Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 55:11-23

Psalmet 55:11-23 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)

e keqe ashtë ndë miedis t’asai, gënjeshtrë e rrenë nukë shterenë prei rrugavet asai. Se të më pasëke shamë anëmiku, do ta kishiem duruem, edhe t’u ngritëkeshe kundrë meje ai qi më ka mëni, do t’ishiem mpëshefunë prei ati, por ishie ti, o njeri, qi je porsi unë, udhë-hiekësi em, edhe i ngjofuni em, qi flitshim bashkë ambëlë, vijshim bashkë me shoqëni ndë shtëpi të Perëndisë. Arthtë vdekë mbi ata, edhe sdrypshinë të gjallë ndë vorr, se janë të këqia ndër të ndenjunat t’atyne, edhe ndërmiet atyne. Unë kam me i thërritunë Perëndisë, edhe Zoti ka me më shpëtuem. Mbramie, e nadie, e mies-ditë kam me u lutun’ e me thërritunë, edhe ka me më ndëgjuem zaninë. Ka me më shpëtuem shpirtinë ndë paqtim prei luftësë, qi ashtë kundrë meje, se shumë vetë ishinë kundrë meje. Perëndia ka me ndëgjuem, edhe ka me përvum’ ata; ai qi ashtë para jetëvet, Selah, se ata s’ndërrohenë, as kanë frikë Perëndinë. Ngjat duert’ e veta kundrë atyne qi janë ndë paqtim me atë, ndyn dhiatën’ e vet. Fjalët’ e gojës’ ati janë ma të buta se tëlyeni, por ndë zemërët t’ati ashtë luftë; fjalët e ati janë ma të buta se voji, por janë thika të sveshëta. Hidh barrënë tande mbë Zotinë, edhe ai ka me të lenuem, kurrë s’ka me lanë të tundet’ i dreiti. Por ti, o Perëndi, ke me sdrypun’ ata ndë pus të humbëjesë; njerëzit’ e gjaknavet e të gënjeshtrësë s’kanë me e mbërrimë ndë gjymësë të ditvet veta, por unë kam me shpëryem mbë tyi.

Psalmet 55:11-23 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Në mes të tij është lakmia; shtypja dhe gënjeshtra janë të zakonshme në rrugët e tij. Sepse nuk ka qenë një armiku im që tallej me mua, përndryshe do ta kisha duruar; nuk ka qenë një që më urrente ai që u ngrit kundër meje, ndryshe do t'i isha fshehur atij. Por ke qenë ti, një njeri si unë, shoku im dhe miku im i ngushtë. Bënim bashkë biseda të këndshme dhe shkonim bashkë në shtëpinë e Perëndisë. I zëntë befas vdekja, u ulshin të gjallë në Sheol, sepse në banesat e tyre dhe në mes tyre nuk ka veçse ligësi. Sa për mua, do t'i kërkoj ndihmë Perëndisë, dhe Zoti do të më shpëtojë. Në mbrëmje, në mëngjes dhe në mesditë do të ankohem dhe do të rënkoj, dhe ai do të dëgjojë zërin tim. Ai do ta shpengojë jetën time dhe do ta sigurojë nga lufta që bëhet kundër meje, sepse janë të shumtë ata që janë ngritur kundër meje. Perëndia do të më dëgjojë dhe ka për t'i poshtëruar, ai që ulet si sovran gjithnjë, sepse ata nuk ndryshojnë dhe nuk kanë frikë nga Perëndia. (Sela) Ai ka shtrirë duart kundër atyre që jetonin në paqe me të, ka shkelur besëlidhjen e tij. Goja e tij ishte më e ëmbël se gjalpi, por në zemër ai kishte luftën; fjalët e tij ishin më të buta se vaji, por ishin shpata të zhveshura. Hidh mbi Zotin barrën tënde, dha ai do të të mbajë; ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet. Por ti, o Perëndi, do t'i zbresësh këta në pusin e humbjes; njerëzit gjakatarë dhe hileqarë nuk do të arrijnë në gjysmën e ditëve të tyre; por unë do të kem besim te ti.