Psalmet 85:1-13
Psalmet 85:1-13 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)
Të pëlqeu dheu yt, o Zot, këtheve Iakobinë prei robënisë. I fale paudhënitë popullit t’yt, mbulove gjithë fajet’ e atyneve. Selah. Pushove gjithë zemëriminë tand, u këtheve prei mënisë zemërimit t’yt. Këthe-na, o Perëndia i shpëtimit t’ynë, edhe këthe zemëriminë tand prei nesh. Mos ke me qenunë kur-do zemëruem mbë ne? Apor ke me shtrimë zemëriminë tand bres mbas brezi? Nukë do të këthehesh me na dhanë jetë, qi të gëzohetë populli yt për tyi? Difto-na përdëlliminë tand, o Zot, edhe ep-na shpëtiminë tand. Kam me ndigjuem qish ka me më folunë Zoti Perëndi, se ka me folunë paqtim te populli i vet, edhe te të dreitët’ e vet, edhe le të mos këthehenë ndë marri. Por ngjat atyneve qi kanë frikë ate ashtë shpëtimi i ati, qi të rrijë lavdi ndë dhet t’anë. Përdëllimi edhe e vërteta hasnë bashkë, dreitënia e paqtimi u banë miq. E vërteta ka me lemë prei dheut, edhe dreitënia ka me u kurrusunë prei qiellit. Sepse Zoti ka me dhanë të mirënë, edhe dheu ynë ka me dhanë pemën’ e vet, dreitënia ka me ecunë përpara ati, edhe ka me vumë mb’udhë hapat’ e veta.
Psalmet 85:1-13 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Tokën tënde e ke për zemër, o ZOT, Jakobin prej robërisë e ktheve. Paudhësinë popullit ia fale, të gjitha mëkatet ia mbulove. selah Furinë tënde e fashite krejt, prej zemërimit tënd dorë hoqe. Na përtëri, o Perëndi i shpëtimit tonë, jepi fund mërisë sate kundër nesh. Mos vallë përjetë do të jesh i zemëruar me ne? Mos vallë brez pas brezi do të zgjatë zemërimi yt? A nuk do të kthehesh të na japësh jetë, që populli yt të gëzohet në ty? Tregona, o ZOT, mirësinë tënde, jepna shpëtimin tënd. Do të dëgjoj se ç'thotë ZOTI Perëndi. Ja, paqe i premton popullit dhe besnikëve të vet e nuk do t'i lërë të bien sërish në marrëzi. Shpëtimi i tij është vërtet pranë atyre që e druajnë, që lavdia të banojë në tokën tonë. Mirësia dhe e vërteta u puqën, drejtësia dhe paqja u puthën. E vërteta do të mbijë nga toka, drejtësia do të vështrojë prej qiellit. Po, ZOTI ka për të dhënë të mira e toka jonë ka për të dhënë prodhim.
Psalmet 85:1-13 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
O Zot, ti ke qenë i mbarë për tokën tënde dhe e ke kthyer Jakobin nga robëria. Ti ke falur paudhësinë e popullit tënd dhe ke mbuluar tërë mëkatet e tyre. (Sela) Ti ke larguar gjithë indinjatën tënde dhe ke lënë mënjanë zemërimin tënd të zjarrtë. Na përtëri, o Perëndi i shpëtimit tonë, dhe jepi fund indinjatës sate kundër nesh. A do të mbetesh i zemëruar me ne përjetë? A do ta vazhdosh zemërimin tënd brez pas brezi? A nuk do të na japësh përsëri jetën, me qëllim që populli yt të mund të gëzohet te ti? Tregona, o Zot, mirësinë tënde dhe falna shpëtimin tënd. Una kam për të dëgjuar atë që Perëndia, Zoti, ka për të thënë; me siguri ai do t'i flasë për paqe popullit të tij dhe shenjtorëve të tij, por nuk do të lejojë që ata të jetojnë përsëri si njerëz pa mend. Me siguri shpëtimi i tij është afër atyre që kanë frikë prej tij, sepse lavdia e tij mund të banojë në vendin tonë. Mirësia dhe e vërteta u takuan; drejtësia dhe paqja janë puthur njëra me tjetrën. E vërteta do të mbijë nga toka dhe drejtësia do të shikojë nga qielli. Po, Zoti do të japë atë që është e mirë, dhe toka jonë do të prodhojë frytin e saj. Drejtësia do të ecë para tij dhe do të përgatisë udhën për hapat e tij.