Psalmet 63:1-11
Psalmet 63:1-11 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)
O Perendi, ti je Perëndia em, çë ndë nadie po të kërkoj, shpirti em ka et për tyi, mishi em ka mall për tyi ndë dhe të shkretë, e të thatë, e të pa-ujë, qi të shof fuqinë tande edhe lavdinë tande, sikurse të pashë ndë vend të shenjtënuem. Se përdëllimi yt ashtë ma i mirë se jeta, buzët’ e mia kanë me të lavduruem. Kështu kam me të bekuem ndë jetët t’eme, mb’emënit tand kam me ngritunë duert’ e mia. Shpirti em ka me u ngimë porsi prei të maimi e prei dhiami, edhe goja eme ka me të lavduruem me buzë gëzimi, kur të kujtoj ndë shtrat t’em, tyi të shkoj ndër mend për gjithë horet’ e natësë. Se m’u bane ndifma eme, përandai kam me u gëzuem ndënë hien’ e fletëvet tua. Shpirti em u ngjit mbas teje, e diathta jote më ndif. Por ata qi kërkojënë shpirtinë t’em, për me e bierrë, kanë me hymë ndë ma të poshtëmet anët’ e dheut, kanë me ranë ndë duert të shpatësë, kanë me qenunë piesë dhelpënash. Por mbëreti ka me u gëzuem mbë Perëndinë, ka me u lavduem kushdo qi ban be mb’atë, se ka me u mbëçelunë goja e atyne qi flasinë rrenë.
Psalmet 63:1-11 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
O Perëndi, Perëndia im, ty të kërkoj. Për ty ka etje shpirti im, ty të dëshiron trupi im në këtë tokë të thatë, të shkretë e pa ujë. Në shenjtërore erdha e të sodita, pashë fuqinë e lavdinë tënde. Mirësia jote është më e mirë se jeta, buzët e mia do të të lavdërojnë. Do të të bekoj gjithë jetën time, duart do t'i ngre në emrin tënd. Do të ngihem me gjithë të mirat, goja ime do të të lavdërojë me buzë të hareshme. Edhe në shtrat ty të kujtoj, të kam ndër mend në çdo orë të natës, se ti më je bërë ndihmë, nën hijen e krahëve të tu brohoras. Te ti kapet fort shpirti im, e djathta jote më mban. Rënçin në thellësi të tokës ata që duan të më rrënojnë. Rënçin nga tehu i shpatës, pre u bëfshin për çakejtë.
Psalmet 63:1-11 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
O Perëndi, ti je Perëndia im, unë të kërkoj në mëngjes; shpirti im është i etur për ty; ty të dëshiron mishi im në tokë të thatë dhe të djegur, pa ujë. Kështu të admirova në shenjtërore, duke soditur forcën tënde dhe lavdinë tënde. Me qenë se mirësia jote vlen më tepër se jeta, buzët e mia do të të lëvdojnë. Kështu do të të bekoj derisa të jetoj dhe në emrin tënd do të ngre duart e mia. Shpirti im do të ngopet si të kishte ngrënë palcë dhe dhjamë, dhe goja ime do të të lëvdojë me buzë të gëzuara. Të kujtoj në shtratin tim, të mendoj kur rri zgjuar natën. Duke qenë se ti ke qenë ndihma ime, unë këndoj tërë gëzim në hijen e krahëve të tu. Shpirti im mbahet ngushtë te ti; dora jote e djathtë më mban. Por ata që kërkojnë jetën time për ta shkatërruar, do të zbresin në pjesët më të ulëta të tokës. Ata do t'i dorëzohen pushtetit të shpatës dhe do të bëhen pre e çakejve. Por mbreti do të gëzohet te Perëndia; kushdo që betohet për të do të përlëvdohet, sepse goja e gënjeshtrave do të detyrohet të mbyllet.