Psalmet 78:1-8
Psalmet 78:1-8 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)
Ven’-i vesh ligjësë s’eme, o populli em, ulni veshëtë tuei mbë fjalët’ të gojësë s’eme. Kam me hapunë gojënë t’eme ndë parabullë, kam me folunë fjalë të errëta çë ndë krye të herësë. Sa ndigjuem e ngjoftëm, edhe na treguen’ atenitë t’anë. S’kemi me i pshefunë prei dielmvet atyne ndë tietërë bres, tue diftuem lavdurimet’ e Zotit, edhe fuqin’ e ati, edhe mërekullit e ati, qi bani. Edhe ngriti deshmim te Iakobi, edhe vuni ligjë ndë Israel, për sa urdhënoi atenitë t’anë me i bamë të ngjofuna te bijt’ e vet, për me ngjofunë brezi tietërë, bijtë qi kanë për me lemë: do të rriten’ e do t’ua tregojënë bijvet vet, qi të venë shpëresën’ e vet mbë Perëndinë, edhe të mos harrojënë punët’ e Perëndisë, edhe të ruejën’ urdhënimet’ e ati, qi të mos bahenë porsi atenit’ e atyneve, bres i shtrembët’ edhe i pandigjueshim, bres qi nukë ndreqi zemërën’ e vet, edhe frym’ e ati nuk’ i mbaiti besënë Perëndisë.
Psalmet 78:1-8 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Vër re, o populli im, ligjin tim, mba vesh fjalët e gojës sime. Gojën do të hap e do të flas me shëmbëlltyra, do të tregoj të fshehta nga e shkuara. I kemi dëgjuar e i kemi ditur, etërit tanë na i kanë treguar. Nuk do t'ua mbajmë të fshehta bijve të tyre, brezit të ardhshëm do t'ua tregojmë, veprat e lavdishme dhe fuqinë e ZOTIT, mrekullitë që ai bëri. Ai vendosi një dëshmi për Jakobin, caktoi një ligj në Izrael. Etërve tanë u urdhëroi, që bijve të tyre t'ua shpallin, që t'i njohë edhe breznia e ardhshme, bashkë me fëmijët që do të lindin. E kur të rriten edhe ata, bijve të vet do t'ua tregojnë, që shpresën ta vënë te Perëndia, që veprat e Perëndisë mos t'i harrojnë e urdhërimet e tij t'i mbajnë, që të mos bëhen si etërit e tyre, një brez kokëfortë e kryengritës, një brez me zemër të luhatur e me shpirt të pabesë ndaj Perëndisë.
Psalmet 78:1-8 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Kushtoji kujdes, o populli im, ligjit tim; dëgjo fjalët e gojës sime. Do të hap gojën time për të thënë shëmbëlltyra, dhe kam për të paraqitur misteret e kohërave të lashta. Atë që ne kemi dëgjuar dhe kemi njohur, dhe që etërit tanë na kanë treguar, nuk do t'ua fshehim bijve të tyre, por do t'i tregojmë brezit të ardhshëm lavdet e Zotit, fuqinë e tij dhe mrekullinë që ai ka bërë. Ai ka vendosur një dëshmi te Jakobi dhe ka vënë një ligj në Izrael, dhe ka urdhëruar etërit tanë që t'ua bëjnë të njohura bijve të tyre, me qëllim që brezi i ardhshëm t'i njohë së bashku me bijtë që do të lindin; dhe këta nga ana e tyre t'ua tregojnë bijve të tyre, dhe të vendosin te Perëndia besimin e tyre dhe të mos harrojnë veprat e Perëndisë, por të respektojnë urdhërimet e tij; dhe të mos jenë si etërit e tyre, një brez kokëfortë dhe rebel, një brez me zemër të paqëndrueshme dhe me një frymë jo besnike ndaj Perëndisë.