Zbulesa 19:11-16
Zbulesa 19:11-16 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pastaj pashë qiellin të hapur dhe një kalë të bardhë. Kalorësi quhej «Besimtar dhe i Vërtetë». Ai gjykon e lufton me drejtësi. Sytë e tij ishin si flakë zjarri, ndërsa mbi kokë mbante shumë kurora të vogla. Ai kishte të shkruar një emër që nuk e dinte askush përveç tij. Ishte i veshur me rroba të ngjyera në gjak dhe mbante emrin «Fjala e Perëndisë». Pas tij vinin ushtritë e qiellit, hipur mbi kuaj të bardhë dhe veshur me rroba të ndritshme prej liri të pastër. Nga goja e tij dilte një shpatë e mprehtë, me të cilën do të mposhtë kombet. Ai do t'i sundojë me skeptër të hekurt dhe do ta shtrydhë rrushin në vozën e verës së zemërimit të tmerrshëm të Perëndisë së gjithëpushtetshëm. Mbi rrobë dhe mbi kofshë kishte të shkruar emrin «Mbreti i mbretërve dhe Zoti i zotërve».
Zbulesa 19:11-16 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dhe pashë qiellin e hapur, dhe ja, një kalë i bardhë, dhe ai që e kalëronte quhet Besniku dhe i Vërteti; dhe ai gjykon dhe lufton me drejtësi. Dhe sytë e tij ishin si flakë zjarri dhe mbi kryet e tij ishin shumë kurora; edhe kishte një emër të shkruar, që askush nuk e di përveç atij; Dhe ishte i veshur me një rrobë të ngjyer në gjak; dhe emri i tij quhet: "Fjala e Perëndisë". Dhe ushtritë që janë në qiell e ndiqnin mbi kuaj të bardhë, të veshur me rroba liri të hollë, të bardhë dhe të pastër. Dhe nga goja e tij dilte një shpatë e mprehtë për të goditur me të kombet; dhe ai do të qeverisë me skeptër prej hekuri dhe ai vetë do të shkelë vozën e verës së mërisë dhe të zemërimit të Perëndisë së plotfuqishëm. Dhe mbi rrobën e vet dhe mbi kofshën ishte shkruar një emër: MBRETI I MBRETËRVE dhe ZOTI I ZOTËRVE.