Romakëve 2:1-6
Romakëve 2:1-6 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Prandaj, o njeri, cilido të jesh ti që e gjykon, je i pafalshëm sepse në këtë që gjykon tjetrin, dënon vetveten, sepse ti që gjykon bën të njëjtat gjëra. Por ne e dimë se gjykimi i Perëndisë është sipas së vërtetës mbi ata që bëjnë gjëra të tilla. Dhe mendon, vallë, o njeri që gjykon ata që bëjnë të tilla gjëra që edhe ti i bën, t'i shpëtosh gjykimit të Perëndisë? Apo i përçmon pasuritë e mirësisë së tij, të durimit dhe zemërgjerësisë së tij, duke mos njohur që mirësia e Perëndisë të prin në pendim? Por ti, për shkak të ashpërsisë sate dhe të zemrës së papenduar, po mbledh për veten tënde zemërim për ditën e zemërimit dhe të zbulesës së gjykimit të drejtë të Perëndisë, që do ta shpaguajë secilin sipas veprave të tij
Romakëve 2:1-6 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Ti, o njeri, që gjykon të tjerët, kushdo qofsh, nuk ke asnjë shfajësim. Duke gjykuar tjetrin, dënon vetveten, sepse ti që gjykon, bën të njëjtat gjëra. Ne e dimë se gjykimi i Perëndisë për ata që bëjnë këto gjëra është sipas së vërtetës. A mendon se do t'i shpëtosh gjykimit të Perëndisë, o njeri, që gjykon ata që bëjnë të njëjtat gjëra që i bën edhe ti? Apo i përçmon pasuritë e mirësisë, të durimit dhe zemërgjerësisë së Perëndisë pa e ditur se mirësia e tij të çon në pendim? Por me ashpërsinë tënde dhe me zemrën e papenduar po i përgatit vetes një zemërim të madh për ditën kur Perëndia do të zbulojë zemërimin dhe gjykimin e tij të drejtë. Perëndia do ta shpërblejë çdonjërin sipas veprave të veta.