Romakëve 12:9-21
Romakëve 12:9-21 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Dashuria të jetë pa shtirje. Urreni të keqen, kapuni pas së mirës. Duajeni njëri-tjetrin si vëllezër. Nderojeni tjetrin më shumë se veten. Mos t'ju mungojë zelli, por me zjarr në shpirt t'i shërbeni Zotit. Ngazëlloni në shpresë, duroni në vuajtje, këmbëngulni në lutje. Jepni për nevojat e të shenjtëve, jini mikpritës. Bekoni ata që ju përndjekin, bekoni e mos mallkoni. Gëzoni me ata që gëzojnë, vajtoni me ata që vajtojnë. Jini në një mendje me njëri-tjetrin; mos jini mendjemëdhenj, por përfillni të përulurit. Mos e mbani veten për të mençur. Mos ia ktheni askujt të keqen me të keqe. Kujdesuni të bëni të mirën në sytë e të gjithë njerëzve. Nëse është e mundur, për aq sa varet prej jush, jetoni në paqe me të gjithë njerëzit. Fort të dashur! Mos kërkoni shpagim, por lërini vend zemërimit të Perëndisë. Sepse është shkruar: shpagimi më përket mua dhe unë jam ai që do të marrë shpagim, thotë Zoti. Por, nëse armiku yt ka uri, jepi të hajë; nëse ka etje, jepi të pijë. Duke bërë kështu do të grumbullosh thëngjij të ndezur mbi kokën e tij. Mos u mposhtni nga e keqja, por mposhteni të keqen me të mirën.
Romakëve 12:9-21 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dashuria le të mos jetë me hipokrizi; urreni të keqen dhe ngjituni pas së mirës. Duajeni njëri-tjetrin me dashuri vëllazërore; në nderim tregoni kujdes njëri me tjetrin. Mos u tregoni të përtuar në zell; jini të zjarrtë në frymë, shërbeni Perëndisë, të gëzuar në shpresë, të qëndrueshëm në shtrëngime, këmbëngulës në lutje; ndihmoni për nevojat e shenjtorëve, jini mikpritës. Bekoni ata që ju përndjekin, bekoni dhe mos mallkoni. Gëzohuni me ata që gëzohen, dhe qani me ata që qajnë. Kini të njëjtat mendime njëri me tjetrin; mos lakmoni për lart, por rrini me të përulurit; mos e mbani veten për të mençur. Mos ia ktheni kurrkujt të keqen me të keqe, kërkoni të bëni të mirën përpara gjithë njerëzve. Po të jetë e mundur dhe aq sa varet prej jush, jetoni në paqe me gjithë njerëzit. Mos u hakmerrni për veten tuaj, o të dashur, por i jepni vend zemërimit të Perëndisë, sepse është shkruar: ''Mua më përket hakmarrja, unë kam për të shpaguar, thotë Zoti''. ''Në qoftë se armiku yt, pra, ka uri, jepi të hajë; në pastë etje, jepi të pijë; sepse, duke bërë këtë, do të grumbullosh mbi krye të tij thëngjij të ndezur''. Mos u mund nga e keqja, por munde të keqen me të mirën.