Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zbulesa 2:18-29

Zbulesa 2:18-29 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

«Engjëllit të kishës në Tiatirë shkruaji: kështu thotë Biri i Perëndisë, ai që i ka sytë si flakë zjarri dhe këmbët e të cilit ngjajnë me bronz të kulluar: i njoh veprat e tua, dashurinë, besimin, shërbimin dhe durimin tënd. Di edhe që veprat e tua të fundit janë më të shumta se të parat. Por kam diçka kundër teje. Ti lejon Izebelën, një grua që e quan veten profeteshë, të mësojë e të mashtrojë shërbëtorët e mi, duke i shtyrë të jepen pas kurvërisë e të hanë flijime idhujsh. I dhashë kohë të pendohet, por ajo nuk dëshiron të heqë dorë nga kurvëria e saj. Ja, unë do ta bëj të zërë shtratin dhe ata që bëjnë tradhti bashkëshortore me të do të kenë vuajtje të mëdha nëse nuk pendohen për ato që bëjnë. Bijtë e saj do t'i ndëshkoj me vdekje dhe le ta marrin vesh të gjitha kishat se unë jam ai që shqyrton mendimet dhe dëshirat. Secilit prej jush do t'i jap sipas veprave të veta. Ju të tjerëve në Tiatirë, që nuk i ndiqni mësimet e saj e nuk i njihni ato që i quajnë “thellësitë e Satanit”, nuk do t'ju vë barrë tjetër, por mbani fort ato që keni, derisa të kthehem unë. Atij që fiton dhe bën deri në fund veprat e mia, do t'i jap pushtet mbi kombet, të cilat ai do t'i udhëheqë me skeptër të hekurt e do t'i thyejë si enë balte, ashtu siç e mora edhe unë pushtetin nga Ati im. Atij do t'i jap edhe yllin e mëngjesit. Kush ka veshë le të dëgjojë çfarë u thotë kishave Shpirti».

Zbulesa 2:18-29 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

''Edhe engjëllit të kishës në Tiatirë shkruaji: Këto gjëra thotë Biri i Perëndisë, ai që ka sytë si flakë zjarri dhe këmbët e tij janë të ngjashëm me bronz të shkëlqyeshëm. Unë i njoh veprat e tua, dashurinë tënde, besimin tënd, shërbimin tënd, durimin tënd dhe di që veprat e tua të fundit janë më të shumta se të parat. Por kam disa gjëra kundër teje, sepse ti e lejon gruan Jezabel, që e quan veten profeteshë, të mësojë dhe t'i mashtrojë shërbëtorët e mi të kurvërojnë dhe të hanë gjëra të flijuara idhujve. Dhe i dhashë kohë që të pendohet për kurvërinë e saj, por ajo nuk u pendua. Ja, unë e flak atë në një shtrat vuajtjesh, dhe ata që kurvërojnë me të, në shtrëngim të madh, po nuk u penduan për veprat e tyre. Dhe do t'i godas me vdekje bijtë e saj; dhe të gjitha kishat do të njohin se unë jam ai që heton mendjet dhe zemrat; dhe do t'i jap gjithsecilit nga ju sipas veprave të veta. Por juve dhe të tjerëve që janë në Tiatirë, që nuk kanë këtë doktrinë dhe nuk i kanë njohur thellësirat e Satanit, siç e quajnë ata, unë them: nuk do të vë barrë tjetër mbi ju; por mbajeni fort atë që keni, derisa të vij. Dhe kujt fiton dhe i ruan deri në fund veprat e mia, do t'i jap pushtet mbi kombet; dhe ai do t'i qeverisë ata me një shufër hekuri dhe ata do të thyhen si enë argjile, sikurse mora edhe unë pushtet prej Atit tim; dhe unë do t'i jap atij yllin e mëngjesit. Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që Fryma u thotë kishave''.