Romakëve 1:18-23
Romakëve 1:18-23 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Sepse zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli për çdo pabesi e padrejtësi të njerëzve, që mbysin të vërtetën në padrejtësi, meqenëse ajo që mund të njihet prej Perëndisë është bërë e dukshme në ta, sepse Perëndia ua ka shfaqur atyre. Në fakt cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë, me qëllim që ata të jenë të pafalshëm. Sepse, megjithëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan as e falënderuan si Perëndi, përkundrazi u bënë të pamend në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim u errësua. Duke e deklaruar veten të urtë, u bënë të marrë, dhe e ndërruan lavdinë e Perëndisë së paprishshëm në një shëmbëllim të ngjashëm me atë të një njeriu të prishshëm, të shpendëve, të katërkëmbëshave dhe të rrëshqanorëve.
Romakëve 1:18-23 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli kundër çdo mosbesimi e padrejtësie të njerëzve që me padrejtësi i zënë frymën së vërtetës. Perëndia është i zemëruar me ta për shkak se gjithçka që mund të njihet për të është e dukshme, sepse vetë Perëndia ua ka bërë të dukshme atyre. Që nga krijimi i botës cilësitë e padukshme të Perëndisë, fuqia e tij e përjetshme dhe natyra e tij hyjnore kuptohen dhe duken qartë prej gjërave që ka bërë. Prandaj ata nuk mund të kenë asnjë shfajësim. Sepse, ndonëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan dhe nuk e falënderuan si Perëndi, por u marrosën në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre e pandjeshme u errësua. Duke e mbajtur veten për të ditur, u bënë të marrë dhe e shndërruan lavdinë e Perëndisë së pavdekshëm në një shëmbëllim të ngjashëm me njeriun e vdekshëm, me shpendët, me katërkëmbëshat e me rrëshqanorët.