Psalmet 84:5-12
Psalmet 84:5-12 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)
Lum ai njeri qi ka ndifmë prei teje, udhët e tua janë ndë zemërët t’atyneve, të cillëtë tue shkuem ndëpër gropësinat të qjamit, bajën’ ate krue, por edhe shiu mbush gropate. Venë prei fuqie mbë fuqi, gjithë-se-cilli prei atyneve duketë përpara Perëndisë ndë Sionë. O Zot Perëndia i fuqivet, ndigjo të falunitë t’em; mba vesh, o Perëndia i Iakobit. Selah. Shif, o Perëndi, mburonja jonë, edhe shtierë sytë mbë faqet të lyemit t’yt. Se ma mirë ashtë nji ditë nd’oborret të tu, se mijëna ngjeti; do të sgjithshiem ma tepërë me ndenjunë ndë derët të shtëpisë Perëndisë t’em, se me ndenjunë ndë tendat të së keqesë. Se Zoti Perëndia ashtë diell’ edhe mburonjë, Zoti ka me dhanë hir edhe lavdi, s’ka me u ndalunë të mirate atyneve qi ecinë ndë të pakeqenë. O Zot i fuqivet, lum ai njeri qi shpëren mbë tyi.
Psalmet 84:5-12 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde e të lavdërojnë përgjithmonë. selah Lum ata, që e gjejnë forcën te ti dhe kanë për zemër shtegtimin. Teksa kalojnë nëpër luginën e Bakasë, e shndërrojnë në vend burimesh dhe shiu i parë e mbulon me bekime. Ecin e bëhen gjithnjë e më të fortë dhe dalin para Perëndisë në Sion. O ZOT, Perëndi i ushtrive, dëgjoje lutjen time, mba vesh, o Perëndi i Jakobit. selah Shiko, o Perëndi, mburoja jonë, vështroje fytyrën e të vajosurit tënd. Një ditë në oborret e tua është më mirë se një mijë ditë gjetiu. Më mirë në pragun e shtëpisë së Perëndisë tim, sesa në tendat e të paudhëve. Se diell e shqyt është ZOTI Perëndi, ZOTI është dhuruesi i hirit e lavdisë. Ai nuk ua mohon të mirat atyre që jetojnë me ndershmëri.
Psalmet 84:5-12 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Lum ata që e vënë forcën e tyre te ti dhe kanë në zemër rrugët e tua! Kur kalojnë luginën e Bakas, e shndërrojnë atë në një vend burimesh, dhe shiu i parë e mbulon me bekime. Ata kalojnë nga një forcë te tjetra dhe në fund paraqiten para Perëndisë në Sion. O Zot, Perëndi i ushtrive, dëgjo lutjen time; vëri veshin, o Perëndi i Jakobit. (Sela) Shiko, o Perëndi, mburojën tonë, dhe shiko fytyrën e të vajosurit tënd. Po, një ditë në oborret e tua vlen më tepër se një mijë gjetiu; mua më pëlqen më tepër të qëndroj në pragun e shtëpisë së Perëndisë tim, se sa të banoj në çadrat e të pabesëve. Sepse Zoti Perëndi është diell dhe mburojë; Zoti do të japë hir dhe lavdi; ai nuk u refuzon asnjë të mirë atyre që ecin drejt. O Zot i ushtrive, lum njeriu që ka besim te ti!