Zbulesa 19:1-21
Zbulesa 19:1-21 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pastaj dëgjova në qiell një si zë të lartë turme të madhe që tha: «Aleluja! Shpëtimi, lavdia e fuqia i përkasin Perëndisë tonë, se gjykimet e tij janë të vërteta e të drejta. Ai e gjykoi laviren e madhe që e çoi tokën në shthurje me kurvërinë e saj dhe mori shpagim për gjakun e shërbëtorëve të tij të vrarë nga duart e saj». Pastaj thanë përsëri: «Aleluja! Tymi i shkrumbimit të saj ngjitet lart, në shekuj të shekujve». Atëherë të njëzet e katër pleqtë e të katër gjallesat ranë përmbys dhe adhuruan Perëndinë që rri ulur në fron duke thënë: «Amen! Aleluja!». Pastaj nga froni doli një zë që tha: «Lëvdoni Perëndinë tonë të gjithë ju shërbëtorët e tij dhe ju që e druani, të mëdhenj e të vegjël». Dëgjova edhe një si zë turme të madhe, posi ushtimë detesh e bubullimash të forta që tha: «Aleluja! Mbretëroi Zoti, Perëndia ynë i gjithëpushtetshëm. Le të gëzohemi e të ngazëllehemi, le t'i japim lavdi atij, se erdhi dasma e Qengjit dhe nusja është bërë gati». Asaj i dhanë për të veshur një rrobë të ndritshme prej liri të pastër. Kjo rrobë përfaqëson veprat e drejta të të shenjtëve. Pastaj engjëlli më tha: «Shkruaj: lum ata që janë ftuar në darkën e dasmës së Qengjit». Dhe shtoi: «Këto janë fjalët e vërteta të Perëndisë». Unë rashë përmbys para këmbëve të tij për ta adhuruar, ndërsa ai më tha: «Mos! Unë jam shërbëtor si ti dhe si vëllezërit e tu që ruajnë dëshminë e Jezuit. Adhuro Perëndinë!». Dhe dëshmia e Jezuit është shpirti i profecisë. Pastaj pashë qiellin të hapur dhe një kalë të bardhë. Kalorësi quhej «Besimtar dhe i Vërtetë». Ai gjykon e lufton me drejtësi. Sytë e tij ishin si flakë zjarri, ndërsa mbi kokë mbante shumë kurora të vogla. Ai kishte të shkruar një emër që nuk e dinte askush përveç tij. Ishte i veshur me rroba të ngjyera në gjak dhe mbante emrin «Fjala e Perëndisë». Pas tij vinin ushtritë e qiellit, hipur mbi kuaj të bardhë dhe veshur me rroba të ndritshme prej liri të pastër. Nga goja e tij dilte një shpatë e mprehtë, me të cilën do të mposhtë kombet. Ai do t'i sundojë me skeptër të hekurt dhe do ta shtrydhë rrushin në vozën e verës së zemërimit të tmerrshëm të Perëndisë së gjithëpushtetshëm. Mbi rrobë dhe mbi kofshë kishte të shkruar emrin «Mbreti i mbretërve dhe Zoti i zotërve». Pastaj pashë një engjëll që qëndronte në diell. Ai u foli me zë të fortë të gjithë shpendëve që fluturonin në mes të qiellit: «Ejani e mblidhuni në darkën e madhe të Perëndisë, që të hani mish mbretërish, prijësish ushtarakë e të fortësh, mish kuajsh e kalorësish, mishin e të gjithë njerëzve, të lirë e skllevër, të vegjël e të mëdhenj». Atëherë pashë bishën dhe mbretërit e tokës me ushtritë e tyre që ishin mbledhur për të luftuar kundër atij që rrinte mbi kalë dhe ushtrisë së tij. Bisha u kap dhe bashkë me të edhe profeti i rremë që në prani të saj bënte shenja, me të cilat mashtronte ata që kishin marrë damkën e bishës dhe që kishin adhuruar shëmbëlltyrën e saj. Pastaj, që të dy u hodhën të gjallë në liqenin e zjarrtë që digjet me squfur. Të tjerët u vranë nga shpata që dilte nga goja e kalorësit dhe të gjithë shpendët u ngopën me mishin e tyre.
Zbulesa 19:1-21 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dhe pas këtyre dëgjova në qiell zërin e madh të një turme të shumtë, duke thënë: ''Aleluja! Shpëtimi, dhe lavdia, dhe nderimi, dhe fuqia i përkasin Zotit, Perëndisë sonë, sepse të vërteta dhe të drejta janë gjykimet e tij! Ai në fakt gjykoi kurvën e madhe, që e prishi dheun me kurvërinë e saj, dhe mori hak për gjakun e shërbëtorëve të vet të derdhur prej dorës së saj''. Dhe thanë për të dytën herë: ''Aleluja! Dhe tymi i saj ngjitet në shekuj të shekujve''. Dhe ranë përmbys të njëzet e katër pleqtë, dhe të katër qeniet e gjalla, dhe adhuruan Perëndinë, që ulej mbi fron, duke thënë: ''Amen, Aleluja!''. Dhe nga froni erdhi një zë, duke thënë: ''Lëvdoni Perëndinë tonë, gjithë ju shërbëtorë të tij dhe ju që e druani, dhe të vegjlit dhe të mëdhenjtë''. Dhe dëgjova një si zë i një turme të madhe, dhe si zë shumë ujërash dhe si zë bubullimash të forta, që thoshte: ''Aleluja, sepse filloi të mbretërojë Zoti, Perëndia ynë, i Plotfuqishmi! Le të gëzohemi dhe të ngazëllohemi dhe le t'i japim atij lavdi, sepse erdhi dasma e Qengjit dhe nusja e tij është përgatitur! Dhe i është dhënë të vishet me li të hollë, të pastër dhe të shkëlqyeshëm, sepse liri i hollë janë veprat e drejta të shenjtorëve''. Dhe më tha: ''Shkruaj: Lum ata që janë ftuar në gostinë e dasmës së Qengjit''. Dhe më tha: ''Këto janë fjalët e vërteta të Perëndisë''. Edhe rashë përpara këmbëve të tij për ta adhuruar, por ai më tha: ''Ruaju se e bën, unë jam bashkëshërbëtori yt si dhe i vëllezërve të tu që kanë dëshminë e Jezusit. Perëndinë adhuroje! Sepse dëshmia e Jezusit është frymë e profecisë''. Dhe pashë qiellin e hapur, dhe ja, një kalë i bardhë, dhe ai që e kalëronte quhet Besniku dhe i Vërteti; dhe ai gjykon dhe lufton me drejtësi. Dhe sytë e tij ishin si flakë zjarri dhe mbi kryet e tij ishin shumë kurora; edhe kishte një emër të shkruar, që askush nuk e di përveç atij; Dhe ishte i veshur me një rrobë të ngjyer në gjak; dhe emri i tij quhet: "Fjala e Perëndisë". Dhe ushtritë që janë në qiell e ndiqnin mbi kuaj të bardhë, të veshur me rroba liri të hollë, të bardhë dhe të pastër. Dhe nga goja e tij dilte një shpatë e mprehtë për të goditur me të kombet; dhe ai do të qeverisë me skeptër prej hekuri dhe ai vetë do të shkelë vozën e verës së mërisë dhe të zemërimit të Perëndisë së plotfuqishëm. Dhe mbi rrobën e vet dhe mbi kofshën ishte shkruar një emër: MBRETI I MBRETËRVE dhe ZOTI I ZOTËRVE. Dhe pashë një engjëll që qëndronte në këmbë në diell; dhe bërtiti me zë të madh duke u thënë gjithë shpendëve që fluturojnë në mes të qiellit: ''Ejani, mblidhuni në gostinë e madhe të Perëndisë, që të hani mish mbretërish, dhe mish kapitenësh, dhe mish njerëzish të fuqishëm, dhe mish kuajsh dhe kalorësish, dhe mishin e të gjithë njerëzve, të të lirëve dhe të skllevërve, dhe të të vegjëlve dhe të të mëdhenjve''. Dhe pashë bishën, dhe mbretërit e dheut, dhe ushtritë e tyre të mbledhura që të bënin luftë kundër atij që kalëronte kalin dhe kundër ushtrisë së tij. Dhe bisha u kap, dhe bashkë me të profeti i rremë që kishte bërë shenja përpara saj, me të cilat i mashtroi ata që morën damkën e bishës, dhe ata që adhuruan figurën e saj; që të dy i hodhën të gjallë në liqenin e zjarrtë që digjet me squfur; dhe të tjerët u vranë me shpatë, që dilte nga goja e atij që kalëronte kalin, dhe të gjithë shpendët u ngopën me mishrat e tyre.