Romakëve 1:21-28
Romakëve 1:21-28 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Sepse, ndonëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan dhe nuk e falënderuan si Perëndi, por u marrosën në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre e pandjeshme u errësua. Duke e mbajtur veten për të ditur, u bënë të marrë dhe e shndërruan lavdinë e Perëndisë së pavdekshëm në një shëmbëllim të ngjashëm me njeriun e vdekshëm, me shpendët, me katërkëmbëshat e me rrëshqanorët. Prandaj Perëndia i dorëzoi ata në epshet e ndyra të zemrave të tyre, që të çnderojnë trupat e njëri-tjetrit. Ata e shndërruan të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër, adhuruan dhe i shërbyen krijesës në vend të krijuesit që është i bekuar përjetë. Amen! Prandaj Perëndia i dorëzoi ata në epshe të turpshme. Gratë e tyre i shndërruan marrëdhëniet e natyrshme në marrëdhënie kundër natyrës. Po ashtu edhe burrat, duke lënë marrëdhëniet e natyrshme me gratë, u ndezën në epshin e tyre për njëri-tjetrin. Burra kryen vepra të pahijshme me burra, duke marrë mbi vete shpagimin e duhur për fajin e tyre. Meqenëse ata nuk pranuan ta njihnin Perëndinë, ai i dorëzoi në një mendje të çoroditur për të bërë gjëra që nuk duhen bërë.
Romakëve 1:21-28 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Sepse, megjithëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan as e falënderuan si Perëndi, përkundrazi u bënë të pamend në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim u errësua. Duke e deklaruar veten të urtë, u bënë të marrë, dhe e ndërruan lavdinë e Perëndisë së paprishshëm në një shëmbëllim të ngjashëm me atë të një njeriu të prishshëm, të shpendëve, të katërkëmbëshave dhe të rrëshqanorëve. Prandaj Perëndia ia dorëzoi papastërtisë në epshet e zemrave të tyre, për të çnderuar trupat e tyre në mes vetë atyre, që e ndryshuan të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër dhe adhuruan dhe i shërbyen krijesës në vend të Krijuesit, që është i bekuar përjetë. Amen. Prandaj Perëndia i dorëzoi ata në pasioneve të ulëta, sepse edhe gratë e tyre i shndërruan marrëdhëniet natyrore në atë që është kundër natyrës. Në të njëjtën mënyrë burrat, duke lënë marrëdhëniet e natyrshme me gruan, u ndezën në epshin e tyre për njëri-tjetrin, duke kryer akte të pandershme burra me burra, duke marrë në vetvete shpagimin e duhur për gabimin e tyre. Dhe meqenëse nuk e quajtën me vend të njihnin Perëndinë, Perëndia i dorëzoi në një mendje të çoroditur, për të bërë gjëra të pahijshme