Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zbulesa 1:1-11

Zbulesa 1:1-11 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Kjo është zbulesa e Jezu Krishtit, që Perëndia ia dha për t'u treguar shërbëtorëve të tij ato që duhet të ndodhin së shpejti. Jezui ia bëri të njohura shërbëtorit të tij Gjon duke i dërguar engjëllin e tij. Gjoni dëshmoi gjithçka që pa: fjalën e Perëndisë dhe dëshminë e Jezu Krishtit. Lum ai që i lexon dhe lum ata që i dëgjojnë fjalët e kësaj profecie e i zbatojnë ato që janë shkruar në të, sepse koha e përmbushjes së tyre po afron. Gjoni u shkruan shtatë kishave që ndodhen në Azi: qoftë me ju hiri e paqja nga Perëndia, që është, që ishte e që po vjen; nga shtatë shpirtrat, që janë para fronit të tij, dhe nga Jezu Krishti, dëshmitari, besniku, i pari i ngjallur prej të vdekurve e prijësi i mbretërve të tokës. Ai na deshi, na çliroi nga mëkatet tona me gjakun e tij e na bëri mbretëri priftërinjsh të Perëndisë e Atit. Atij i qoftë lavdia e pushteti, në shekuj të shekujve! Amen! Ja, ai vjen me retë! Të gjithë do ta shohin, edhe ata që e shpuan me heshtë. Gjithë fiset e dheut do të vajtojnë për të. Po, amen! «Unë jam Alfa dhe Omega», thotë Zoti Perëndi, i gjithëpushtetshmi, ai që është, që ishte e që po vjen. Unë Gjoni, vëllai juaj, që në Jezuin ndaj me ju pikëllimin, pritjen e mbretërisë dhe qëndresën, isha në ishullin që quhet Patmos për shkak të fjalës së Perëndisë dhe të dëshmisë për Jezu Krishtin. Ditën e Zotit, i rrëmbyer nga Shpirti, dëgjova pas meje një zë të fortë si trumbetë, që tha: «Atë që shikon, shkruaje në një libër dhe dërgoja shtatë kishave: në Efes, në Smirnë, në Pergam, në Tiatirë, në Sardë, në Filadelfi e në Laodice».

Zbulesa 1:1-11 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Zbulesa e Jezu Krishtit, që Perëndia ia dha për t'u treguar shërbëtorëve të tij gjërat që duhet të ndodhin për së shpejti dhe e bëri të ditur, duke ia dërguar nëpërmjet engjëllit të tij, shërbëtorit të vet Gjon, i cili dëshmoi fjalën e Perëndisë dhe dëshminë e Jezu Krishtit, dhe të gjitha gjërat që pa. Lum ai që lexon dhe lum ata që dëgjojnë fjalët e kësaj profecie dhe që ruajnë ato që janë shkruar në të, sepse koha është afër. Gjoni, shtatë kishave që janë në Azi: hir për ju dhe paqe nga ana e atij që është dhe që ishte dhe që do të vijë; edhe nga të shtatë frymërat që janë përpara fronit të tij, dhe nga Jezu Krishti, dëshmitari besnik, i parëlinduri prej së vdekurish dhe Princ i mbretërve të dheut. Atij që na deshi dhe na lau nga mëkatet tona në gjakun e tij, dhe na bëri mbretër dhe priftër për Perëndinë dhe Atin e tij, atij i qoftë lavdi dhe pushtet në shekuj të shekujve. Amen. Ja, ai vjen me retë dhe çdo sy do ta shohë, edhe ata që e tejshpuan; dhe të gjitha fiset e dheut do të vajtojnë për të. Po, amen. ''Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi'', thotë Zoti ''që është dhe që ishte dhe që vjen, i Plotfuqishmi''. Unë, Gjoni, që jam edhe vëllai juaj dhe pjesëtar bashkë me ju në pikëllimin, në mbretërinë dhe në durimin e Jezu Krishtit, isha në ishullin që quhet Patmos, për fjalën e Perëndisë dhe për dëshminë e Jezu Krishtit. Isha në Frymë ditën e Zotit dhe dëgjova pas meje një zë të madh si nga një bori, që thoshte: ''Unë jam Alfa dhe Omega, i pari dhe i fundit, dhe çfarë sheh, shkruaji në një libër dhe ua dërgo shtatë kishave që janë në Azi: në Efes, në Smirnë, në Pergam, në Tiatirë, në Sardë, në Filadelfi dhe në Laodice''.