrenjtë, që s'kanë ligjin, nga natyra bëjnë punët e ligjit, ata, megjithëse s'kanë ligjin, janë ligj për vetveten; këta tregojnë veprën e ligjit të shkruar në zemrat e tyre për dëshminë që jep ndërgjegjja e tyre, dhe sepse mendimet e tyre shfajësojnë ose edhe akuzojnë njëri-tjetrin, ditën në të cilën Perëndia do të gjykojë të fshehtat e njerëzve me anë të Jezu Krishtit, sipas ungjillit tim. Ja, ti quhesh Jude, bazohesh mbi ligjin dhe lëvdohesh në Perëndinë, njeh vullnetin e tij dhe dallon gjërat e rëndësishme, duke qenë i mësuar prej ligjit, dhe je i bindur se je prijësi i të verbërve, drita e atyre që janë në errësirë, udhëzues i të marrëve, mësues i të miturve, sepse ke formën e njohurisë dhe të së vërtetës në ligj. Ti, pra, që mëson të tjerët, nuk mëson veten? Ti që predikon se nuk duhet vjedhur, vjedh? Ti që thua se nuk duhet shkelur kurora, shkel kurorën? Ti që ke neveri për idhujt, pse i plaçkit tempujt? Ti që lëvdohesh me ligjin, e çnderon Perëndinë duke e shkelur ligjin? Në fakt, siç është shkruar: ''Për shkakun tuaj, emri i Perëndisë blasfemohet ndër johebrenj''. Sepse rrethprerja është e dobishme në qoftë se ti respekton ligjin, por në qoftë se je shkelës i ligjit, rrethprerja jote bëhet parrethprerje. Prandaj në qoftë se një i parrethprerë respekton statutet e ligjit, a nuk do të çmohet parrethprerja e tij si rrethprerje? Dhe, në qoftë se ai që prej natyrës është i parrethprerë e plotëson ligjin, a nuk do të të gjykojë ai ty që me shkronjën dhe me rrethprerjen je shkelës i ligjit? Në fakt jude nuk është ai që duket i tillë nga jashtë, dhe rrethprerja nuk është ajo që duket në mish; por jude është ai që është i tillë përbrenda, dhe rrethprerja është ajo e zemrës, në frymë dhe jo në shkronjë; dhe për një jude të tillë lavdërimi nuk buron nga njerëzit, por nga Perëndia.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë