Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 42:1-11

Psalmet 42:1-11 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)

Sikurse mallënjen dreni rrëket’ e ujënavet, kështu edhe shpirti em mallënjen për tyi, o Perëndi. Shpirti em ka et për Perëndinë, Perëndin’ e gjallë: kurë do të vij, e do të dukem përpara Perëndisë? Lott’ e mi m’u banë bukë dit’ e natë, kur më thonë për ditë: Ku ashtë Perëndia yt? Këto mendova, edhe derdha shpirtinë t’em përmbrenda meje, se shkoishiem bashkë me gjindëjenë, edhe ecëshiem bashkë me atë, deri ndë shtëpit të Perëndisë, me za gëzimi e lavdurimi, bashkë me gjindëjenë qi festojënë. Përse je i idhënutë, o shpirti em? Edhe përse përzihe përmbrenda meje? Shpëre mbë Perëndinë, se kam me e lavduruem edhe ma: faqeja e ati ashtë shpëtesë. O Perëndia em, shpirti em asht’ i idhënutë përmbrenda meje, përandai kam me të kuituem prei dheut Iordanit edhe Hermonit, prei malit Vogëlë. Abyssa thërret abyssënë ndë za të katarraktevet tu, gjithë valët’ e tua edhe thëllimet’ e tu shkuenë mbë mue. Ditënë Zoti ka me urdhënuem përdëllimin’ e vet, edhe natënë kanka e ati ka me qenunë bashkë me mue, të falunë te Perëndia i jetësë seme. Kam me i thanë Perëndisë, shkrepit t’em: Përse më harrove? Përse ecij i vranëtë prei shtrëngimit anëmikut? Anëmiqt’ e mi, tue dërrmuem eshtënat’ e mia, më shpërnderojënë, tue më thanë për ditë: Ku ashtë Perëndia yt? Përse je i idhënutë, o shpirti em? Edhe përse përzihe përmbrenda meje? Shpëre mbë Perëndinë, se kam me e lavduruem edhe ma, ai ashtë shpëtesa e faqesë s’eme, edhe Perëndia em.

Psalmet 42:1-11 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Ashtu si suta ka një dëshirë të madhe për rrëketë e ujit, kështu shpirti im ka një dëshirë të zjarrtë për ty, o Perëndi. Shpirti im ka një etje të madhe për Perëndinë, për Perëndinë e gjallë. Kur do të vij dhe do të paraqitem para Perëndisë? Lotët e mia janë bërë ushqimi im ditë e natë, ndërsa më thonë vazhdimisht: "Ku është Perëndia yt?". Duke kujtuar këto gjëra, brenda vetes sime i jap shfrim të lirë shpirtit tim, sepse kisha zakon të shkoja me turmën, duke e udhëhequr në shtëpinë e Perëndisë, në mes të këngëve të gëzimit dhe të lëvdimit të një turme në festë. Pse ligështohesh, o shpirti im, pse vajton brenda trupit tim? Shpreso te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma për çlirimin e pranisë së tij. O Perëndia im, shpirti më është ligështuar përbrenda; prandaj më kujtohesh ti nga vendi i Jordanit dhe nga majat e Hermonit, nga mali i Mitsarit. Një hon thërret një hon tjetër në zhurmën e ujërave të tua; të gjitha dallgët e tua dhe valët e tua kanë kaluar përmbi mua. Ditën Zoti më jep mirësinë e tij, dhe natën i ngre atij një kantik, një lutje Perëndisë të jetës sime. Unë do t'i them Perëndisë, kështjellës sime: "Pse më harrove? Pse endem i veshur me rroba zie për shkak të shtypjes nga ana e armikut?". Kockat e mia po vuajnë për vdekje për shkak të fyerjeve nga ana e armiqve të mi, që më thonë vazhdimisht: "Ku është Perëndia yt?". Pse ligështohesh, shpirti im, pse rënkon përbrenda meje? Shpreso te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma; ai është shpëtimi im dhe Perëndia im.

Psalmet 42:1-11

Psalmet 42:1-11 ALBB

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë