Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zbulesa 2:8-17

Zbulesa 2:8-17 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

«Engjëllit të kishës në Smirnë shkruaji: kështu thotë i pari dhe i fundit, që vdiq, por u kthye në jetë: e njoh pikëllimin dhe varfërinë tënde, por je i pasur. I di edhe fyerjet që thonë kundër teje ata që hiqen se janë judenj e që në të vërtetë nuk janë, por janë sinagogë e Satanit. Mos ki frikë nga ato që do të vuash! Ja, djalli do të hedhë në burg disa prej jush, që të viheni në provë dhe për dhjetë ditë do të keni pikëllim. Qëndro besnik deri në vdekje dhe do të të jap kurorën e jetës. Kush ka veshë, le të dëgjojë çfarë u thotë kishave Shpirti: ai që fiton nuk do të preket nga vdekja e dytë». «Engjëllit të kishës në Pergam shkruaji: kështu thotë ai që ka shpatën e mprehtë me dy tehe: e di ku banon, atje ku është froni i Satanit. E ke ruajtur emrin tim dhe nuk e ke mohuar besimin në mua edhe gjatë ditëve të Antipës, dëshmitarit tim besnik, që u vra mes jush atje ku banon Satani. Por kam disa gjëra kundër teje. Ke aty disa që ndjekin mësimin e Balaamit, që e mësonte Balakun t'u bëhej pengesë bijve të Izraelit, t'i bënte të hanin flijime idhujsh e të jepeshin pas kurvërisë. Ke edhe nga ata që ndjekin mësimin e nikolaitëve. Pendohu, pra! Përndryshe do të vij së shpejti e do t'i luftoj me shpatën e gojës sime. Kush ka veshë le të dëgjojë çfarë u thotë kishave Shpirti: atij që fiton do t'i jap nga mana e fshehur. Do t'i jap edhe një gur të bardhë, ku do të jetë shkruar një emër i ri që askush nuk e di, përveç atij që e merr».

Zbulesa 2:8-17 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

''Dhe engjëllit të kishës në Smirnë, shkruaji: këtë thotë i pari dhe i fundit, që qe i vdekur dhe kthehej në jetë. Unë i njoh veprat e tua, dhe shtrëngimin e varfërinë (por ti je i pasur) dhe blasfeminë e atyre që e quajnë veten judenj, por nuk janë, por janë një sinagogë e Satanit. Mos ki frikë nga ato për të cilat do të vuash; ja, djalli do të hedhë disa prej jush në burg, që të provoheni, dhe ju do të keni shtrëngim për dhjetë ditë. Ji besnik deri në vdekje dhe unë do të të jap kurorën e jetës. Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që Fryma u thotë kishave: kush fiton nuk do të preket nga vdekja e dytë''. ''Dhe engjëllit të kishës në Pergam, shkruaji: Këto gjëra thotë ai që ka shpatën e mprehtë me dy tehe: Unë i di veprat e tua dhe ku banon, atje ku është froni i Satanit; dhe ti mbahesh fort tek emri im dhe nuk e mohove besimin në mua, edhe në ato ditë kur Antipa, dëshmitari im, besnik, u vra midis jush, atje ku banon Satani. Por kam disa gjëra kundër teje: sepse ke aty disa që mbajnë mësimin e Balaamit, i cili e mësoi Balakun t'u vërë një gurë pengese përpara bijve të Izraelit që të hanë flijime idhujsh dhe të kurvërojnë. Kështu ti ke edhe disa që mbajnë mësimin e nikolaitëve, të cilën gjë e urrej. Pendohu, përndryshe do të vij së shpejti te ti dhe do të luftoj kundër tyre me shpatën e gojës sime. Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që Fryma u thotë kishave: kujt fiton do t'i jap të hajë nga mana që është fshehur; dhe do t'i jap një gur të bardhë, dhe mbi gur është shkruar një emër i ri, të cilin s'e njeh askush, përveç atij që e merr''.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë