Psalmet 46:1-11
Psalmet 46:1-11 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)
Perëndia ashtë mpshtetëja jonë, edhe fuqia, ndifmë fort e gatishime ndë shtrëngimet. Përandai s’kemi me pasunë frikë, edhe ndë u lëkundtë dheu, edhe të ndërrojënë vend maletë ndë kërthizë të detënavet; gjimojënë e përzihen’ ujënat’ e atyne, edhe lëkundenë maletë prei naltësinës’ atyne. Selah. Lumi, edhe rrëket’ e ati kanë me gëzuem qytetin’ e Perëndisë, të shenjtënueminë vendin’ e tendavet të Naltit. Perëndia ashtë ndë miedis t’ati, edhe s’ka me u lëkundunë; Perëndia ka me i ndifunë çë prei së sbardhëmesë dritësë. Sfuturinë kombetë, u tuntnë mbëretënitë, dha zanin’ e vet, u tret dheu. Zoti i fuqivet ashtë bashkë me ne, Perëndia i Iakobit ashtë mpshtetëje e naltë për ne. Selah. Eni, e shifni punët’ e Zotit: ç’shkretime bani ndë dhet. Pushon luftënatë deri ndë anët të dheut, thyen hark, e copëton shtizë, diek qerre ndë ziarrm. Pushoni, e ngjifni, se unë jam Perëndia, kam me u naltuem ndër kombet, kam me u naltuem ndë dhet. Zoti i fuqivet ashtë bashkë me ne, Perëndia i Iakobit ashtë mpshtetëje e naltë për ne. Selah.
Psalmet 46:1-11 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Perëndia është streha dhe fuqia jonë, ndihmë që na gjendet përherë në ngushticë. Prandaj s'do të trembemi po të lëkundet toka e malet të tranden në zemër të detit. Le të gjëmojnë ujërat, shkumë le të lëshojnë, malet le të dridhen kur të fryhet deti. selah Rrëketë e lumit qytetin e Perëndisë gëzojnë, vendin e shenjtë ku i Tejlarti banon. Mes tij është Perëndia e nuk do të tronditet, ai do ta ndihmojë kur të agojë mëngjesi. Kombet bënë trazira, mbretëritë u tronditën, Zoti gjëmoi e toka u tret. Me ne është ZOTI i ushtrive, streha jonë është Perëndia i Jakobit. selah Ejani e shihni veprat e ZOTIT, ai urdhëroi mjerime mbi tokë. Ai i pushon luftrat anekënd tokës, ai i thyen harqet e copëton ushtat, e qerret me zjarr i djeg. Ndaluni dhe dijeni se unë jam Perëndi. I lartë përmbi kombe, i lartë përmbi tokë.
Psalmet 46:1-11 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Perëndia është për ne një strehë dhe një forcë, një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi. Prandaj ne nuk do të kemi frikë edhe sikur toka të luajë dhe malet të hidhen në mes të detit, dhe ujërat e tij të tërbohen dhe të shkumojnë, dhe malet të dridhen në fryrjen e tij. (Sela) Është një lumë brigjet e të cilit mbushin me gëzim qytetin e Perëndisë, vendin e shenjtë ku banon shumë i Larti. Perëndia është në mes të tij, ai nuk do të luajë nga vendi; Perëndia do ta ndihmojë në dritat e para të mëngjesit. Kombet do të ziejnë, mbretëritë do të tronditen; ai dërgoi jashtë zërin e tij, toka u shkri. Zoti i ushtrive është me ne; Perëndia i Jakobit është streha jonë. (Sela) Ejani dhe admironi veprat e Zotit, që ka bërë mrekulli mbi tokë. Ai bën që të pushojnë luftërat deri në skajet e tokës; ai prish harqet dhe thyen shtizat, dhe djeg qerret me zjarr. Ndaluni dhe pranoni që jam Perëndi; do të ngrihem lart midis kombeve, do të ngrihem lart mbi tokë. Zoti i ushtrive është me ne; Perëndia i Jakobit është streha jonë. (Sela)